Media “Ngjallja” realizoi një intervistë me z.Viktor Martini, një ish-i dënuar politik dhe ka vuajtuar dënimin në burgun e Burrelit, ku ka takuar dhe njohur edhe imzot Visarionin. Edhe 3 vëllezërit e tij kryen burg politik. Ai është i biri i Zef Martinit i cili ndërroi jetë në burgun e Burrelit. Viktori rrëfen se e gjithë familja e tij ka vuajtur 104 vite burg. Që në fillim të vitit 1990 Viktori dhe bashkëshortja e tij Liza jetojnë në Boston. Ai është autor i librit “Dëshmoj” në të cilin përmend njohjen me Kryepiskopin tonë Joan.
***
E njoha kur hirësia e tij ishte kujdestar në pavionin e psikiatrisë. Më tërhoqi vëmendjen me qëndrimin i tij. Kur të gjithë administrata që shërbente brenda pavionit përlyheshin diku duke marrë arat e të sëmurëve, diku në ushqimet, diku te lekët; të gjithë hanin në mensë. Hirësia e tij, Joani, ishte kujdestar i këtyre njerëzve të psikiatrisë. E pata rastin ta njihja në oborr, ku dilnim për pushim. Qëndroja pranë tij në oborr. Një ditë më pyeti: “Cila është gjëja më e çmuar në këtë jetë, Viktor”? I numërova të gjitha me radhë. Në fund ai më tha: “Jo, asnjëra”. Atëherë i thashë ma thoni ju. Ai më tha: “Gjëja më e shtrenjtë në këtë botë është gjumi i njeriut të pastër”. Kjo fjalë më tingëlloi në tru, hyri brenda thellë në shpirt, sepse me të vërtetë gjumi i njeriut të pastër është gjëja më e shtrenjtë në botë. Pas shumë vitesh e takova hirësinë e tij në Boston. Studionte teologji, për t’u bërë prift. Kemi pasur disa takime. Një ndër takimet që e ruaj në kujtesë është dreka që hëngrëm bashkë me dom Simon Jubanin, hirësinë e tij, Joanin dhe me të ndjerin, dritë pastë, atë Liolini. Unë isha brenda bisedës së tyre, po nuk kisha njohuri teologjike si ata. Diskutimi ishte i përzemërt mes dom Simonit dhe hirësi Joanit. Në fund, kur u ndamë, më thotë dom Simoni: Shumë shumë i përgatitur – Viktor. Pra, një njeri i kultuar nga ana fetare si dom Simoni e kuptoi rëndësinë e tij dhe botën e tij shpirtërore dhe intelektuale. Madhështinë e këtij njeriu duhet ta njohin shqiptarët. Jo vetëm si orthodhoks, por si njeri madhështor, që në shpirt dëshiron të rrënjosë moralin te shqiptarët.
Këtë verë pata një takim me hirësinë e tij. Biseduam, madje realizuam edhe një dokumentar të vogël, hirësia e tij dhe i çmenduri, që isha unë. Është e pamjaftueshme të flas vetëm pak minuta, sepse mund rri me orë të tëra për të paraqitur njeriun për të cilin shqiptarët kanë nevojë. Ai nuk është vetëm një klerik, por është edhe atdhetar, që mbjell paqe dhe vëllazëri midis shqiptarëve. Vizita e tij te Papa ka shumë domethënie. Ajo tregon gërshetim betimesh për vëllazërimin dhe nevojën që kemi për këtë njeri kaq të madh. Çdo punë e ka një shpërblim. Edhe puna ime sot, për këtë intervistë, kërkon një shpërblim. I drejtohem me këtë lutje: Hirësia juaj, ju lutem, më jepni mundësinë që kur të vij në verë, të kryeni një meshë në Kishën Orthodhokse në Shkodër.
U uroj të gjithë besimtarëve shqiptarë të kenë paqe dhe vëllazëri. Dhe për të pasur paqe e vëllazëri, shembullin mund ta marrin tek atë Joani. Kam theksuar në librin tim ku e njoha atë Joanin dhe ndër të tjera kam thënë: Ky ka për të qenë kryepeshkop i Shqipnisë. Pra, kjo thuhet në librin tim, në ’99-tën. Uroj që hirësia e tij, Anastas, atje në parajsë ku është, t’i lutet Zotit për jetëgjatësinë e atë Joanit, sepse për jetëgjatësinë e tij kanë nevojë shqiptarët, për njeriun që mbjell moralin me urtësinë e tij.