“I Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht! Ai na ka bekuar përmes Krishtit duke na dhënë çdo bekim shpirtëror e qiellor” (Efes. 1:3).
Fortlumturia juaj, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, z. Joan.
Vëllezër Kryepriftërinj, anëtarë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Vëllezër të dashur Kryepriftërinj, priftërinj dhe dhjakonë.
Të nderuar përfaqësues të Komuniteteve Fetare, të pushtetit qendror e lokal; Anëtarë të parlamentit, Ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve.
Të nderuar miq e të ftuar, vëllezër dhe motra në Krishtin,
Sot ndodhem përpara Perëndisë dhe përpara jush me një ndjenjë të papërshkrueshme falënderimi dhe mirënjohjeje. Çdo fronëzim nuk është kurrë akt i thjeshtë njerëzor. Ai është një ngjarje e Kishës, një gur i ri i vendosur në tempullin e gjallë të Trupit të Krishtit. Shën Joan Gojarti na ndërgjegjëson për peshën e madhe të shërbimit tonë, kur kujton se mbi supet e episkopit, rëndon barra e shpirtrave, përgjegjësi e shenjtë që e lidh ngushtësisht me kryqëzimin dhe dashurinë baritore. Ndërsa shën Vasili i Madh, pohon se peshkopi është goja e Krishtit kur mëson dhe dora e Krishtit kur shërben, duke i dhënë formë të dukshme Fjalës dhe Dashurisë hyjnore. Në dritën e këtyre mësimeve, episkopi është thirrur të mbajë ndezur pishtarin e besimit, të mësojë të eturit për të vërtetën, të ngushëllojë të lënduarit dhe të udhëheqë me frymë shërbese, duke u bërë shenjë e gjallë e pranisë së Krishtit në mes të besimtarëve. Ai nuk është udhëheqës sipas logjikës së botës, por bari që jep jetën për delet e tij. Kjo është masa që do të udhëheqë çdo hap timin: Të mos kërkoj lavdinë e kësaj bote, por lavdinë e Krishtit; të mos kërkoj të më shërbejnë, por të shërbej; të mos qëndroj mbi të tjerët, por mes tyre, si njëri prej tyre.
Për të gjitha këto, në këtë moment zemra ime mbushet me përulësi, sepse e di se ky vend që po më besohet nuk është imi, por i Zotit dhe i popullit të Tij. Lavdëroj Trininë e Shenjtë, Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, që në çdo kohë i ka dhënë jetës sime drejtim dhe kuptim. Nuk është e mundur për asnjë njeri të mbajë barrën e episkopit pa Hirin e Perëndisë. Pa Të, njeriu është i dobët; me Të, dobësia shndërrohet në forcë, frika në guxim, kufizimi në mundësi. Sepse: “Hiri im në dobësi plotësohet” – i thotë Zoti Pavlit dhe fjala e tij: “kur jam i dobët, atëherë jam i fortë” është për mua jo thjesht një varg i shenjtë, por përvoja e gjallë e kësaj ore.
Me emocion të thellë shpreh mirënjohjen time ndaj Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, të cilin Perëndia e zgjodhi për të qenë vazhdues i veprës së paraardhësit të tij të ndjerë, ringritësit të madh të Kishës së Shqipërisë, Kryepiskopit të paharruar Anastas. Ai, themeluesi i një epoke të re për Kishën tonë, e ngriti atë nga hiri i shkatërrimit të ateizmit. Me vizion, me vetëmohim, me dashuri dhe me zell të pakufishëm, ai rindërtoi kishat, hapi shkolla, frymëzoi breza klerikësh dhe besimtarësh, krijoi shpresë dhe mbi të gjitha, vendosi themelet e ringritjes kanonike të Kishës sonë, duke e çuar drejt krijimit të Sinodit të Shenjtë, si shprehje e plotësisë së autoqefalisë së saj. Të gjithë jemi dëshmitarë të sa më sipër përmenda, ju nga të parët Fortlumturi dhe unë më i fundit ndër vëllezërit. I fundit deri në fund dhe Perëndia më denjësoi të përjetoj të fundit momente të jetës së tij tokësore. Ajo përvojë dhe këshillat e Tij të vyera do të mbeten të pashlyera në shpirtin tim.
