EmailFacebookKontakt

Heroina e padukshme e Hierapostullimit Orthodhoks

Argjiro Kondojorgji lindi më 22 shtator 1922 në Tinos. Ishte femija i tretë i një familjeje me tre vajza dhe dy djem. Ajo u rrit me besim të thellë nga tezja e saj Ana, e cila përkujdesej për të. Studioi në shkollën Romano-katolike në Tinos, ku u dallua për mprehtësinë e saj. Humbja e nënës në moshën 15-vjeçare e forcoi edhe më tej nxitjen për kërkim më të thellë të jetës shpirtërore. Gjatë viteve të pushtimit, shërbeu si vullnetare duke ndihmuar të plagosurit e anijes “Eli” dhe më vonë shërbeu edhe si përkthyese me pushtuesit italianë, duke shfaqur guxim dhe patriotizëm të thellë. Pas luftës punoi për 19 vjet në Bankën e Greqisë, por dëshira e zjarrtë për hierapostullimin e jashtëm e bëri të braktiste pozicionin e saj të sigurt në punë në moshën 37-vjeçare, kur dëgjoi thirrjen hierapostolike të teologut -asokohe laik- Anastas Jannullatos.

Argjiro Kondojorgji ishte bashkëpunëtorja më e ngushtë dhe me vlera e misionarit arkimandrit Anastas Jannullatos, që në fillimet e veprës së tij misionare. Kontributi i saj në zhvillimin e hierapostullimit të jashtëm Orthodhoks në Afrikën Lindore ishte vendimtar dhe i shumanshëm. Ajo organizoi me metodikë arkivin dhe sekretariatin e qendrës hierapostolike në Athinë, shtypi pa u lodhur tekste, studime dhe korrespondencë, mori pjesë aktive në shkrimin dhe redaktimin e revistës “Panda ta Ethni”, si dhe ndihmoi në përkthimin e teksteve në gjuhë të huaja.

Aftësia e saj për të organizuar, klasifikuar dhe menaxhuar vëllime të mëdha informacionesh dhe dokumentash, ishte e pakrahasueshme. Në të njëjtën kohë, kontribuoi ndjeshëm në organizimin e hierapostullimit në Afrikë, duke mbajtur kontakte me misionarët dhe duke u kujdesur për nevojat e tyre. Përkushtimi dhe puna e saj e palodhur u bënë shumë të njohura. Në vitin 1991, kur Episkopi i atëhershëm i Andrusës, Anastasi, u zgjodh Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Argjiro Kondojorgji e ndoqi pas që nga momenti i parë në misionin e tij të ri dhe i qëndroi pranë në të gjitha vështirësitë. Megjithëse në moshën gati 70-vjeçare, ajo nuk hezitoi të vinte në Shqipërinë e shkatërruar nga ateizmi, për të vazhduar shërbimin e saj.

Kështu, nisi studimet në Universitetin e Tiranës, për të mësuar gjuhën shqipe dhe iu përkushtua organizimit nga e para të Sekretariatit të Kryepiskopatës së Shenjtë të Tiranës. Kontributi i saj në mbështetjen sekretariale dhe funksionimin e zyrës së Kryepiskopit ishte mjaft i rëndësishëm. Për më shumë se tre dekada në vendin tonë, punoi në heshtje dhe pa u lodhur, duke kontribuar me vendosmëri nga ana e saj në rindërtimin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.

Argjiro Kondojorgji ishte shumë më tepër sesa një sekretare e thjeshtë. Ajo ishte “kujtesa” i Kryepeshkopit, bashkëpunëtorja që sillte rezultate në nisma të ndryshme, e përkushtuar deri në fund. Një “dhjakoneshë” e Kishës së Krishtit, me vetëmohim, jetë asketike dhe përulësi. Kujtimi i saj do të mbetet i gjallë në zemrat e të gjithë atyre që patën bekimin ta njihnin dhe të bashkëpunonin me të.

“Të lumur që tani janë ata që vdesin më Zotin… që të prehen nga mundimet e tyre; edhe veprat e tyre i ndjekin pas” (Zb. 14:13).

Ikonom i Madh Atë Harallamb Gjoka