EmailFacebookKontakt

Përmbyllja e vitit shkollor në institucionet arsimore të Fondacionit “Fryma e Dashurisë”

Në një kohë kur arsimi shpesh përballet me sfida, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ditur të ndërtojë një histori ndryshe: atë të përkushtimit dhe dashurisë për edukimin e brezit të ri. Nën vizionin dhe kujdesin e Kryepiskopit të ndjerë Anastas, shkollat dhe kopshtet e ngritura nga Kisha, janë sot një shembull i gjallë se si formimi intelektual shkon krah për krah me edukimin moral. Nga oborret plot të qeshura të kopshteve, deri te bankat e gjimnazeve ku formohen të rinjtë për sfidat e jetës dhe universiteteve, ky rrjet arsimor është një ndër investimet më të vyera për të ardhmen e vendit.

Ky kontribut nuk matet vetëm me medalje ari, çmime europiane apo mesatare të larta – megjithëse ato janë të shumta – por mbi të gjitha me formimin e një brezi të rritur në frymën e së mirës, ndershmërisë dhe të përgjegjësisë. Përmbyllja e vitit shkollor 2024-2025 e dëshmoi qartë këtë realitet: ceremonitë e diplomimit dhe aktivitetet e shumta ishin një pasqyrë e përkushtimit të Kishës ndaj dijes dhe shpirtit të fëmijëve e të rinjve.

Në kopshtet e Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, jeta e përditshme e fëmijëve u mbush këtë vit me këngë, lojëra dhe mësimet e para. Rrjeti i 15 kopshteve priti 610 fëmijë, duke ofruar jo vetëm edukim, por edhe ngrohtësinë e një shtëpie të dytë. Një moment i veçantë ishte përvjetori i 30-të i kopshtit të Korçës, i hapur që në vitin 1995, një kujtesë e hershme e këtij misioni arsimor. Risia e këtij viti ishte shtrirja e shërbimit me fjetje, tashmë i pranishëm në nëntë kopshte, që u kthye në mbështetje të çmuar për familjet.

Në kryeqytet, fundi i vitit shkollor mori formën e një feste të madhe. Në gjimnazin “Protagonistët”, 193 nxënës përmbyllën rrugëtimin e tyre shkollor, ndërsa 62 maturantë morën diplomën. Ceremonia mori një domethënie të veçantë me praninë e Kryepiskopit Joan, i cili u dha të rinjve këshilla atërore. “Vrulli rinor do të takojë tani përgjegjësinë”, u tha ai maturantëve, duke i kujtuar se vendimet që do të marrin kanë peshën e një jete të tërë. Kryepiskopi theksoi se nuk ka shumë rëndësi fusha e studimeve që do të zgjedhin, por fakti që të bëhen njerëz të mirë, sepse “e mira në vetvete është një dhuratë jashtëzakonisht e madhe”. Në një botë ku suksesi matet shpesh me dukjen e jashtme, ai kujtoi se “fitues i vërtetë është ai që qëndron i ndershëm dhe i drejtë. Asgjë nuk humbet te Perëndia”. Ai i ftoi të rinjtë të mos e shohin jetën si pronë vetëm të tyre, por si pjesë të një komuniteti: “Jeta juaj prek edhe jetën e prindërve, ashtu si jeta e prindërve prek jetën tuaj”. Mbi të gjitha, ai solli një mesazh të veçantë për miqësinë, duke e cilësuar si “dhuratë të madhe të Perëndisë”, sepse “një jetë pa miq nuk ka gëzim dhe një jetë pa gëzim është e gjymtuar”. Për prindërit, këshilla ishte po aq e çmuar: të luten për fëmijët e tyre, pasi “lutja e prindërve ka fuqi”. Fjalët e tij u shoqëruan me duartrokitje të gjata dhe emocion, duke e kthyer ceremoninë në një kujtim të paharrueshëm për 62 maturantët e këtij gjimnazi, të cilët arritën një mesatare të shkëlqyer 9.32, me kalueshmëri 100%, dy prej tyre – Anja Mollaymeri e Helia Sinani – u nderuan me “Medalje Ari”, ndërsa e gjithë gjenerata e maturës gjeti dyert e hapura të universiteteve brenda dhe jashtë vendit.

Në të njëjtën kohë, shkolla 9-vjeçare “Protagonisti”, me 744 nxënës, prej të cilëve 366 vajza, dëshmoi se hapat e parë drejt dijes mund të jenë po aq të fuqishëm sa ato të maturës. 88 nxënës përfunduan klasën IX me rezultate të shkëlqyera. Në provimet kombëtare, mesatarja në gjuhën shqipe ishte 9.67, në matematikë 9.3 dhe në anglisht 9.86, duke dhënë një mesatare të përgjithshme mbresëlënëse prej 9.61. Shkolla u dallua edhe në konkurse: Aina Gogo fitoi vendim e parë për Shqipërinë në Olimpiadën Mbarëkombëtare të Gjuhës Shqipe, kori i shkollës zuri vendin e dytë në projektin “Eja këndo me mua”, ndërsa mësuesja Agi Dashi u nderua me “Çmimin e Karrierës”. Nxënësit e talentuar Mateo Boçi dhe Noel Dukni spikatën në shah, duke fituar medalje në nivele kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa Ema Kërpi përfaqësoi shkollën në finalen e madhe të konkursit ndërkombëtar “Hippo” në Venecia.

