Familja luan një rol thelbësor në ndërtimin e një shoqërie të përgjegjshme. Ajo, bërthama e parë sociale, ndikon ndjeshëm në formimin e vlerave, moralit dhe sjelljeve. Institucioni mbi të cilin familja krijohet dhe ndërtohet është Martesa. Në konceptin social-ligjor, martesa sot në Shqipëri konsiderohet si një bashkim i lirë, vullnetar dhe i qëndrueshëm i një burri dhe një gruaje, bazuar në të drejta të barabarta, në dashuri, respekt dhe ndihmë të ndërsjellë midis bashkëshortëve. Martesa midis burrit dhe gruas është institucion i krijuar nga vetë Zoti dhe zë fill me krijimin e njeriut (Zan.2:23). Kështu, që nga fillimi i njerëzimit e në vazhdimësi, bashkimi i gruas dhe i burrit në martesë ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme në të gjitha kohët, në shoqëri dhe kultura të ndryshme, duke u trajtuar gjithmonë me solemnitet. Sipas Herennius Modestinus, jurist i famshëm romak i shek. III: “Martesa është bashkim i burrit dhe gruas dhe lidhje për gjithë jetën, shoqëri e së drejtës hyjnore dhe njerëzore”. Martesa e së Drejtës Romake konsistonte në lidhjen e dy personave të gjinive të ndryshme me predispozicionin e një lidhjeje bashkëjetese monogame të qëndrueshme. Edhe në përkufizimet më serioze bashkëkohore të martesës, ajo shihet si një lidhje e qëndrueshme dhe jo e përkohshme.
Martesa dhe familja sipas mësimit të krishterë orthodhoks përbën gurin e qoshes për një shoqëri të shëndetshme dhe të suksesshme. Familja kontribuon ekskluzivisht në krijimin e personave të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, të cilët aftësohen të përballen me sfidat e jetës dhe të ecin pandalur drejt perspektivës së Mbretërisë qiellore. Qëndrimi dhe besimi i Kishës Orthodhokse që në krye të herës dhe në vijimësi është se martesa është një Mister i shenjtë i dashurisë, një bashkim dashuror superior dhe i pazgjidhshëm që ka në vetvete dy komponentë si dy shtylla në të cilat mbështetet fuqishëm që janë: dashuria dhe pëlqimi i lirë i një burri dhe një gruaje nga njëra anë, dhe bekimi i Perëndisë nga ana tjetër përmes Misterit (sakramentit) të Martesës në Kishë. Nëpërmjet Martesës së krishterë mundësohet ndihma reciproke që bashkëshortët i japin njëri-tjetrit në përmbushjen e qëllimit final të jetës së tyre që është arritja e “sipas ngjashmërisë” (Zan. 1:26). Pikërisht këtë kishte parasysh edhe shën Joan Gojarti në letrën drejtuar Efesianëve kur e konsideron familjen “një kishë të vogël”. Madje si përgjigje ndaj sfidave të kohës në lidhje me martesën, Sinodi i Shenjtë dhe i Madh i Kishës Orthodhokse në Kretë në vitin 2016 thekson: “Çështja që shtrohet sot në shoqëri është Martesa, e cila është qendra e Familjes dhe Familja justifikon Martesën. Presioni që ushtrohet në botën bashkëkohore, për të pranuar forma të reja bashkëjetese përbën një kërcënim konkret për të krishterët orthodoksë. Kriza e shumëllojshme e institucionit të Martesës dhe e Familjes shqetëson thellë Kishën Orthodhokse jo vetëm për shkak të pasojave negative në strukturën e shoqërisë, por edhe për shkak të kërcënimit ndaj marrëdhënieve të veçanta brenda gjirit të Familjes tradicionale”. Prishja e Institucionit të shenjtë të Martesës prish familjen që është celula e shoqërisë.
Që në gjenezë njeriu u krijua nga Perëndia mashkull dhe femër, që të bashkohen njëri me tjetrin, si dy gjini të ndryshme të shtohen dhe të shumohen e të kenë bekimet e Perëndisë (Zan.1:27-28; Math.19:4). Sa herë që Shkrimi i Shenjtë flet për Martesën i referohet çiftit burrë-grua (Math.19:3-6). Edhe Modestini në shek.III e theksoi “Martesa është bashkim i burrit dhe gruas ..” (.maris et feminae …). Po ashtu në legjislacionin tonë familjar diversiteti i gjinisë përfshihet brenda dispozitës së kushtit të moshës: “Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje .”, që sipas rendit tonë juridik, mosekzistenca e këtij diversiteti e bën një martesë të tillë absolutisht të pavlefshme. Vitet e fundit, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar në mbrojtje të familjes dhe fëmijës si interesi më i madh që duhet mbështetur në shoqërinë shqiptare. Bordi i Presidencës i KNFSH – së, shprehu shqetësimin e tij për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, të cilat bien në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare, dhe në veçanti mbi përkufizimin e termit “gjini” dhe nocioneve të lidhura me të, të cilat krijojnë paqartësi ligjore. Si mbyllje të këtij reflektimi, ia vlen të citojmë Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë, në vitin 2016, ku Kisha i “fton në dashuri bijtë e saj dhe të gjithë njerëzit me dëshirë të mirë që të mbrojnë besnikërinë në shenjtërinë e Familjes”.
Ph.D. (c). Vlash Plepi