Sot, Fortlumturi, Ju e vijoni këtë vepër me vizion, me dashuri dhe me sakrificë për Kishën. Ju siguroj se do të jem bashkëpunëtor dhe kireneas në këtë vepër, duke mbajtur sa të mundem kryqin e Kishës sonë. Dhe besoj se jo vetëm unë, por edhe të gjithë vëllezërit episkopë të pranishëm këtu, që së bashku përbëjmë Sinodin e Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilët me respekt, përulësi dhe dashuri, gjithashtu i falenderoj për besimin e shprehur ndaj meje dhe propozimit tuaj nëpërmjet votës së tyre të çmuar, kemi të njëjtin qëllim: të bashkëpunojmë, të bashkëveprojmë dhe të mbajmë së bashku kryqin e Krishtit, që Kisha jonë të ndriçojë gjithmonë si dritë e së vërtetës dhe e shpresës. E vijoni veprën e paraardhësit tuaj, pasi shkëlqyet në drejtimin, për më shumë se 27 vjet, e kësaj Mitropolie të Shenjtë. U përkushtuat, u sakrifikuat dhe u bëtë atë i dashur për besimtarët, klerikë e laikë, dhe u bëtë mik dhe një person i dashur edhe për të gjithë popullin. E dorëzoni këtë Mitropoli sot, të lartësuar, të stolisur, të bashkuar, një grigjë e një bari. Kjo është arritja më e madhe “që të jenë Një, sikundër Ne jemi një”. Mitropolia e Korçës ka një vend të nderuar në historinë e Kishës sonë. Korça është quajtur shpesh ‘qyteti i dritës dhe i kulturës’. Këtu u hapën shkolla, këtu u formuan breza të tërë intelektualësh, këtu u lidh kultura me besimin dhe arsimi me shpirtin. Kishat e saj, manastiret e saj, ikonat dhe këngët e saj flasin edhe sot për një trashëgimi të pasur shpirtërore. Ky vend dha martirë si shën Jakovi dhe shën Nikodhimi që i dhanë kurajë dhe shembull popullit gjatë periudhës së pushtimit osman, dha njerëz të thjeshtë që mbajtën gjallë besën, dha burra dhe gra që nuk iu nënshtruan errësirës së ateizmit. Dhe kjo është lavdia e tij më e madhe: Jo ndërtesat e mëdha, jo emrat e famshëm, por shpirtrat e heshtur që ruajtën zjarrin e besës, kur të gjitha dritat e tjera u shuan.
Unë ndjej se hyj sot në një trashëgimi të shenjtë. Vij nga Vlora e shën Elefterit, shën Anthisë, shën Danaksit, shën Nilit, shën Romilit, ku Perëndia më denjësoi të jetoj me njerëz të virtytit dhe lutjes, sakrificës dhe altruizmit, për të cilët nuk isha i denjë, por jam shumë mirënjohës. Kozmai i Apollonisë, ura lidhëse e këtyre dy qyteteve gjatë kohës së përndjekjes komuniste dhe Ignati i Beratit, e rrugës për këtu, rrugë të cilën e përshkrova pa e ditur për ku Perëndia më kishte nisur. Jetova me dy Kryepiskopët e Kishës sonë, të madhin Anastasin e Shqipërisë dhe të urtin, Imzot Joanin. Pra, mos më prisni si të huaj, por si të njohur në Krishtin dhe në këta etër të shenjtë që përmenda. Nuk jam këtu për të filluar nga e para, por për të vazhduar një histori që ka rrënjë të thella. Jam këtu për të shkruar një kapitull të ri në librin e gjatë të besimit dhe të dashurisë që kjo Mitropoli ka shkruar ndër shekuj. Sot, sfidat janë të tjera, nuk kemi përndjekje të hapura, por forma të fshehta të tyre: shpërfillje, relativizëm, materializëm. Njeriu shpesh është i humbur mes shumë zërash dhe mes shumë tundimesh. Të rinjtë shpesh nuk gjejnë kuptim në jetën e përditshme. Këtu hyn misioni i Kishës: të jetë dritë, të jetë rrugë. Detyra jonë nuk është të dënojmë, por të ndriçojmë; jo të përjashtojmë, por të përqafojmë; jo të gjykojmë, por të udhëheqim. Kisha duhet të jetë si një spital shpirtëror, ku të gjithë të gjejnë shërim, si një shtëpi ku të gjithë të gjejnë ngrohtësi, si një shkollë ku të gjithë të mësojnë të vërtetën.