Në Durrës, shkolla “Frymë Dashurie” e mbylli vitin shkollor me energji dhe arritje. 171 nxënës, mes tyre 12 maturantë, shënuan suksese jo vetëm në mësime, por edhe në veprimtari sportive e kulturore, duke fituar pesë kupa dhe tetë certifikata që dëshmojnë përkushtimin e tyre.

Në Korçë, gjimnazi “Platon” vijon të jetë qendër e dijes dhe kulturës. 44 maturantë përfunduan vitin me mesatare të lartë, duke e renditur shkollën të parën në Qark. Mes tyre spikati Melina Naço, e vlerësuar me “Medalje Ari” për rezultatet e larta. Shkolla u dallua edhe për pjesëmarrjen në konkurse të shumta: nxënësit fituan “Korça ICT Hackathon” me projektin “Transporti inteligjent”, morën çmime në konkurset kombëtare të debatit dhe eseve, si edhe në olimpiadat e historisë. Në arenën ndërkombëtare, binjakëzimet me shkollat e Spartës dhe Zakinthos dhe pjesëmarrja në konkursin me ese në gjuhën greke të Shoqatës “Ekaterini Laskaridi” sollën sërish vlerësime të larta për nxënësit korçarë.

Në Gjirokastër, 225 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Frymë Dashurie” e mbyllën vitin shkollor me rezultate që e vendosën shkollën në krye të listës së arritjeve. 19 nxënësit e klasës IX arritën një mesatare 9.56 në provimet kombëtare, duke ngritur flamurin e shkollës në vend të parë në Kartën e Performancës. Çmimet e para nuk munguan: nga “Kuizi i Parasë” i Bankës së Shqipërisë, tek çmimi i parë në e-Twinning, e deri tek pjesëmarrja në fazat e larta të konkursit kombëtar të gjuhës shqipe, çdo sukses u bë gur krenarie në kështjellën e dijes. Ndërkohë, gjimnazi “Frymë Dashurie” me 81 nxënës dhe 34 maturantë u rendit në vendin e dytë në Kartën e Performancës, me një mesatare të provimeve 8.77. Viti u kurorëzua me dy arritje të veçanta: çmimin prestigjioz europian “e-Twinning School” 2024-2025, si dhe çmimin e parë në diasporë me filmin e metrazhit të shkurtër “Kur të nisesh për udhëtimin drejt Itakës”.

Në Mesopotam, gjimnazi dhe shkolla mesme profesionale “Frymë Dashurie” u shndërruan në dritare të hapura drejt dijes. Në gjimnaz, 50 maturantë u diplomuan me kalueshmëri 100% dhe me mesatare 9.1, duke e renditur shkollën të parën në rajon, ndërsa tre prej tyre u shpërblyen me “Medalje Ari”. Sukseset u pasqyruan edhe në aktivitete: vajzat e shkollës fituan vendin e parë në kampionatin kombëtar të shahut, ndërsa nxënësit sollën medalje ari e argjendi nga Olimpiada e Gjuhës Greke në Bukuresht. Në shkollën profesionale, 43 maturantë e përfunduan ciklin me rezultate të larta, duke dëshmuar se formimi profesional mbetet një alternativë e vlefshme dhe premtuese për të rinjtë e sotëm.

Kështu, nga Tirana në Shkodër, nga Durrësi në Elbasan e Cërrik, nga Lushnja e Vlora deri në Pogradec, Korçë, Gjirokastër, Përmet e Mesopotam, Fondacioni “Fryma e Dashurisë” përmbylli një vit shkollor të mbushur me medalje dhe çmime, me mesatare të larta dhe suksese në skenën kombëtare e ndërkombëtare. Por mbi të gjitha, ky vit dëshmoi se arsimi nuk është thjesht proces mësimor, por një udhëtim shpirtëror.

Me mbështetjen e pakursyer të Kryepiskopit Joan, me veprimtarinë e Fondacionit “Fryma e Dashurisë” të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe me përkushtimin e palodhur të mësuesve dhe dashurinë e prindërve, ky udhëtim merr kuptim më të thellë: formimin e fëmijëve e të rinjve jo vetëm si nxënës të mirë, por si njerëz të ndershëm, të përgjegjshëm dhe bartës të dritës në çdo hap të jetës së tyre. Viti i mbyllur shkollor mbetet një faqe e bekuar, që hap menjëherë kapitullin e radhës, me të njëjtën dashuri për dijen dhe me të njëjtin besim se e ardhmja ndërtohet mbi themelet e së mirës.

Andi Rembeci
Drejtori Fondacionit “Fryma e Dashurisë”