NJOFTIM
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë njofton se nga dt. 13 deri më 17 qershor 2025, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, së bashku me një delegacion, do të kryejë vizitë zyrtare paqësore në Patriarkanën Ekumenike në Stamboll.
Delegacioni do të përbëhet nga Mitropoliti i Fierit dhe Apollonisë, Hirësi Nikolla; i Beratit, Hirësi Asti; Episkopi i Krujës, Hirësi Anastasi, njëkohësisht Protosingjel i Kryepiskopatës së Shenjtë; Protopresviter Atë Jani Mërkuri, Epitrop Arkihieratik i Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës; Kryedhjakoni Johan Koroveshi dhe z. Andrea Rëmbeci, Profesor i Universitetit të Tiranës dhe drejtor i Fondacionit “Fryma e Dashurisë”.
Vizita kryhet në kuadrin e vizitave tradicionale paqësore që kryejnë Primatët e Kishave Orthodhokse, që nisin nga Patriarkana Ekumenike, e cila mban vendin e parë të nderit, dhe vijojnë në të gjitha Kishat Orthodhokse.
Kjo vizitë është shprehje e unitetit të Kishës në Shpirtin e Shenjtë.
Zyra e Shtypit e Kryepiskopatës
Tiranë, më 11 qershor 2025
Mbërritja në Stamboll
Më 13 qershor 2025, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Stambollit, i shoqëruar nga delegacioni zyrtar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në përbërje të të cilit ishin Mitropoliti i Fierit dhe Apolonisë, Hirësi Nikolla; Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti; Episkopi i Krujës dhe Protosingjel i Kryepiskopatës, Hirësi Anastasi; Protopresviter Jani Mërkuri, Epitropi Arkihieratik i Mitropolisë së Gjirokastrës; Kryedhjaku Johan Koroveshi dhe z. Andi Rembeci, Profesor i Universitetit të Tiranës dhe Drejtor i Fondacionit “Fryma e Dashurisë”. Kryepiskopi u prit me nderime nga Mitropoliti i Sillivrisë, z. Maksim, nënsekretari i Sinodit të Shenjtë, dhjakon Ikumeni, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll, z. Armand Shandro.
Vizita në Patriarkanën Ekumenike
Të nesërmen, më 14 qershor 2025, Kryepiskopi Joan, i shoqëruar nga delegacioni zyrtar, vizitoi Patriarkanën Ekumenike në Fanar. Delegacioni u përcoll nga Mitropoliti i Smirnës, Hirësia e Tij, Bartholomeu dhe Singjeli i Madh, atë Jeronimi, ndërsa në hyrje u prit nga Mitropoliti i Kalqedonës, Emanueli, njëherësh Kryetar i Komisionit për Çështjet Ndërorthodhokse, nga anëtarë të oborrit patriarkal, si edhe nga klerikë të Kryepiskopatës së Shenjtë të Kostandinopojës dhe të Mitropolive të Kalqedonës, të Dherkonit dhe të Prinkiponisit.
Në kishën patriarkale të Shën Gjergjit u kremtua Dhoksologjia, e kryesuar nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan. Më pas, në Sallën e Fronit, Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e tij, z. Bartholome mbajti fjalën e mirëseardhjes, ndërsa Kryepiskopi Joan, në përgjigjen e tij, theksoi rëndësinë e unitetit të Orthodhoksisë dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet kishave motra.
Liturgjia e përbashkët Hyjnore në Fanar
E diela, më 15 qershor 2025, shënoi kulmin shpirtëror të vizitës. Në kishën historike të Shën Gjergjit, Kryepiskopi Joan bashkëkryesoi Liturgjinë Hyjnore të të Dielës së të Gjithë Shenjtorëve me Tërëshenjtërinë e Tij, Patriarkun Ekumenik, z. Bartholome, si edhe me hierarkë nga Shqipëria dhe nga Patriarkana. Atmosfera e shërbesës ishte e mbushur me frymë uniteti dhe dashurie vëllazërore.
Pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore u shkëmbyen përshëndetje dhe dhurata simbolike. Më pas, Patriarkana Ekumenike shtroi një drekë zyrtare në nder të Kryepiskopit Joan dhe delegacionit shoqërues në restorantin “Halat by Divan”, në zonën historike të Piri Pashës. Në këtë drekë morën pjesë Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Bartholomeu, Mitropoliti i Mirës, Hirësia e Tij Krisostomi, Ekleziarku i Madh, si edhe personalitete të tjera të larta kishtare.
