Hirësia e tij, Mitropoliti i Korçës, z. Anastas (Mamaj), lindi në Vlorë, në vitin 1979. Ai kreu studimet në Departamentin e Gjuhës Greke në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Athinës (1999), u diplomua në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, në degën Administrim Biznes (MSc) (2001-2005). Më vonë ndoqi studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” (2017) dhe në Departamentin e Theologjisë dhe Kulturës në Kolegjin Universitar “LOGOS”, ku mori diplomë (BSc) në Studime Teologjike Sociale dhe Shkenca Fetare (2023).
Në vitet 2005-2009 ka mbajtur poste me rëndësi në Bankën Italo-Shqiptare dhe në vitet 2009-2017 kishte poste drejtuese në Union Bank. Në vitet 2006-2014 ishte anëtar i Këshillit Kleriko-Laik të Kishës sonë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mitropolitit të ndjerë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësi Ignatit.
U hirotonis dhjakon më 22 janar 2018 nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i ndjerë Anastas, u hirotonis prift më 20 tetor 2019 dhe mori titullin e Arkimandrit më 9 gusht 2020.
Nga viti 2017 kontribuon në administrimin e pasurisë kishtare dhe aktiviteteve ekonomike të Kishës sonë. Është Drejtor Ekzekutiv i Universitetit “LOGOS”, përfaqësues i Kryepiskopit në Këshillin Ekzekutiv dhe anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”. Është këshilltar në Institucionin Arsimor “Fryma e Dashurisë” dhe nga data 3 dhjetor 2024 shërbente si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës.