Fortlumturi, Atë dhe Kryebari i Shenjtë i Kishës së Shenjtë të Shqipërisë, z. Joan,
Hirësia juaj, Mitropoliti i Rodostolit dhe jerondi im i nderuar z. Kristosom dhe Kori i respektuar i Hierarkëve
E nderuara Ministre e Arsimit, znj. Kumbaro;
Të nderuar vëllezër Kryepriftërinj,
Të dashur Priftërinj, Dhjakonë, Murgj,
I nderuar Zoti Kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës; Të nderuar Zotërinj, Kryetarë të Bashkive të Dropullit, Sarandës, Delvinës, Himarës, Përmetit, Këlcyrës, dhe Finiqit,
I nderuar Zoti Prefekt; Të nderuar Zotërinj Deputetë; Përfaqësues të Autoriteteve Politike dhe Arsimore; Popull i bekuar dhe fisnik i Mitropolisë së Gjirokastrës,
Ndjenja të thella emocioni mbushin zemrën time për të gjitha ato që kryhen sot, me vullnetin dhe mirësinë dhe hirin e Perëndisë. Lavdi dhe falënderime i dërgoj Perëndisë së Gjithëmirë, sepse me mëshirën e Tij të pafund shikoi përulësinë time dhe më ngriti Mitropolit dhe Bari të Mitropolisë së Shenjtë dhe Historike të Gjirokastrës. Me zemër të përulur dhe me shpirt të mbushur me mirënjohje, qëndroj sot para jush, jo si i panjohur, por si një shërbëtor i Zotit, miku dhe vëllai juaj, që ka ndarë me ju gëzimet dhe sprovat e udhës sonë të përbashkët. Marrja e kësaj Mitropolie nuk është për mua një fillim, por një vazhdim i një thirrjeje që ka lindur në heshtjen e lutjes, është rritur në përvojën e shërbesës, dhe sot merr një formë të re në këtë bashkësi të shenjtë. Nuk vij si zotërues, por si Bari. Nuk vij si udhëheqës, por si shërbëtor. Nuk vij me fjalë të mëdha, por me dëshirën e thellë për të dëgjuar, për të ndihmuar, për të ndërtuar së bashku një Kishë që frymon me dashurinë e Krishtit dhe me urtësinë e Etërve tanë. Kam shërbyer në këtë vend dhe në këtë Mitropoli të Shenjtë si prift për njëzet vjet radhazi. Gjatë viteve të shërbesës sime, kam pasur nderin të prek zemrat e njerëzve, të dëgjoj rrëfimet e tyre, të ndaj dhimbjet dhe shpresat, të udhëheq me dorën e butë të Ungjillit. Kam parë fytyra të lodhura që rigjallërohen në dritën e Mistereve të Shenjta, kam dëgjuar fëmijë që mësojnë të thonë ‘Ati ynë…’ me zë të pastër, kam ndjerë fuqinë e bashkësisë, kur lutemi si një trup i vetëm. Kjo përvojë më mësoi se çdo dioqezë nuk është një territor, por një familje. Një familje që ka nevojë për drejtim, por edhe për ngrohtësi; për disiplinë, por edhe për mëshirë; për traditë, por edhe për frymëzim të ri.
Siç na kujton Shën Joan Gojarti: “Kisha nuk është teatër ku shkohet për të dëgjuar fjalë të bukura, por është spital ku shkohet për të shëruar shpirtin”. Dhe në këtë frymë, shërbesa nuk është një detyrë, por një përkushtim i përditshëm ndaj së vërtetës që nuk ndryshon, ndaj dashurisë që nuk lodhet, ndaj shpresës që nuk shuhet.
