EmailFacebookKontakt

Veprimtari pimantike në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës

Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Nathanaili, gjatë të dielave të muajit tetor drejtoi Liturgji hyjnore në zona të ndryshme të Mitropolisë së Gjirokastës. Ai vizitoi qytetin e Përmetit, ku drejtoi Liturgjinë Hyjnore në kishën e restauruar të shën Parashqevisë dhe takoi komunitetin e kësaj kishe; në qytetin e Delvinës, në kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari, bashkëmeshoi me Mitropolitin e Jopës dhe Arimathesë (Patriarkana e Jerusalemit), z. Damaskin, me origjinë nga qyteti i Voskopojës, i cili, bashkë me një pjesë të grigjës së tij, vizituan vendin tonë.

Më 19 tetor 2025, Mitropoliti Nathanail i dha ofiqin Ikonom-Stavrofor atë Gjergji Gjatës, i cili shërben si përgjegjës i kishës së qytetit të Delvinës dhe dorëzoi në Anagnost dy të rinj, Stefanin dhe Kristoforin të cilët shërbejnë me shumë zell në zhvillimin e Shërbesave të Shenjta të Kishës. Të dielën më 26 tetor dhe në të kremten e Dëshmorit të Madh, Shën Dhimitër Mirovliti, Hirësi Nathanaili drejtoi Liturgjinë Hyjnore në fshatin Labovë e Sipërme, me pjesëmarrje të besimtarëve nga fshatrat: Labovë e Sipërme dhe Labovë e Kryqit. Pas Liturgjisë Hyjnore Mitropoliti kreu një përshpirtje në varrin e paraardhësit të tij, Mitropolitit të lumur Dhimitër, në kishën e shën Parashqevisë në Terihat, Dropull.

***

Hirësi Nathanaili, më 10 tetor 2025, kreu Shërbesën e Ajazmës së Vogël në zyrat e reja të Mitropolisë të cilat nën kujdesin e vet Mitropolitit kaluan në ambientet e Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar”. Në shërbesë merrnin pjesë klerikë dhe laikë të cilët shërbejnë në këto zyra. Çdo paradite, nga e hëna në të premte, Zyrat do të jenë të hapura për besimtarët e krishterë orthodhoks dhe për të gjithë vizitorët.

Në kishën mrekullibërëse të shën Parashqevisë, Terihat, Dropull, në drejtimin e Mitropolitit Nathanail të premten më 17 tetor 2025, u krye agripni e shenjtë, me pjesëmarrjen e besimtarëve nga disa zona të Mitropolisë së Gjirokastrës.

Hirësi Nathanaili njoftoi që, çdo të premte në mbrëmje nga ora 21.00 – 00.30, do të zhvillohet agripni në kishën e shën Parashqevisë në Terihat, Dropull. Ftohen të gjithë besimtarët të marrin pjesë në Agripninë e Shenjtë.

Mitropoliti çeli dyert e paraklisit të ri (kishëzës) kushtuar Hyjlindëses Mari (Aksion Estin) dhe Apostullit Nathanail në ambientet e Mitropolisë ditën e enjte, 23 tetor 2025. Paraklisi do të shërbejë për Shërbesat e Shenjta të përditshme të Mitropolitit. Kështu, të enjten në mbrëmje u krye shërbesa e Ajazmës, ndërsa të premten në mëngjes, Liturgjia e parë Hyjnore.

Dhjakon Pandeli Zeneli