EmailFacebookKontakt

Fillimi i Vitit të Ri Kishtar

Më 1 shtator, Kisha feston fillimin e Indiktit – nga fjala latine “indictio”, që do të thotë përkufizim i një periudhe kohore – domethënë, përcakton fillimin e Vitit Kishtar. Tri shkaqe përcaktuan këtë epokë si fillim të cikli kohor:

a) Mbledhja vjetore e taksave që vendosën perandorët romakë për mirëmbajtjen e ushtrisë. Pra, çdo pesëmbëdhjetë vjet, perandorët romakë lëshonin një taksë të re për të ruajtur mbrojtjen ushtarake. Kjo periudhë kohore ishte edhe periudha e rekrutimit të ushtarëve romakë. Indikti i parë global u bë në vitin 312 pas Krishtit, nga Perandori Konstandini i Madh.

b) Kremtimi i Borive, ku judenjtë i ofronin flijime Perëndinë për pjellorinë e tokës dhe si përkujtim të hyrjes së tyre në Tokën e Premtuar.

c) Kujtimi i hyrjes së Jisuit në Sinagogën e Judenjve të Nazaretit dhe leximi i fragmentit nga libri i Profetit Isaia (61:1-2).

Traditat dhe zakonet biblike të Kishës, në lidhje me Vitin e Ri Kishtar, vazhdojnë të nderohen, veçanërisht nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës.

Çdo vit, më 1 shtator, Sinodi i Shenjtë, me në krye Patriarkun Ekumenik, mblidhen në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit, në Fanar, për të kryer Liturgjinë Hyjnore, t’i falen ikonës të Hyjlindëses së Tërëlumur dhe të shpallin vitin e ri. Gjithashtu, nënshkruajnë Tomosin Patriarkal e Sinodal për Indiktin, një praktikë e lashtë që daton që nga koha e Konstandinit të Madh.

Shtatori është, gjithashtu, koha kur mblidhen të korrat dhe prodhimet. Fara e re mbillet më pas për të prodhuar të korrat e ardhshme. Pra, kjo është ditë feste, pasi përurojmë vitin e ri kishtar. Falënderojmë Zotin për bollëkun e fryteve të tokës dhe lutemi për të korrat e reja që do të mbillen.

Gjithashtu, në këtë ditë ka nisur iniciativa për të përkujtuar mbrojtjen e mjedisit nga Shenjtëria e Tij Patriarku Ekumenik, Bartholomeu. Lidhja midis këtij nderimi dhe referimit tonë për Festën u vendos në vitin 1989 në një enciklikë nga Patriarku Ekumenik Dhimitër I, në të cilën ai u bëri thirrje “të gjithë besimtarëve në botë të nderojnë dhe të mbrojnë mjedisin dhe t’ua këshillojnë edhe fëmijëve të tyre”. “Të gjithë ata, të cilëve u është ngarkuar përgjegjësia e qeverisjes së kombeve, të veprojnë pa vonesë në marrjen e të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e krijimit natyror” (Protokoll nr. 629). Që atëherë, Dita për Mbrojtjen e mjedisit është adoptuar nga të gjitha Kishat Orthodhokse, ndërsa shumë kisha të tjera të krishtera ndjekin shembullin e Kishës sonë, duke adoptuar 1 Shtatorin si Ditë Botërore të Lutjes për Kujdesin e Krijimit.

Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës, Kolegji Universitar “Logos”