Gjirokastra nuk është thjesht një qytet i bukur me gurë dhe kala, por një vend i shenjtë ku historia dhe besimi janë të ndërthurura. Këtu Kisha jonë jetoi përndjekje, por edhe ringjallje, u shpëtua dhe dha fruta. Kjo Mitropoli është e pasur jo vetëm në histori, por edhe në shenjtëri të gjallë. Ka shumë manastire dhe kisha, të reja dhe të vjetra, që dëshmojnë ringjalljen e besimit pas dekadave të heshtjes. Në këtë tokë të bekuar ka kaluar edhe Shën Kozmai i Etolisë, një shenjtor i dashur për popullin tonë, që me fjalën e tij të thjeshtë dhe të fuqishme mbolli farën e Ungjillit në zemrat e njerëzve. Prania e tij në këto troje është kujtesë e gjallë se misioni ynë nuk është i ri, por i rrënjosur në përkushtimin e shenjtorëve që kanë ecur para nesh. Kjo është pasuria e vërtetë e Mitropolisë: një trashëgimi që nuk jeton në gurë, por në zemrat e njerëzve; një besim që nuk është thjesht kujtim, por frymë që ndriçon të sotmen; një Kishë që nuk është thjesht institucion, por trup i gjallë i Krishtit, që ecën me ne, lutet me ne dhe na udhëheq drejt dritës së Tij.
E pranoj këtë thirrje jo si privilegj, por si barrë të dashurisë. Do të përpiqem të jem i pranishëm, i ndjeshëm, i drejtë. Do të dëgjoj zërin e të rinjve, e të moshuarve, e të varfërve dhe zërin e të harruarve. Do të mbroj të vërtetën, por pa e kthyer atë në gur për të goditur. Do të ruaj traditën, por pa e mbyllur në muze. Do të udhëheq, por gjithmonë me Krishtin si udhërrëfyes.
Shën Grigori Theologu na kujton se theologjia nuk është fjalë, por jetë e shenjtëruar, e cila nuk është privilegj i të paktëve, por thirrje për të gjithë ne.
Në çdo hap të Kishës është Shpirti i Shenjtë që na udhëheq. Ai nuk është thjesht një koncept, por një prani e gjallë që rigjeneron, ndriçon dhe bashkon. Shën Vasili i Madh thotë se Shpirti i Shenjtë është dritë për mendjen, ngrohtësi për zemrën dhe udhë për shpirtin. Prandaj, lutem që Shpirti i Shenjtë të fryjë ku të dojë dhe të na udhëheqë në çdo hap. Le të jetë kjo dioqezë një kopësht shpirtëror, ku çdo shpirt të lulëzojë në dritën e Krishtit. Le të jetë një vend, ku fjala e Ungjillit të mos jetë thjesht e dëgjuar, por e jetuar.
Nuk mund ta përmbush këtë thirrje pa ju. Kisha nuk është një njeri, por një trup. Ju ftoj të gjithëve: klerikë dhe laikë, të bashkohemi në një frymë të re shërbese. Të ndërtojmë ura, jo mure. Kjo thirrje, siç ka theksuar i paharruari Kryepiskopi Anastas, është themel i misionit tonë. Të flasim me njëri-tjetrin, jo për njëri-tjetrin. Të jemi të vërtetë, jo në dukje të përsosur, sepse Krishti nuk kërkon përsosmëri, por përkushtim. Të rinjtë tanë kanë nevojë për udhëzim, jo për qortim. Familjet kanë nevojë për mbështetje, jo për gjykim. Shoqëria jonë ka nevojë për dritë, jo për zhurmë. Le të jemi dritë. Le të jemi kripë. Le të jemi të krishterë. Vepër e madhe dhe e vështirë fillon sot për mua. Pohoj dobësinë time, por pohoj edhe besimin në mëshirën e Perëndisë. Jam i bindur se Hiri Hyjnor do të plotësojë mungesat e mia. Kërkoj ndërmjetimet e së Tërëshenjtës Hyjlindëse, të atit tonë ndër shenjtorë Sofiano, Mitropolitit të Drinopolit dhe Gjirokastrës dhe mbrojtësit të këtij qyteti, të shenjtorëve martirë që u martirizuan në Butrint, Therini, Donati, Danaksi, Mesiri, të oshënar Nifonit nga Lukova, Kafsokalivitit, të shenjtit hieromartir Kozma Etolosit, të dëshmorit të ri të shenjtë Kristo Kopshtarit nga Përmeti, të oshënar Gjerasimit Mikrajananitit me origjinë nga Droviani dhe shenjtorëve të tjerë të Mitropolisë sonë.
