EmailFacebookKontakt

Mikpritje për grupet vizitore

Një grup të rinjsh, drejtues të Zyrës Rinore dhe disa klerikë të drejtuar nga Mitropoliti i Katerinit, Gjergji, më 17-21 gusht 2025, zhvilluan një pelegrinazh në Shqipëri, ku vizituan kishat dhe manastiret në Korçë, Tiranë, Durrës, Fier, Gjirokastër dhe Sarandë.

Gjatë vizitës së tyre në Katedralen e Tiranës, grupi u prit nga Hirësi Nathanaili, dhe më pas kryen Përshpirtje te varri i Kryepiskopit të lumur Anastas. Udhëtimi i tyre u bekua veçanërisht nga takimi me Kryepiskopin Joan. Së bashku me grupin rinor të Tiranës të rinjtë vizitorë organizuan një program artistik dhe darkë të përbashkët.

Sikundër dëshmuan vetë të rinjtë ky udhëtim ishte një mundësi për reflektim të frytshëm, zgjim shpirtëror dhe kultivimin e marrëdhënieve vëllazërore.

Ndërsa më 20 gusht, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, priti në Qendrën Sinodike të Kryepiskopatës Mitropolitin e Dhimitriadhës, Hirësi Ignatin, bashkë me një grup të rinjsh dhe bashkëpunëtorësh nga Mitropolia e tij.