EmailFacebookKontakt

“Le të jetojmë me frymën që ai na la trashëgim: me besim, dashuri dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit”

Në ditën e 40-të nga jetëndërrimi i Mitropolitit të Gjirokastrës, Dhimitrit, përkujtojmë me mirënjohje Hirësinë e Tij. Ai ishte një udhërrëfyes i heshtur, një zë paqësor në kohë trazirash, një dorë e zgjatur drejt kujtdo që kishte nevojë.

Mitropoliti Dhimitër mishëronte përulësinë, urtësinë dhe dashurinë për njeriun. Gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Mitropolisë së Gjirokastrës, ai ishte pranë njerëzve, duke ndërtuar ura, duke frymëzuar dialog, dhe duke folur me vepra. Në kujtesën tonë, ai është një bari i mirë.

Me këtë rast u zhvilluan Shërbesat e Shenjta dhe Përshpirtja në kujtim të tij në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër, në drejtimin e Kryepiskopit Joan.

Në mbyllje të Liturgjisë Hyjnore, ndër të tjera, ai tha:

“Sot jemi mbledhur për të 40-at e vëllait dhe bashkëmeshtarit tonë të fjetur, kryepriftit Dhimitër. Arsyeja që Kisha mblidhet dhe lutet është shumë e rëndësishme. Sa herë që bëjmë Përkujtimore ndalemi dhe rikujtojmë se pse mblidhemi.

Fillimisht, mblidhemi sepse ne i duam. Njerëzit të cilët i kemi patur të afërm i duam dhe lutemi për ta. E dimë që njerëzit janë qenie komunitare, dhe se te Perëndia nuk ka të vdekur, të gjithë janë të gjallë. Ata luten për ne dhe ne për ta.

Lutemi dhe i përkujtojmë ata, sepse e dimë se Perëndia është i shumëshirshëm. Çfarëdolloj gabime që të kenë bërë me vepra dhe fjalë, me dashje dhe padashje, lutja e Kishës ka fuqi shumë të madhe. Historia e Kishës sonë është e mbushur me mijëra raste të tilla: Rasti i martires së madhe, Perpetua, që vëllai i saj Dimokrati kishte ndërruar jetë dhe i ishte shfaqur që nuk ishte i qetë atje ku qëndronte. Shenjtorja u lut me zjarr aq shumë, sa Perëndia i tregoi që i ishin falur të gjitha fajet që ai kishte bërë. Prandaj edhe ne lutemi. I lutemi Zotit që të jetë i mëshirshëm.

Një histori tjetër shumë e bukur për shën Athanasinë e Egjinës, e cila rrinte në një manastir shumë të dëgjuar. Ishin bërë mrekulli që kur ishte ende gjallë dhe shumë mrekulli u bënë dhe pas fjetjes së saj. Përpara se të ndërronte jetë i kishte paralajmëruar motrat e saj që kur unë të ndërroj jetë, bëni 40 ditë meshim dhe ndani lëmosha tek të gjithë dhe i lutem priftërinjve të luten për mua.

Motrat harruan. U lutën për 9 ditë, pastaj e ndërprenë. Edhe shenjtorja iu shfaq atyre dhe u tha: Përse nuk keni ruajtur amanetin tim? Nuk e dini që lutjet e priftërinjve dhe lëmoshat që bëni për të varfrit kanë një fuqi shumë të madhe te Perëndia, i cili mund të falë dhe fajet e mëdha të shumë njerëzve?! Nguli shkopin në tokë dhe u zhduk.

Të nesërmen motrat panë që shkopi kishte mbirë dhe kishte dhënë dhe fruta, si një shenjë mrekullie për të vërtetuar fjalët e saj. Ajo u thotë dhe këto fjalë shumë të rëndësishme që vlejnë edhe për ne sot:

Lutuni për ata që kanë fjetur, edhe nëse ata nuk kanë nevojë për lutjet tuaja, lutjet tuaja do të kthehen për bekimin tuaj; nëse ata kanë nevojë, do të kthehen për bekimin e tyre. Prandaj edhe ne lutemi vazhdimisht.

Dhe pika tjetër e rëndësishme që është na tregon që kemi një dimension tjetër, përjetësinë. Te Zoti nuk ka të vdekur, prandaj edhe Ngjallja e Krishtit e ndryshoi raportin me vdekjen. Nuk trembemi më, as vdekja nuk krijon hidhërim shumë të madh. Prandaj apostull Pavli na porosit: ‘Mos u bëni si ata që s’kanë shpresë’. Ne besojmë që ata që janë ndarë prej nesh, nuk janë të vdekur, por të gjallë te Perëndia dhe ky është besimi më i madh. Dhe kjo është fitorja më e madhe që ka Krishterimi.

Me të drejtë shën Nikolla i Ohrit thoshte këto fjalë: ‘Çdo fitore tjetër është e pjesshme; fiton një komb, hidhërohet kombi tjetër, fiton një parti, hidhërohet partia tjetër. E vetmja fitore që është për të gjithë njerëzit është fitorja e Krishtit mbi vdekjen! Sepse vdekja është armiku i përbashkët i të gjithë njerëzve, prandaj edhe ne mblidhemi. Kujtojmë dhe vdekjen, siç thoshin etërit e Kishës, që vdekja është mësuesi më i mirë. Një njeri që ka parasysh se një ditë do ta mbarojë këtë jetë, nuk mund të bëjë shumë mëkate të mëdha dhe të do largohet nga shumë gjëra të tjera, sepse jeta jonë nuk mbaron me vdekjen. Madje jeta është një parathënie. Jeta e vërtetë është pas. Kjo është shpresa që kemi ne dhe kjo është shpresa e gjithë të krishterëve. Lutemi sot për shpirtin e vëllait tonë, bashkëmeshtarit të ndjerë kryepriftit Dhimitër që Perëndia ta ndjejë dhe ta vendosë në tendat e të drejtëve.

Kemi besim që ai është pranë Perëndisë dhe lutet për ne. Dalëngadalë janë shtuar shumë njerëz që luten për ne: Kryepiskopi Anastas, Mitropolitët Ignat, Dhimitër dhe gjithë sa shërbyen me sakrifica në këtë kohë të vështirë. Ata janë një shpresë dhe kurajë dhe për ne, se ata luten pranë Zotit për ne dhe ne lutemi vazhdimisht për ta. Lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe të amshuar dhe le të jetojmë me frymën që ai na la trashëgim: me besim, dashuri dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit”.

Atë Grigor Pelushi
Përgjegjës i Radios Ngjallja