Takimet në komunitetet e Bosforit
Gjatë pasdites së të dielës, u zhvilluan vizitat në komunitetet historike orthodhokse të Bosforit. Në Kishën e Taksiarkëve të Mëdhenj, në Megalo Reuma (Arnavutkoy) – një lagje e njohur për lidhjet e saj të hershme me shqiptarët e Epirit, të vendosur aty nga Sulltan Mehmeti II pas rënies së Kostandinopojës – Kryepiskopi Joan u prit nga Mitropoliti i Kydonieve, Athinagora dhe klerikë të tjerë. Kryepiskopi u shoqërua nga Mitropoliti i Dherkonit, Hirësi Apostoli, Eklesiarku i Madh, atë Aeti, nënsekretari Ikoumeni dhe dhjak Evlogji, kodikograf i Sinodit të Shenjtë. Komuniteti i Megalo Reumas shtroi një darkë zyrtare për nder të Kryepiskopit Joan dhe delegacionit nga Shqipëria, ku nderoi me praninë e tij Patriarku Ekumenik, z. Bartholome.
Më 16 qershor 2025, Kryepiskopi Joan vizitoi komunitetin e Neohorit (Yenikoy), një nga qendrat e rëndësishme të besimtarëve ortodoksë në Bosfor. Në nder të tij, komuniteti organizoi një mëngjes ku mori pjesë edhe Patriarku Ekumenik Vartholomeu. Këto vizita në Megalo Reuma dhe Neohor, ndër komunitetet më të lashta ortodokse të Bosforit, forcuan ndjenjën e vëllazërisë kishtare, duke lidhur historinë me të tashmen.
Vizita në Shkollën Teologjike të Halkit
Po atë ditë, delegacioni vizitoi Shkollën Teologjike të Halkit, në manastirin e Shën Triadhës, ku Kryepiskopi Joan u prit me nderime nga Episkopi i Aravisos, Hirësi Kasiani, igumen i manastirit dhe nga komuniteti murgjëror. Vizita nisi me një lutje në katholikonin e manastirit, për të vijuar më pas me pritjen dhe vizitën në ambientet e Shkollës Teologjike të Halkit. Ky institucion i shquar, që ka një vend të veçantë edhe në historinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pasi aty janë formuar breza klerikësh shqiptarë, mes tyre edhe Kryepiskopi i ndjerë Kristofor (Kissi) dhe hierarkë të tjerë të Kishës sonë. Vizita u përmbyll me një drekë në nder të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan dhe delegacionit të Kishës sonë.
Darka solemne në rezidencën patriarkale
Në mbrëmjen e 16 qershorit 2025, Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, z. Bartholome, shtroi një darkë në rezidencën patriarkale në Fanar në nder të Kryepiskopit Joan dhe delegacionit nga Shqipëria. Kjo darkë përmbylli me ngrohtësi vëllazërore një seri takimesh të rëndësishme zyrtare, që thelluan më tej lidhjet historike e shpirtërore midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës.
Vizitat në monumentet bizantine: Shën Sofia dhe Hora
Më 17 qershor 2025, Kryepiskopi Joan dhe delegacioni i Kishës sonë vizituan dy monumente madhështore të trashëgimisë bizantine: Shën Sofinë, kryekishën e Perandorisë Bizantine, dhe Manastirin e Shpëtimtarit në Horë, të njohur për ikonografinë e tij të jashtëzakonshme. Këto vende të shenjta mbeten dëshmi të gjalla të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të krishterimit në shekuj. Vizita u përmbyll me një drekë në komunitetin e Vllangës, ku morën pjesë Mitropoliti i Sillivrisë, Maksimi, Mitropoliti i Kaliupoleos, Stefani, si dhe klerikë e përfaqësues të komunitetit lokal.
Përfundimi i vizitës dhe përcjellja zyrtare
Në mesditë, delegacioni i Kishës sonë u përcoll me nderim drejt aeroportit të Stambollit, i shoqëruar nga Mitropoliti i Sillivrisë, z. Maksim, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll, z. Armand Shandro, si edhe nga përfaqësues të tjerë të Patriarkanës Ekumenike.
Vizita pesëditore e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, në Patriarkanën Ekumenike të Kostandinopojës, përbënte një ngjarje të rëndësishme në historinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Çdo moment i saj dëshmoi unitetin shpirtëror dhe lidhjet e gjalla ndërmjet Kishës Nënë të Kostandinopojës dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kjo vizitë historike nuk ishte vetëm një veprim protokollar, por një shprehje e qartë e dashurisë vëllazërore dhe e kujdesit të ndërsjellë; një dëshmi e fortë e rrugëtimit të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe ruajtjen e unitetit orthodhoks; një dëshmi e gjallë e vazhdimësisë së traditës orthodhokse.
Andi Rembeci
Profesor në Universitetin e Tiranës
Drejtor i Fondacionit “Fryma e Dashurisë”