Popull besëmirë dhe i dashur i Mitropolisë së Korçës, ju siguroj se nuk vij mes jush si i huaj, por si vëlla. Dëshira ime është që bashkë të njihemi më thellë. Kjo njohje nuk është një kuriozitet njerëzor; ajo është një thirrje shpirtërore, që kthehet në marrëdhënie, marrëdhënie që kthehet në bashkëjetesë, dhe bashkëjetesa në përjetim të Krishtit. Pa Krishtin, çdo marrëdhënie është e brishtë, çdo bashkim është i përkohshëm, çdo vëllazëri është e pamjaftueshme. Me Krishtin, i panjohuri bëhet vëlla, i largëti bëhet i afërt, i huaji bëhet pjesë i të njëjtit trup. Apostull Pavli na kujton: “Sepse ne të gjithë, u pagëzuam në të njëjtën Frymë, për të qenë një trup” (1 Kor. 12:13). Në këtë trup, që është Kisha, nuk ka më ndarje, por një unitet të thellë që buron nga Kryet e saj, Krishti.
Shën Joan Gojarti thotë se Kisha është bashkësi dashurie dhe shpëtimi, ku askush nuk jeton për veten, por për tjetrin, sepse të gjithë jetojmë për Krishtin. Kjo do të thotë se unë, si bari i ri mes jush, nuk mund t’ju njoh vërtet, nëse nuk ju shoh të bashkuar me Krishtin; dhe ju nuk mund të më njihni mua përtej emrit dhe figurës, nëse nuk e shihni në mua shërbesën e Krishtit. Pra, njohja jonë duhet të ndodhë jo në nivel njerëzor, por në përvojën e përbashkët të Fjalës dhe të Mistereve të Shenjta. Aty, në Kungimin e Shenjtë, aty, ku Krishti bëhet buka e jetës sonë, ne njohim njëri-tjetrin jo si individë të ndarë, por si anëtarë të një Trupi të vetëm, të një Familjeje të Shenjtë.
Etër të dashur, bashkëpunëtorët e mi më të afërt në vreshtin e Zotit,
Ju jeni zëri i përditshëm i Kishës, prania e saj e gjallë në çdo lagje, në çdo fshat e në çdo shtëpi. Përmes jush, fjala e Ungjillit predikohet, Misteret kryhen dhe populli i Perëndisë ushqehet me Hirin e Shenjtë. Ju jeni duart me të cilat Krishti bekon, buzëqeshja me të cilën Kisha ngushëllon, dhe zemra me të cilën Bariu i Mirë i mbledh delet e Tij. Pa ju, çdo fjalë imja do të ishte pa jehonë, çdo përpjekje pa fryt. Ju jam mirënjohës për gjithçka keni bërë deri më sot, shpesh në kushte të vështira dhe me sakrifica të heshtura. Unë ju premtoj se do të jem gjithmonë pranë jush, me dashuri, me respekt dhe me lutje. Sepse peshkopi mbi të gjitha është vëlla dhe shërbëtor mes shërbëtorëve. Nuk jemi thjesht bashkëpunëtorë, por bashkëvëllezër në Krishtin, të lidhur nga një përgjegjësi e madhe dhe nga një dashuri që buron nga e njëjta Frymë e Shenjtë.
