Më 16 tetor 2025, në Qendrën Kulturore të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, u zhvillua ceremonia e diplomimit të brezit të 13-të të studentëve të Kolegjit Universitar “Logos”. Në këtë ceremoni mori pjesë Presidenti i Kolegjit Universitar “Logos”, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan; Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Logos”, Hirësi Anastasi; Rektori, Prof. Dr. Ilia Ninka; Administratori, z. Venian (Naum) Mile; Personeli Akademik dhe Administrativ, pjesëmarrës nga institucione të arsimit të lartë, partnerë, prindër e miq të studentëve. Gjatë ceremonisë u mbajtën fjalë nga drejtues të institucionit, studentë, partnerë dhe u dhanë mesazhe nga Alumni-të në lidhje me përparimin e tyre pas përfundimit të studimeve.
Ceremonia kulmoi me Fjalën e Presidentit të Kolegjit Universitar “Logos”, Kryepiskopit Joan, ndarjen e diplomave dhe hedhjen e kapeleve. Studentët u uruan të ecin përpara me guxim, të vazhdojnë të rriten dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie me vlera.