Më 2 korrik 2025, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku u prit nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani.
Gjatë takimit, znj. Spiropali përcolli urimet e saj për udhëheqjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për mbarë besimtarët orthodhoksë të vendit. Ajo vlerësoi lart rolin shpirtëror dhe shoqëror të Kishës, duke theksuar që: “Kthjelltësia hyjnore dhe urtësia e Fortlumturisë së Tij, Joanit, na frymëzojnë për të fuqizuar përmasën shpirtërore në punët e detyrat tona të përditshme, si qytetarë, shërbyes publikë dhe politikanë”.
Vizita u zhvillua në frymë mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore dhe atyre fetare në jetën shoqërore të vendit.