Me emocion dhe nderim të thellë qëndrojmë sot përpara arkivolit të motrës sonë të dashur Argjiro Kondojorgji, për t’i dhënë nderimin e fundit. Ajo ishte një shembull i përkushtimit, përulësisë dhe vetësakrificës në shërbim të Kishës. Fjeti në Zotin në moshën 103-vjeçare. Ishte një nga heronjtë e heshtur të besimit tonë, e lindur në ishullin e bekuar të Tinosit, ishullin e shën Marisë në vitin 1922. Ajo mbante që herët në zemër devotshmëri të thellë dhe dashuri për Perëndinë. Jeta e saj siç mësojmë nga shënimet e çmuara që na la me titullin: Nga biografia ime, fletë të shpërndara të jetës sime, nuk ishte pa sprova. Përjetoi vdekjen e parakohshme të nënës së saj në moshën 15-vjeçare, u rrit larg prindërve të saj në shtëpinë e nunës së saj, kaloi vitet e vështira të pushtimit në Tinos, duke shërbyer si vullnetare dhe përkthyese. Të gjitha këto sprova farkëtuan një karakter të fortë, me besim, të përulur, me qëndrim të palodhur, me shërbim. Kur në moshën 37-vjeçare takoi teologun e ri, të asaj kohe, Anastas Janullatos, Kryepiskopin tonë të paharruar, jeta e saj mori një kthesë vendimtare. Ajo la pozitën e sigurt në bankë, për t’iu përkushtuar plotësisht veprës së misionit të jashtëm orthodhoks. Duke lënë gjithçka, ndoqi Perëndinë. Për më shumë se 60 vjet, Motra Argjiro, ishte bashkëpunëtorja e palodhur, dora e djathtë e të ndjerit Kryepiskopit Anastas, fillimisht në Afrikë dhe pastaj që nga viti 1991 këtu, në Shqipërinë e vuajtur. Në moshën thuajse 70-vjeçare nuk hezitoi të vinte në një vend të shkatërruar nga ateizmi, në një kishë që duhej ngjallur. Motra Argjiro, me vendosmërinë e saj karakteristike, mësoi gjuhën shqipe, organizoi sekretariatin e Kryepiskopatës, sistemoi, regjistroi, daktilografoi mijëra dokumente, ishte aty e heshtur dhe efektive në çdo hap të rindërtimit të kishës sonë, por mbi të gjitha, Motra Argjiro ishte një grua lutjeje. Jeta e saj ishte një liturgji e vazhdueshme.
Sa herë e pamë duke punuar deri natën vonë, gjithmonë me të njëjtin zell, gjithmonë me të njëjtin përkushtim. Kurrë nuk kërkoi njohje. Kurrë nuk kërkoi nderime. Përulësia e saj ishte e vërtetë. Vetëmohimi i saj ishte i plotë.
Sot, ndërsa i themi lamtumirë, nuk vajtojmë si ata që nuk kanë shpresë, por duke e ditur se, si shërbëtore e vërtetë e Zotit, do të gëzojë shpërblimin e saj të merituar dhe do të ndërmjetojë për Kishën e Shqipërisë, për të cilën punoi, u mundua dhe e mbështeti. Trashëgimia që na ka lënë është e çmuar. Veç punës së saj, la shembullin e një jete të përkushtuar plotësisht ndaj Perëndisë dhe Kishës. Na mësoi se madhështia e vërtetë gjendet në shërbimin e përulur, në shërbimin e heshtur, në dashurinë që nuk kërkon shpërblim. Kisha Orthodhokse e Shqipërisë i detyrohet shumë Motrës Argjiro. Kontributi i saj ishte thelbësor në veprën e rindërtimit të Kishës sonë.
E dashur Motër Argjiro, të falënderojmë për gjithçka që na dhurove. Të falënderojmë për shembullin tënd. Të falënderojmë, që me jetën tënde na mësove çfarë do të thotë përkushtim i vërtetë, çfarë do të thotë t’i shërbesh Zotit në fshehtësi. Tani do të prehesh këtu, në vendin që e kërkove vetë, bashkë me miroprurëset, se e tillë ishe dhe ti deri në fund të jetës sate. Qoftë i lehtë dheu i tokës që e deshe dhe i shërbeve. Prehu në paqe. I përjetshëm kujtimi yt e lumur dhe e paharruar, motra jonë Argjiro! Amin.