7 shtatori i vitit 2025 shënoi fillimin e vitit të ri shkollor. Pas Liturgjisë Hyjnore në të gjitha kishat e vendit u bë lutja për bekimin e fëmijëve.
Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, Kryepiskopi Joan në njoftimin e tij për bekimin e fëmijëve theksoi: “Tani do të bëjmë bekimin për fëmijët që fillojnë shkollën, sepse ne besojmë që vetëm me hirin e Perëndisë mund të arrijmë në dituri. Etërit e Kishës thoshin këto fjalë: ‘Shkollo njerëz pa Zotin, që do të thotë shkollo njerëz pa vlera dhe do të krijoni demonë’. Sepse çfarë është demoni? Njeri shumë i shkolluar, që di shumë, shumë i mençur, shumë i shkathët, por nuk ka vlerat që vijnë nga mësimi i Zotit. Prandaj i lutemi Perëndisë që t’u ndriçojë mendjet dhe t’u pastrojë zemrat. Lutemi edhe që bekimi i Perëndisë të jetë vazhdimisht me fëmijët gjatë gjithë jetës së tyre. Amin.
Lutja për bekimin e fëmijëve
“O Zot, Perëndia ynë, Dritë që banon në vend të paafrueshëm, burimi i urtësisë dhe i dijes, që i mësove Solomonit dituri dhe nëpërmjet ardhjes që lartazi të Shpirtit të Tërëshenjtë, i tregove peshkatarët predikues të Ungjillit, mësues dhe apostuj. Ti, o Zot, që the të ndriçojë drita në errësirë, ndriço zemrat e mësuesve dhe të nxënësve, të ndodhur këtu, me njohjen e së vërtetës sate dhe me dritën tënde të patreguar. Jepu këtyre frymë diturie, frymë mençurie, ndriço sytë e shpirtit të tyre, që të shikojnë dhe të bëjnë vullnetin tënd. Bëji këta bij drite, që të japin fryte dhe të rriten në çdo vepër të mirë, nëpërmjet urtësisë së ardhur që lartazi. Me ndërmjetimet e Nënës sate të pacenuar dhe gjithmonëvirgjëreshës Mari, me fuqinë e Kryqit jetëbërës, me mbrojtjet e Fuqive Qiellore të çmuara dhe të patrup, me lutjet e të nderuarit, të lavdëruarit profetit, pararendësit dhe pagëzorit Joan, të hierarkëve të shenjtë, të lavdëruar, mësuesve të mëdhenj ekumenikë, Vasilit të Madh, Grigor Theologut dhe Joan Gojartit dhe të gjithë shenjtorëve të tu. Amin”.