Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, më 26 shtator 2025, u kremtua dita e jetëndërrimit të Apostullit të shenjtë, Joan, emrin e të cilit mban Kryepiskopi ynë.
Adhurimi hyjnor u drejtua nga Kryepiskopi Joan, në bashkëmeshim me të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, klerikë të shumtë dhe qindra besimtarë nga të gjitha Mitropolitë e vendit.
Ky kremtim i ftoi pjesëmarrësit në përjetimin e mësimit të shën Ignat Hyjmbajtësit “… të jeni të lidhur ngushtë me episkopin, ashtu si Kisha me Jisu Krishtin dhe ashtu si Jisu Krishti me Atin, që gjithçka të jetë e bashkuar në harmoni”.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla, në emër të të gjithë klerikëve, popullit besimtar të Kishës sonë dhe të Sinodit të Shenjtë, në urimin drejtuar Kryepiskopit, ndër të tjera, u shpreh: “…E falënderojmë për gjithë shërbesën më tepër se 30-vjeçare që ka kryer në Kishën tonë. E falënderojmë që, në ato vite të vështira të cilat kaloi Kisha jonë, ka qenë mbështetje e të ndjerit Kryepiskopit Anastas, por dhe një mbështetje e sigurt për të gjithë Kishën tonë. E falënderojmë që, gjithë këto vite, ka qenë për të gjithë ne një shembull i vyer, si një mësues i urtë, si një atë i dashur, si një kryeprift i shenjtë. E falënderojmë që, në momentet e vështira të cilat kaloi Kisha jonë përpara disa muajsh, pranoi të mbajë mbi supet e tij barrën e vështirë të kryepriftit, të kryebariut tonë. E falënderojmë që, me gjithë urtësinë e tij, ka shërbyer me shumë sakrifica, dhe me shumë mund në këto vite në Kishën tonë, por edhe në këto muaj të vështirë të tranzicionit që kaloi Kisha jonë, pas humbjes së 3 klerikëve të vyer të saj, dëshmon që e ka udhëhequr Kishën tonë me shumë urtësi. E falënderojmë dhe i urojmë vite të shumta dhe të bekuara. Hiri i Shpirtit të Shenjtë t’i japë urtësi, ta fuqizojë dhe ta përmbushë deri në fund shërbesën të cilën Krishti i ka dhënë.
Për shumë vjet, o Kryezot! Vite të shumta e të bekuara dhe me shëndet”!
Kremtimi i kësaj dite vazhdoi në Sallën e Pritjes së Qendrës Sinodike, ku u organizua pritje festive, në të cilën klerikë, besimtarë të shumtë, të rinj, fëmijë, si dhe personalitete të jetës publike e diplomatike në vend, uruan Kryebariun e Kishës sonë. Mes tyre uruan edhe deputetë, akademikë dhe studiues të fushave të ndryshme.
Kryebariu ynë mori letra të shumta urimi nga primatë të Kishave Orthodhokse simotra: Nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, Bartholomeu, nga Patriarku i Rusisë, Kirili, nga Patriarku i Jerusalemit, Theofili III, nga Patriarku i Rumanisë, Danieli, nga Kryepiskopi i Greqisë, Jeronimi II dhe nga Shenjtëria e Tij, Papa Leoni XIV. Në këto urime theksohej vlerësimi i madh dhe lidhjet vëllazërore që gëzon Kryepiskopi Joan në mbarë botën orthodhokse dhe përtej saj.