EmailFacebookKontakt

Njeriu që dhuron do të bekohet

Me nismën dhe bekimin e Mitropolitit të lumur Ignat (f) në vitin 2010 u hap mensa “Shën Joan Përdëllimtari” për njerëzit në nevojë në qytetin e Beratit. Jeta e shën Joan Përdëllimtarit, i cili kremtohet më 12 nëntor, është dëshmi e gjallë e zbatimit të porosisë së Krishtit: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde dhe duaje të afërmin tënd porsi veten” (Mt. 22:37-39). Shenjtori theksonte që të varfrit dhe lypësit janë mësuesit tanë që Perëndia na i vuri pranë, që duke u dhënë lëmoshë, të fitojmë Mbretërinë e Qiejve. Kështu, jeta dhe mësimi i tij frymëzuan hapjen e kësaj vepre bamirëse, ku kujdesi për njeriun në nevojë vjen si vepër dashurie dhe besimi.

Me përkushtim dhe dashuri ofrohet ushqim i gatuar dy herë në javë për rreth 200 persona që përballen me vështirësi ekonomike. Kjo vepër përmbush thirrjen e Apostullit të shenjtë: “Dhe mos harroni të bëni të mirë dhe të ndani me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla” (Heb. 13:16). Shërbimi ofrohet pa dallim besimi apo përkatësie, si një shprehje konkrete e dashurisë për njeriun dhe kujdesit që Kisha ka për çdo shpirt, duke praktikuar fjalët e Krishtit: “Isha i uritur dhe më dhatë të ha; isha i etur dhe më dhatë të pi; isha i huaj dhe më pritët; isha i zhveshur dhe më veshët; isha i sëmurë dhe erdhët të më vizitoni; isha në burg dhe erdhët tek unë” (Mt. 25:35-36).

Shprehim mirënjohje të thellë për të gjithë sa kanë kontribuar në këtë mensë dhe ftojmë të gjithë të kontribuojnë në këtë vepër dashurie, që të zgjerojë shërbimin nga dy ditë në tre apo në katër ditë gatimi në javë, për të ndihmuar njerëzit të cilëve u mungon ushqimi i përditshëm.

Për kontribute financiare në llogarinë:
UNION BANK
KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE
IBAN: AL87214111060111485096020711
SWIFT: UNALALTR

Për kontribute ushqimore, ushqime bazë që nevojiten për gatimin e përditshëm, kontaktoni në: 069 348 4061 me Atë Kristaq Subashin, përgjegjës i mensës për çdo bashkëpunim apo ndihmë.

Urojmë që dashuria dhe mëshira e Krishtit Perëndisë sonë, që frymëzoi këtë shenjtor, të udhëheqë edhe jetën tonë, duke na kujtuar se çdo vepër e vogël dashurie ka peshën e madhe të bekimit hyjnor. “Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur ke mundësi ta bësh” (Fj.Urt. 3:27).

Atë Kristaq Subashi