EmailFacebookKontakt

Fjala e përmortshme e arkimandritit Pamfil Sinaiti

Në emër të Hirësisë së Tij. Kryepiskopit të Sinait, Faranit dhe Raithosë, z. Damian, të Kuvendit (Sinaksit) të Shenjtë dhe të vëllezërve të Manastirit të Shenjtë Autonom Perandorak të Shën Ekaterinës në Malin Perëndishkelur të Sinait, përcjellim me nderim të thellë ndaj Jush, Fortlumturi, dhe drejt Sinodit të Shenjtë që Ju rrethon të Kishës së Shqipërisë, por edhe ndaj gjithë komunitetit kishtar zimbajtës të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, hidhërimin, dhimbjen dhe zinë e përbashkët të Kishës Sinaitike për humbjen e madhe nga trupi i saj monakal të anëtarit të saj të zgjedhur, Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Gjirokastrës, Imzot Dhimitër Sinaitit; siç deklaronte ai vetë gjithmonë, duke dashur kështu të shprehte identitetin dhe prejardhjen e tij të përhershme shpirtërore, si edhe dashurinë e tij të pashërueshme dhe mallin për Manastirin e Pendesës së tij!

Për jetën e tij asketike të fshehtë dhe për veprimtarinë e tij episkopale, këto ditë përmenden informacione të rëndësishme, të cilat nxjerrin në pah lartësinë e vërtetë dhe vlerën e madhe të këtij burri! Dhe me të vërtetë, ky njeri ishte i fshehur me kujdes brenda madhështisë së tij! Ky ishte edhe sekreti i tij i madh shpirtëror, privilegji i tij i fshehtë: gjendja e tij shpirtërore e pavënë re, por edhe shenja e ndjeshme dalluese e përulësisë së vërtetë! Bëhet fjalë për një sport asketik që fare pak kampionë të frymës arrijnë ta fitojnë, ndërkohë që të tjerët e shijojnë! Dhe ne, që falë përkujdesjes hyjnore u gjendëm pranë tij, e shijuam! Çfarë shijuam? Të jetosh fshehurazi dhe të bësh vepra të mëdha në Krishtin pa e shpallur!

Do të donim të përqendroheshim në kohën kur Dhimitri ishte murg në Sina. Si Sinaitë u njohëm para dyzet e katër vjetësh dhe është e natyrshme të kemi kujtime nga shumë gjëra. Megjithatë, ndonëse kaluan kaq shumë vite, mbetet e njohur ndërkombëtarisht oferta e madhe kërkimore dhe kontributi i rëndësishëm i bibliotekarit të shumëlavdëruar të Manastirit të Sinait, Dhimitër Sinaitit! Formimi i tij i shëndoshë shkencor dhe studimi i tij i thelluar i dorëshkrimeve të lashta dhe kodikëve unikë që gjenden në Bibliotekën manastirore më të madhe në botë, me dorëshkrime greke dhe në gjuhë të huaja, e nxorën atë në pah si një studiues të çmuar dhe një bashkëpunëtor të rrallë shkencor të emrave të mëdhenj në hapësirat e universiteteve më të mëdha të botës! Dhe kontributi i tij i njohur, përmes Sinait, për Bibliotekën Kombëtare dhe Fondacionin e Kërkimeve Shkencore ne Athinë, njohu periudha të lavdishme bashkëpunimi shembullor dhe prodhimi shkencor, me profesorin e paharruar Panajot Nikolopulos dhe profesorin e tij shumë të dashur Joan Meimaris! Figura të mëdha, emra të parë të komunitetit shkencor grek dhe të huaj, vinin në Manastir për t’u takuar me Dhimitrin, jo vetëm për të studiuar ato që gjendeshin në Manastir, por për t’u informuar prej tij se ku mund të gjenin tekste ose informacione që kërkonin! Dhe këtë ai e dinte shumë mirë, me rezervat e pamasë të kujtesës që ekzistonin brenda tij që nga lindja, dhe ndihmonte, në një epokë pa Google, atëherë kur interneti hidhte hapat e parë… me një Dhimitër gjithmonë në lëvizje, plotësisht i informuar dhe i pajisur me dije, duke pasur plotësisht të hapura antenat shumë të ndjeshme të perceptimit që zotëronte, duke skanuar me dy rreze lazer jeshile – sytë e tij – jo vetëm shkronja, por edhe çdo grimcë pluhuri mbi kodikë…!!! Në kohën e tij, Biblioteka e Manastirit ishte një koshere plot jetë! Me mjaltë të një cilësie të jashtëzakonshme dhe me prodhim të pakrahasueshëm! Institute Kërkimore, Universitete me emër, studiues të specializuar, grupe studentore, të gjithë bashkëpunonin për një kohë të gjatë dhe me entuziazëm me të! Dhe të gjitha këto unë i shihja i habitur dhe i admiroja! I ndiqja teksa kryheshin përmes një bindjeje murgërore, me përkushtim të plotë dhe raportim të detajuar tek Igumeni dhe Kryepiskopi ynë Damian. Dhe përmes kësaj ai mbetej i dorëzuar fshehurazi – pa lejuar që dikush ta kuptonte – tek i dashuruari i zemrës së tij të thellë, Krishti!

