EmailFacebookKontakt

Mes dhimbjes dhe shpresës së ngjalljes

Me përulësi, dhimbje dhe me shpresën e Ngjalljes u përcoll për në banesën e amshuar Hirësia e Tij, Mitropoliti i Gjirokastrës, imzot Dhimitri, një bari i dashur dhe i urtë i Kishës sonë.

Shërbesa e varrimit u kryesua me nderim të madh nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, në bashkëlutje me të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe klerikë të shumtë nga të gjitha Mitropolitë e vendit.

Pjesëmarrja ishte e gjerë dhe prekëse: përfaqësues nga autoritetet më të larta të shtetit shqiptar dhe nga shteti helen ishin të pranishëm, për të nderuar një njeri që i kaloi kufijtë e shërbimit të thjeshtë kishtar dhe u bë simbol dashurie, urtësie dhe përkushtimi për mbarë shoqërinë.

Lutjeve të shërbesës së Varrimit iu bashkangjitën edhe fjalimet e përmotshme me rastin e fjetjes në Zotin të hirësisë së tij, mitropolitit të Gjirokastrës, Imzot Dhimitrit. Fjalën kryesore e mbajti Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Joani. Në vijim u mbajtën fjalët nga: Arkimadrit Pamfilos Sinaiti, Igumen i Metoqit Sinaitik të Janinës, Arkimadrit Profir Kon. Konidhi, protosingjel i Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, znj. Marja Myrogiani, Sekretare e Përgjithshme për Helenizmin e Diasporës dhe Diplomacinë Publike e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, Deputete e Qarkut Gjirokastër, përfaqësuese e Qeverisë Shqiptare, dhe z. Thodhori Qesko, Drejtor i Institucioneve Arsimore “Frymë Dashurie”, Gjirokastër.

Mitropoliti Dhimitër mbetet në kujtesën tonë si një shërbëtor i palodhur, një njeri i paqes dhe i lutjes, një bari që e deshi grigjën e tij dhe u kujdes me përkushtim për të. Ai shërbeu me përulësi dhe mençuri në një periudhë të ndërlikuar të ringritjes së Kishës sonë, duke lënë pas një trashëgimi shpirtërore të vyer.

Në këtë ditë zie, lutemi që Zoti ta pranojë në Mbretërinë e Qiejve dhe ta bëjë të denjë për ta prehur me shenjtorët.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!