Kërkoj mbështetjen dhe lutjet tuaja, Fortlumturi, si edhe të vëllezërve të mi të nderuar Kryepriftërinj. Kërkoj uratat e jerondit tim të nderuar, Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Rodostolit, z. Krisostom, i cili erdhi nga Mali i Shenjtë për të marrë pjesë në gëzimin e birit të tij shpirtëror.
Kërkoj bekimet e prindërve të mi të paharruar, Vasilit dhe Fotinisë, të cilët nga qielli ku ndodhen gëzohen dhe luten.
Çfarë t’i kthej Zotit për të gjitha ato që më ka dhënë?
Mirënjohje pafund dhe lavdërim Perëndisë Triadik që më denjësoi për këtë nder dhe hir. Fortlumturi, ju falënderoj për lutjen dhe mbështetjen tuaj. Ju falënderoj vëllezër të nderuar Kryepriftërinj të Sinodit tonë të Shenjtë, që më nderuat me votën tuaj të çmuar dhe më zgjodhët Mitropolit të kësaj Mitropolie të Shenjtë.
Falënderoj nga thellësia e zemrës jerondin tim të nderuar, Mitropolitin e Rodostolit, z. Krisostomi i cili më qëndroi pranë si edukator në Krishtin dhe kultivoi tek unë zellin misionar, dhe nga i cili kam marrë qethjen murgërore dhe hirotonisjen në dhjak dhe prift. Falënderoj Mitropolitët shumë të nderuar që kanë ardhur nga Greqia dhe më nderojnë me praninë e tyre.
Falënderoj motrën time, Sofian dhe familjen e saj, të afërmit e mi dhe bashkëvendasit që janë këtu në këtë kohë dhe po gëzohen shumë. Shpreh mirënjohjen time të pafund ndaj të paharruarit Kryepiskopit Anastas nga i cili mora Kryepriftërinë. Besoj fort se shpirtërisht ndodhet mes nesh dhe gëzohet, lutet nga qielli për bijtë e tij shpirtërorë. Tre muaj para se të ndërronte jetë më shprehu dëshirën e tij që të merrja Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës. Paça bekimin dhe ndërmjetimet e tij te Zoti. Perëndia ta prehtë shpirtin e tij!
Shpreh falënderimet e mia edhe ndaj Mitropolitëve të paharruar, Ignatit dhe Dhimitrit, i cili gjithashtu dëshironte të isha pasardhësi i tij në këtë Mitropoli. Perëndia i prehtë shpirtrat e tyre në tendat e të drejtëve, paça bekimet e tyre.
Të dashur vëllezër dhe motra,
Ju falënderoj me gjithë zemër. Lutuni për mua që hiri i Perëndisë, me ndërmjetimet e Hyjlindëses së Tërëshenjtë, të ruajë zemrën time në çdo vepër të mirë, të më ndriçojë, të më mbështesë, të më forcojë në këtë shërbesën time të re. Lutem që Zoti të më japë urtësinë e Solomonit, durimin e Jobit, dashurinë e shën Joan Gojartit. Lutem të mos më mjaftojë kurrë vetja, por të kërkoj gjithmonë hirin e Tij. Lutem që kjo dioqezë të jetë një kopsht i gjallë, ku çdo shpirt të gjejë strehë, çdo lutje të ngjitet si temjan, çdo veprim të jetë pasqyrim i dashurisë së Zotit.
Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht dhe dashuria e Perëndisë dhe Atit dhe pjesëmarrja e Shpirtit të Shenjtë qoftë me ne të gjithë. Amin.