Më 3-4 qershor 2025 u mbajt panairi i përvitshëm i Shën Joan Vladimirit, mbretit të lavdëruar e çudibërës, në Shijon të Elbasanit, në manastirin që mban emrin e këtij shenjtori të madh të Kishës sonë, nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit.
Për të nderuar kujtimin e shenjtorit u mblodhën qindra shpresëtarë, klerikë dhe laikë, nga mbarë vendi por edhe nga vendet fqinje: Mali i Zi, Maqedonia e Veriut etj.
Kremtimet e këtij panairi filluan që në mbrëmjen e 3 qershorit, me agripninë e drejtuar nga Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili. Panairi u shoqërua edhe nga një mbrëmjë me muzikë klasike.
Liturgjia Hyjnore dhe litania e lipsanit të shenjtorit përreth kishës, më 4 qershor, u kryesuan nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, në bashkëmeshim me Mitropolitin e Elbasanit, Hirësi Andonin; Episkopin e Krujës, Hirësi Anastasin, dhe klerikë vendas dhe nga rajoni.
Për të uruar besimtarët orthodhoksë erdhën edhe autoritete vendore dhe qendrore.