Më 25 janar 2025, u nda nga kjo jetë Kryepiskopi Anastas, figura themelore e ringjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjashtë muaj pas jetëndërrimit të tij, më 25 korrik 2025, kujtojmë me dashuri, respekt, mirënjohje dhe dhimbje një udhëheqës shpirtëror që la gjurmë të pashlyeshme në jetën fetare, kulturore dhe kombëtare të vendit tonë.
Që nga ardhja e tij në Shqipëri në fillim të viteve ’91, në një kohë të errët për besimin dhe institucionet fetare, Kryepiskopi Anastas u shndërrua në një figurë uniteti, rilindjeje dhe paqeje. Ai udhëhoqi me urtësi rindërtimin e Kishës Orthodhokse, duke ndërtuar katedrale dhe kisha në shumë qytete dhe fshatra, duke kthyer në jetë dhjetëra kisha dhe manastire të rrënuara, duke formuar breza të rinj klerikësh dhe duke rritur ndjeshëm rolin e Kishës në shoqërinë shqiptare.
Nën udhëheqjen e tij, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë jo vetëm që rifitoi dinjitetin dhe autonominë e saj, por u shndërrua në një faktor të rëndësishëm në ndërtimin e harmonisë ndërfetare në Shqipëri. Fjalët dhe veprat e tij ishin gjithnjë të mbushura me dashuri për Perëndinë, dashurinë për të afërmin, për solidaritetin njerëzor dhe për paqe.
Personaliteti i tij tejkalonte kufijtë e fesë. Si hierark, teolog, misionar dhe mendimtar i njohur ndërkombëtarisht, Kryepiskopi Anastas ishte një zë i rëndësishëm në botën orthodhokse dhe në dialogun ndërfetar, duke përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në forumet më të larta ndërkombëtare.
Teksa përkujtojmë 6-mujorin e jetëndërrimit të tij, jemi të vetëdijshëm se trashëgimia e tij jeton në zemrat e mijëra besimtarëve, në kishat që ngriti nga gërmadhat, në fjalët që predikoi dhe, mbi të gjitha, me shembullin që la pas.
Me rastin e këtij përkujtimi, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u kryen Shërbesat e Mëngjesores, Meshës Hyjnore dhe Përshpirtjes nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Imzot Joanit, në bashkëmeshim me Anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si edhe klerikë nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë e vendit.