“Sot përkujtojmë 1-vjetorin e largimit prej nesh të vëllait tonë të dashur dhe bashkëmeshtarit, Mitropolitit Ignat. Arsyeja që Kisha i përkujton dhe lutet për gjithë të fjeturit është shumë e rëndësishme.
Së pari, ne lutemi për ta, se i duam. Kanë qenë pranë nesh, kanë shërbyer në këtë Kishë dhe në këtë vend me sakrifica, në vite shumë të vështira. I duam dhe i respektojmë për gjithë sakrificat që kanë bërë. Dhe lutemi, sepse Perëndia e dëgjon lutjen e besimtarëve. Në letrën e Jakovit që u lexua thuhen këto fjalë: Lutja e të drejtit që bëhet me besë, ka fuqi shumë të madhe. Perëndia i dëgjon lutjet tona. Historia e gjatë e jetës shpirtërore të Kishës Orthodhokse është e mbushur me mijëra e mijëra shembuj që lutjet tona i lehtësojnë edhe ata që janë në botën tjetër; edhe nëse nuk kanë nevojë për ne, lutjet tona na forcojnë, sepse edhe ata luten vazhdimisht për ne.
Dhe së dyti, është shumë e rëndësishme që ne kujtojmë që jemi të përkohshëm në këtë botë, jemi udhëtarë. Një ditë do të vijë fundi i udhëtimit të gjithsecilit nga ne dhe të gjithë kemi nevojë për lutjet e njëri-tjetrit. Bota e sotme nuk ka jetë shpirtërore e duke mos pasur jetë shpirtërore, jeta e njerëzve thahet dhe deformohet. Jeta shpirtërore i jep fuqi çfarëdolloj jete tjetër, edhe jetës kulturore edhe asaj intelektuale. Pa një jetë shpirtërore nuk mund të ekzistojnë as këto të dyja. Nëse do të mendojmë për vdekjen, shumë gjëra do të ndryshojnë.
Ezekia, një shenjtor shumë i madh në malin Sinai thoshte këto fjalë: Nëse njerëzit bëjnë takimin me Perëndinë, nuk do të mëkatojnë asnjëherë; dhe nëse njerëzit do të kenë në mendjen e tyre vdekjen, nuk do të mëkatojnë asnjëherë. Sepse jeta e tij kështu ishte. Ai bëri jete murgu, po në fillim ishte i shkujdesur. Dhe në një moment ndërroi jetë. Gati për një orë nuk u përmend, pas një ore u përmend. Të gjithë u habitën sesi u kthye nga vdekja. Nga ajo ditë ai nuk foli më, qëndroi i heshtur. Madje të gjithë hezikastët e kanë burimin nga ai. Gjatë gjithë kohës që qëndroi atje nuk foli asnjëherë, por vetëm lutej dhe meditonte rreth asaj që kishte parë. Prandaj tha këto fjalë: Nëse dikush përballet me vdekjen, nuk mëkaton më.
Nëse do të kemi para syve këtë gjë, që një ditë do të paraqitemi përpara Perëndisë dhe jeta jonë sado e gjatë të jetë, përsëri është e shkurtër përpara përjetësisë, shumë gjëra që bëhen tani, nuk do të bëheshin. Lakmia do të zhduket. Ja, shikoni njerëzit, nuk jetojnë as 70 apo 80 vjet, duan një shtëpi, pas kësaj shtëpie, një shtëpi tjetër, e me radhë.
Në Bibël thuhet që njerëzit jetonin 900 vjet. Në Izrael ekziston një legjendë, një traditë, sipas së cilës këta njerëz nuk ndërtonin shtëpi, sepse thoshin se pak jemi këtu dhe do të ikim, ngaqë mendja e tyre ishte e përqendruar te përjetësia. Përjetësia është shumë e rëndësishme. Nëse humbin vizionin e përjetësisë, nuk e shijojmë as këtë kohë të përkohshme.
Ja, njerëzit sot nuk e shijojnë kohën e përkohshme. Tërë ditën janë të mbushur me ankthe dhe me strese. Nëse një njeri përqendrohet në vizionin e përjetësisë, shijon edhe këtë lloj jete, sepse ai nuk është i kapur nga lakmitë dhe nga pasionet e kësaj bote, por vështrimi i tij shtrihet në Përjetësi.
Kisha jonë, pikërisht, këtë beson: Te Zoti nuk ka të vdekur, të gjithë janë të gjallë. Edhe vëllai ynë i dashur Ignati, nuk është i vdekur në kuptimin e njerëzve, është larguar prej nesh, por është pranë Perëndisë. Dhe besoj që ai lutet për Kishën tonë dhe, në veçanti, për Kishën e Beratit.
Lutem që Perëndia të gjithëve ju, dashamirësve dhe miqve, t’ju japë jetë të gjatë, dhe ne vazhdimisht ta kujtojmë vëllain tonë të dashur, Ignat.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Amin.