Katekistë të dashur të Mitropolisë sonë, mësues të fjalës së jetës dhe shpërndarës të mesazhit të Ungjillit, ju jeni ura midis Kishës dhe brezave të rinj, zëri që depërton në ndërgjegjen e fëmijëve, të të rinjve dhe familjeve. Përmes jush, Ungjilli hyn në shtëpi e në zemra, duke ndriçuar mendjet dhe duke formuar jetë të reja në Krishtin. Një shprehje e njohur thotë se të mësosh është një art më i madh se të sundosh, dhe ai që mëson Ungjillin, vendos themele për përjetësinë. Ky është misioni juaj i shenjtë.
Shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që, me përkushtim dhe dashuri, mbajnë gjallë jetën e Kishës sonë: Anëtarët e këshillave kishtare dhe epitropët që kujdesen për çdo nevojë të shenjtërores; ata që vullnetarisht japin kontributin e tyre, që me gëzim e zell i japin jetë çdo veprimtarie kishtare; gratë e përkushtuara që shërbejnë në mensën tonë dhe jo vetëm, duke bërë të pranishëm Krishtin te më të vegjlit e Tij, sepse “atë që ia bëtë njërit prej këtyre më të vegjëlve, Mua ma bëtë” (Mt. 25:40). Ju të gjithë, me punën tuaj të përditshme, të heshtur e të palodhur, jeni dora dhe zemra e Kishës sonë, jeni dëshmia e gjallë se besimi nuk është vetëm fjalë, por shndërrohet në dashuri konkrete, në shërbim të vëllezërve e motrave.
Të dashur bashkëpunëtorë në Krishtin, detyra jonë e përbashkët është ungjillëzimi i popullit të Perëndisë. Ky është qëllimi i shërbesës sonë: përhapja e Lajmit të Mirë, e lajmit të vetëm që jep kuptim dhe shpresë të vërtetë – Jisu Krishti, i kryqëzuar dhe i ngjallur. Nuk ka tjetër shpresë për njeriun përveç Krishtit; nuk ka tjetër dritë që ndriçon botën përveç Ungjillit të Tij. Siç thotë Apostulli i kombeve: “Ne predikojmë Krishtin të kiyqëzuar… fuqinë e Perëndisë dhe urtësinë e Perëndisë” (1 Kor. 1:23-24). Ky është thesari që na është besuar, dhe që duhet të shpërndahet, jo të ruhet i fshehur, sepse Ungjilli nuk është një e vërtetë e mbyllur në libra, por një jetë që kërkon të ndahet. Dhe shën Joan Gojarti na kujton se nëse jeta jonë nuk është e denjë për mësimin tonë, atëherë fjalët tona bien në tokë të thatë. Prandaj të gjithë jemi thirrur të bëhemi jo thjesht përçues të një mesazhi, por dëshmitarë të gjallë të tij. E lus Zotin që misioni dhe puna jonë e përbashkët të jetë si fara e vogël që, duke rënë në tokë të mirë, jep fryt të bollshëm: tridhjetë, gjashtëdhjetë dhe njëqindfish (Mt. 13:8). Dhe kjo frymë të mos shuhet kurrë, por të rritet përherë dhe Korça jonë e bekuar të jetë një qytet i ndriçuar nga drita e Ungjillit, një qytet i dashurisë, i shpresës dhe i bashkimit në Krishtin.