Dhimitri farkëtoi rrugëtime frytdhënëse takimi, bashkëpunimi dhe ndërveprimi të kulturës greke me pjesën tjetër të botës. Përmes dorëshkrimeve greke, siriake, arabe, gjeorgjiane dhe një morie dorëshkrimesh të tjera në gjuhë të huaja, që shprehin gjurmë kulturore të popujve të ndryshëm dhe mentaliteteve të lashta, ai përmbushi ciklin e kuptimit të dijes së regjistruar njerëzore, të paktën për veten e tij! Dhe sa gjëra të tjera do të mund të citonim për vlerën e fshehur prej diamanti të këtij burri? Analiza krahasuese, vërtetime dokumentesh të vjetra, botime kritike, konservim dhe mbrojtje kodikësh, krijim katalogësh, studime mbi dorëshkrimet e sapogjetura. Ai ishte frymëzues i shkencëtarëve të rinj për punime origjinale, ndiqte doktoratura deri në fund dhe ofroi shumë të tjera të mëdha, si Profesor në Shkollën Ambetios, si Ekonom dhe si Skevofilaks i Kuvendit të Shenjtë, si Igumen i Metoqit të Sinait në Janinë, dhe në një mori veprimtarish të tjera sinaitike, që fare pak i dinë për shkak të karakterit të tij modest!

Për punën e tij të palodhur në katalogimin dhe klasifikimin e dosjeve të rralla e unike në Arkivin historik të Manastirit nuk po flasim. Ishte rregullues, sistemues dhe studiues i pakrahasueshëm i dokumenteve. I vetmi që filloi të regjistronte titujt me statusin përkatës të pronësisë së Manastirit në Egjipt si edhe në metoqet e tij të panumërta anembanë botës (nga Spanja deri në Indi dhe nga Rusia deri në Afrikë).

Hirësia e Tij, Kryepiskopi ynë z. Damian, i cili e qethi murg dhe e hirotonisi dhjak dhe prift Hirësinë e Tij, Mitropolitin e Gjirokastrës, Imzot Dhimitrin, si ati i tij shpirtëror lutet ngrohtësisht dhe vazhdimisht për prehjen e tij të përjetshme; dhe hidhërohet që takime të programuara të një rëndësie të lartë dhe kritike për Manastirin tonë të sprovuar në këtë kohë nuk e lejuan të ishte i pranishëm me ne sot këtu; megjithatë, përcjell sërish urimet e tij të përzemërta dhe respektin e tij për Ju, Fortlumturia Juaj, Kryepiskop i Tiranës, z. z. Joan, si dhe admirimin e tij vëllazëror për veprën që kryeni, e cila ka fituar besimin dhe shpirtrat e të gjithëve ne që në fillesën e shërbesës Suaj kryepiskopale. Ai shpreh gjithashtu urimet e tij ngushëlluese në Zotin për të afërmit e të ndjerit, dhe veçanërisht për vëllain e tij, Sotirin, i cili qëndroi në mënyrë të admirueshme dhe shembullore, si një kandil i pashuar pranë tij, deri në fund!

Sot, vëllezërit e mi, përcjellim një njeri të madh, një hierark të rrallë dhe shumë të ditur! Dhe ndoshta tani kuptojmë edhe arsyen më të thellë të vlerësimit, dashurisë dhe besimit që ushqente për personin e Dhimitrit, Kryepiskopi i madh dhe i papërsëritshëm për kohën e tij, Anastasi! Për rastin konkret të Anastasit dhe Dhimitrit do të mund të vërenim se me të vërtetë shpirtrat e mëdhenj takohen!

I përjetshëm kujtimi Yt, i shumëdashuri im dhe vëlla i pazëvendësueshëm, Hirësi Dhimitër!

Arkimandrit Pamfil Sinaiti