EmailFacebookKontakt

… Që Mbreti i Qiejve të lindë në thellësi të zemrës

Kreshma e Krishtlindjes
15 nëntor – 25 dhjetor

Gjatë kësaj periudhe kreshmore nuk hahen mishi dhe nënproduktet e tij, as veza dhe produktet bulmetore, por përveç ushqimeve kreshmore, mund të konsumohet peshk deri më 17 dhjetor, përveç të mërkurave dhe të premteve.

Nga data 17 – 24 dhjetor, kreshma bëhet më e fortë: ku peshku nuk konsumohet; vera dhe vaji lejohen vetëm të shtunave dhe të dielave.

Një nga veprat më gjigande të njerëzimit, padyshim që është Koloseu i Romës. Duke e kundruar atë mahnitemi. Sigurisht, ai u ndërtua për një qëllim: stadium gjigand për lojra dhe gara në shërbim të diçkaje – argëtimit njerëzor. Ne të krishterët kemi një stadium të ndarë në periudha dhe ditë të veçanta – kohën e kreshmës. Zoti u tha të parëgatuarve se nuk do të hani nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes (Zan.3:3). Përse? Nuk ishte i mirë fryti? Përkundrazi, i pëlqyer dhe tërheqës: “Perëndia e pa dhe gjithçka ishte e mirë” (Zan.1:31). Krijuesi dëshironte ta stërviste dhe ta forconte njeriun e parë, që të rritej shpirtërisht me vullnet të lirë drejt përsosmërisë.

Le të kthehemi tani te tryeza jonë e përditshme që është një ritual, që na mbledh dhe na ushqen. Që të mos ligështohemi dhe që të jemi të fortë për garën tonë është caktuar ndalimi i konsumimit të disa ushqimeve dhe largimi nga dëshirat tona. Gjatë kohës së kreshmës për ato ushqime themi jo, ndal! Do të largohemi nga ushqime të caktuara, sepse tani sytë do të shohin më thellë brenda nesh dhe më lart drejt virtyteve.

Kreshma është një udhëtim shpirtëror, nëpërmjet të cilit provohemi sa e madhe është dashuria jonë e vërtetë për Krijuesin. Duke udhëtuar, si qenie njerëzore, i provojmë të gjitha pengesat, aq sa Perëndia lejon për ne. Uria na sjell ndërmend që jemi qenie të varura, që gjithçka është në duart e Krijuesit dhe dhuratës së tij, ushqimit të përditshëm të tryezës sonë. Ftohemi të vetëpërmbahemi. Mirë, kaq mjafton?! Jo! Ne largojmë karburantin e trupit, por kemi nevojë të madhe që edhe shqisat tona të kenë një lloj kontrolli. Syri, kandili i shpirtit, ndotet çdo ditë. Në rrugë, dy luanët tanë, kapin imazhe pafund, të papastra, të ndotura, jo etike. Veshi, një lloj mausi, klithon pafund në kërkim të çdo thashethemi: si? kush? çfarë? pse? kur? dhe kur mbushet, koka pothuajse shpërthen. Goja jonë, e projektuar për të lavdëruar Perëndinë dhe për të thurur himne, është e gatshme të ngatërrojë gjithë botën; të trumbetojë në çdo vesh lajmet e fundit, të freskëta, plot helm. Duart tona, aq të shkathëta e të zhdërvjellta, mund të nënshkruajnë, godasin, prekin, shfletojnë, vjedhin. Këmbët, po ashtu, mund të shkojnë kudo; vetëm atje ku s’duhet, jo, nuk duhet të shkojnë. Pra, e gjithë qenia jonë është në lëvizje.

Shën Vasili i Madh na thotë të mos e kufizojmë kreshmën vetëm në përmbajtjen nga ushqimi, sepse e vërteta e kreshmës është largimi nga e keqja; shmangia e fjalëve të këqija, ndalimi i zemërimit, largimi nga dëshirat e këqija. Kjo është kreshma!

Samson, armiku të porta, zemërimi, një nga akrepat më të hidhur të qenies njerëzore, që aq shumë ka prishur miqësi dhe shoqëri ka treguar cektësinë tonë, nuk mposhtet dot, veçse me lutje dhe agjërim. Ky lloj nineviti ka nevojë për kreshmën, për gërshërën e flokëve të Samsonit. Nga ana tjetër besimtari ftohet që të shpeshtojë lutjet. Jo pa qëllim është dhënë mjeti në dorën tonë, komboskina: Zot, Jisu Krisht, Biri i Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin. Ftohemi të marrim pjesë në shërbesa, të psalim himne, të lexojmë pjesë të caktuara nga Kisha. Kështu, copëza-copëza, të mbushet qenia jonë plot me Shkrimin e Shenjtë.

Lëmosha – aq e lartë dhe e vlerësuar, çel portat e qiellit. “Kornel, … lëmoshat e tua u kujtuan para Perëndisë” (Vep. 10:31) Ai ishte pagan, por lëmosha iu bë pasaportë diplomatike; u ftua në pagëzim që të bëhej pjesë e Izraelit të Ri, Kishës së Krishtit. Shën Joan Gojarti thotë se lëmoshë nuk është vetëm dhënia e pasurisë, por edhe një fjalë e mirë dhe çdo ndihmë që u jepet të afërmve. Padyshim, të gjitha këto janë mjete që na mundësojnë të bëhemi të ngjashëm me Zotin. 40 ditë kalojnë shpejt. Anija, që udhëton në detin e Galilesë, do të përjetojë dallgë, por zëri i Zotit është më i fortë se ato. Busulla jonë drejtohet në Lindje, në tokën e Betlehemit, dhe grazhdi i vogël që është zemra jonë duhet jetë gati, që, kur të mbërrijnë pelegrinët nga Lindja, barinjtë nga kullotat dhe engjëjt të himnojnë (Llk. 2:9), Mbreti i Qiejve të ketë lindur atje, në thellësi të saj. Amin.

Arkimandrit Ignati