Në këtë moment të shenjtë ju drejtohem posaçërisht juve, të rinjve të dashur. Ju jeni shpresa dhe gëzimi i Kishës. Nuk jeni thjesht e ardhmja e saj, por jeni edhe e tashmja e saj e gjallë. Pa ju, Kisha nuk mund të ketë jetë të plotë, sepse ju sillni freskinë, guximin dhe ëndrrat që e bëjnë Kishën të rinovohet vazhdimisht në Frymën e Shenjtë. Ju ftoj të mos e shihni Kishën si një institucion të largët, të ftohtë, apo të huaj, por si shtëpinë tuaj. Është vendi ku gjeni miqësi të pastër, ku gjeni kuptim, ku ndjeni se jeni të pranuar dhe të dashur. Kisha është trupi i gjallë i Krishtit dhe secili prej jush ka një vend unik, një dhuratë dhe një thirrje të veçantë që askush tjetër nuk mund ta zëvendësojë. Shpesh të rinjtë kërkojnë identitet në gjëra që shuhen shpejt: në modë që ndryshon, në teknologji që vjetërohet, në kënaqësi të çastit që lënë zbrazëti. Por identiteti i vërtetë gjendet te Krishti, sepse vetëm Ai është “dje, sot e përgjithmonë i njëjti” (Heb. 13:8). Ai ju njeh me emër, Ai ju do pa kushte, Ai ju thërret të jeni “drita e botës” dhe “kripa e tokës” (Mt. 5:13-14).
Mos e gjykoni Kishën për çdo dobësi njerëzore apo gabim të dikujt që është pjesë e saj. Sepse Kisha nuk është bashkësi e të përsosurve, por bashkësi e atyre që ecin drejt përsosjes në Krishtin. Ajo është spitali shpirtëror ku çdo plagë shërohet, dhe askush nuk hyn në të pa ndjerë nevojën për mëshirën dhe hirin e Perëndisë. Siç thotë Apostull Pavli: “Por ne i mbajmë këto thesare brenda vetes si në enë balte, që të duket qartë se kjo fuqi madhështore vjen prej Perëndisë e jo prej nesh” (2 Kor. 4:7). Edhe unë, si bari mes jush, dua të eci me ju, të ndaj ëndrrat dhe shqetësimet tuaja, të dëgjoj zërin tuaj dhe të mbështes përpjekjet tuaja. Kisha është shtëpia juaj, vendi ku të gjithë mund të rritemi në dashuri, në besim dhe në shpresë. Le të ndërtojmë së bashku një komunitet Krisht-qendror, sepse vetëm në Të gjejmë kuptimin e jetës dhe lumturinë e vërtetë.
Nderoj me respekt autoritetet e vendit dhe çdo shërbyes publik që mban mbi supe përgjegjësinë e rëndë për të mirën e përbashkët. Kisha dhe pushteti tokësor nuk janë kundërshtarë, por dy shërbesa që, megjithëse të ndryshme në natyrë, i shërbejnë të njëjtit popull. Secila prej tyre ka rolin e vet: Shteti është thirrur të ruajë drejtësinë, paqen dhe rendin e shoqërisë, të krijojë kushtet që çdo qytetar të jetojë me dinjitet dhe siguri; Kisha është thirrur të udhëheqë shpirtin drejt së vërtetës, të mbushë jetën me kuptim dhe të ushqejë dashurinë që vjen nga Krishti. Kisha nuk kërkon pushtet tokësor, sepse fuqia e saj buron nga Kryqi i Krishtit dhe nga Ungjilli që ringjall zemrat. Nuk kërkon pasuri, sepse thesari i saj është dashuria e Zotit që nuk mbaron kurrë. Ajo është thirrur të dëshmojë të vërtetën, të japë shpresë dhe të kujdeset për shpirtin e njeriut. Dhe kur këto dy forca bashkëpunojnë, populli gjen jo vetëm paqen e jashtme, por edhe qetësinë e brendshme; jo vetëm drejtësinë e ligjeve, por edhe drejtësinë e ndërgjegjes. Së bashku mund të mbështesim arsimin, duke e pajisur rininë jo vetëm me dije, por edhe me vlera; të kujdesemi për të varfërit dhe të braktisurit, duke qenë pranë atyre që vuajnë; të ngremë ura solidariteti dhe mirëkuptimi mes njerëzve. Sepse i njëjti popull që i është besuar Kishës i është besuar edhe shtetit, dhe secili prej nesh, sipas dhuratës që ka marrë prej Zotit, është thirrur t’i shërbejë atij. Le të ecim, pra, së bashku, Kisha dhe pushteti tokësor, të bashkuar në dashuri për popullin tonë, duke qenë shërbëtorë të së mirës, dëshmitarë të së vërtetës dhe mbjellës të paqes.
