Të dielën VII të Llukait më 9 nëntor 2025 Mitropoliti i Gjirokastrës z. Nathanail drejtoi Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore në Kishën Metropolitane të Metamorfozës së Shpëtimtarit në lagjen Pazar i Vjetër në qytetin e Gjirokastrës. Kjo kishë, e njohur nëpër Kodikë të vjetër, edhe si kisha e Pandokratorit, shërbeu për shumë shekuj si kishë qendrore e Episkopatës dhe më pas e Mitropolisë së Gjirokastrës dhe Drinopojës. Ndërsa ndërtesa krah saj shërbente si seli dhe rezidencë episkopale. Qysh në fillimet e krijimit të qytetit të Gjirokastrës, më vonë edhe gjatë shekujve osmanë e deri në ditët e sotme, lagjja Pazar i Vjetër në Gjirokastër është njohur për karakterin e saj të krishterë orthodhoks. Edhe pse të paktë në numër, për shkak të emigrimit, besimtarët e krishterë të lagjes rendën të gjithë në kishë për t’u kishëruar, por edhe për të marrë bekimet e Mitropolitit Nathanail, i cili përpara se të dorëzohej në gradën episkopale, shërbeu për rreth 20 vite në Kishën Metropolitane të Metamorfozës si përgjegjës i saj.
Në përfundim të Shërbesës së Mëngjesores Mitropoliti i dha ofiqin Ikonom-Stavrofor Atë Viktor Janit, priftit përgjegjës të kishës, ndërsa të riun Vasil, i cili shërben si ndihmës në këtë kishë e dorëzoi në Anagnost (Lexues). Në fund të Liturgjisë Hyjnore Mitropoliti Nathanail kreu edhe Shërbesën e Përkujtimores në kujtim të Atit të tij shpirtëror, të ndjerit Krisostom, Mitropolit i Rodhostolit, i cili mbushi 40 ditë nga fjetja e tij në Zotin. Pas Liturgjisë Hyjnore Mitropoliti, kerikët dhe besimtarët u mblodhën në qendrën enorike të kishës për të konsumuar mëngjesin dhe për të ndarë me njëri-tjetrin biseda shpirtërore dhe kujtime të ndryshme.
Më 16 nëntor 2025 atë Emiliano Lito mori ofiqin Protopresviter në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës. Ai dhe priftëreshë Sofia kanë përfunduar studimet në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash, Durrës. Më pas atë Emiliano ka studiuar për Muzikë kishtare dhe Psaltike tek Akademia Kishtare e Velasë, Janinë për Gjuhë – Letërsi dhe Qytetërim Grek, studime pasuniversitare në Universitetin Eqerem Çabej dhe studime pasuniversitare në Universitetin Aristoteli, Selanik, Dega Theologji Sociale, Studime në Historinë dhe Traditën e Artit psaltik të Malit të Shenjtë.
Ndërsa më 26 nëntor në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në qytetin e Gjirokastrës, u kremtua kujtimi i Shën Sofianoit, Episkopit të Gjirokastrës dhe Drinopojës. Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore u drejtuan nga Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail. Gjatë Shërbesave të Shenjta priftërinjtë dhe besimtarët patën mundësinë që t’u faleshin lipsaneve të shenjta të Shenjtorit. Shën Sofianoi jetoi dhe veproi në një periudhë shumë të vështirë për ekzistencën e të krishterëve orthodhoks. Në një kohë kur Perandoria Osmane kishte shtrirë sundimin e saj edhe në hapësirën e Gjirokastrës së Drinopojës. Gjatë shek. XVII kur vala e islamizimit po bëhej gjithnjë edhe më shumë intensive, Shën Sofianoi si një hierark i denjë i fronit dhe grigjës së tij, me predikimin e tij të frymëzuar nga Perëndia bëri të mundur që shumë të krishterë të Episkopatës së tij të mos e mohonin besimin e tyre. Gjithashtu duke konstatur nevojën e madhe të të krishterëve për arsim, Shën Sofianoi në vitin 1672 çeli një shkollë në Manastirin e Shën Athanasit në Poliçan të Pogonit. Grigja e tij, ruajta dhe kultivimi shpirtëror i saj ishte shqetësimi kryesor i Shën Sofianoit deri në vitin 1711, kur ndërron jetë dhe bashkohet me Perëndinë në Mbretërinë Qiellore.
E kremtja e kujtimit të Shën Sofianoit është një ditë e rëndësishme për mbarë komunitetin orthodhoks të zonës dhe më gjerë, duke na rikujtuar se Shenjtorët e Kishës nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës, por, gjithashtu ata përbëjnë një realitet të gjallë që frymëzojnë dhe udhëheqin besimtarët në çdo kohë dhe hapësirë.
Dhjakon Pandeleimon Zeneli