Dhe tani dëshiroj t’ju drejtohem miqve, bashkëpunëtorëve dhe të ftuarve të ardhur nga e gjithë Shqipëria, por edhe me tej, nga Mitropolitë fqinje të Kishës së Greqisë.
Kryepriftërinj të shenjtë, klerikë dhe laikë të respektuar, sot zemra ime është plot mirënjohje për secilin prej jush që ka marrë mundimin të udhëtojë nga larg për të qenë pranë nesh në këtë ditë historike. Prania juaj nuk është thjesht një gjest formal, por një shenjë dashurie, respekti dhe bashkëpjesëmarrjeje shpirtërore. Çdo hap që keni bërë për të ardhur këtu, çdo lodhje udhëtimi, çdo orë e kaluar për të mbërritur në këtë qytet të bekuar, është për mua dhe për këtë Mitropoli një dhuratë e çmuar që do të mbetet në kujtesën tonë. Kjo ditë nuk i përket vetëm një personi, as vetëm një qyteti apo kishe vendore. Ajo është ditë e gëzimit të përbashkët, që na bashkon në një trup e në një frymë, ashtu siç Apostulli na kujton se jemi një trup në Krishtin, edhe pse shumë gjymtyrë. Prania juaj është një dëshmi e gjallë e unitetit të Kishës, e dashurisë që kapërcen kufijtë gjeografikë e gjuhësorë, dhe e thirrjes së përjetshme që të jemi “një zemër e një shpirt” në shërbim të Ungjillit. Lutem që gëzimi i kësaj dite të mbetet në zemrat tona dhe të bëhet frymëzim për rrugëtimin tonë të përbashkët drejt dritës së Krishtit, që është udha, e vërteta dhe jeta.
Fortlumturia juaj, vëllezër të shenjtë Kryepriftërinj, të nderuar miq e të ftuar, vëllezër dhe motra në Krishtin,
Në këtë ditë të shenjtë, zemra ime ngrihet në lutje e falënderim, duke kujtuar fjalët e Apostull Pavlit: “Të gjitha i kam të mundura, me anë të Krishtit që më jep forcë” (Filipianëve 4:13). Me këtë besim, ia dorëzoj jetën dhe shërbesën time Zotit dhe le veten në duart e Tij të shenjta. Ju lutem, mbështeteni me lutjet tuaja këtë shërbim timin të ri, sepse pa lutjet e popullit të Perëndisë, çdo peshkop është i dobët. Ju ftoj të gjithëve, si një trup i gjallë dhe bashkësi e dashurisë, që së bashku të ecim në këtë udhë të bekuar, të bëhemi një zemër dhe një shpirt në Krishtin, duke e kthyer çdo ditë të jetës sonë në një ofertë dashurie, shërbimi dhe falënderimi.
E mbyll po me fjalët e Apostull Pavlit: “Atij që ka fuqi t’ju forcojë… të vetmit Perëndi të Urtë, përmes Jisu Krishtit, i qoftë lavdia në shekuj të shekujve” (Rom. 16:25-27). Hiri i Zotit tonë, Jisu Krishtit, dhe dashuria e Perëndisë dhe Atit dhe pjesëmarrja e Shpirtit të Shenjtë qoftë me ju të gjithë. Amin.