Në 18 maj 2025, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, pas Liturgjisë Hyjnore u zhvillua ceremonia e diplomimit të dy brezave të psalëve (2021-2023 dhe 2022-2024) të Shkollës së Muzikës Bizantine. Ceremonia u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, me praninë e Mitropolitit të Amantias, Nathanailit dhe Episkopit të Krujës, Anastasit, drejtorit të shkollës, PhD.c Theodhor Peci, stafit pedagogjik, klerikëve dhe besimtarëve të shumtë.
Gjashtë psaltë të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë përfunduan me sukses programin dyvjeçar: Eldi (Andon) Andoni, Vasil Nano, Gabriel Stojko, Flori (Joan) Tupa, Dhimitër Çilingiri dhe Minuel (Emanuel) Çollaku.
Në fjalën e tij, drejtori i shkollës, nënvizoi rolin e shenjtë të muzikës kishtare, duke kujtuar fjalët e Fortlumturisë së Tij, imzot Joanit se “muzika e lindur në tempull na fut në një dimension që kapërcen kohën dhe hapësirën”. Ai kujtoi vizionin e Kryepiskopit të paharruar Anastas për themelimin e shkollës në vitin 2012. Shkolla ka diplomuar mbi 60 psaltë si dhe ka krijuar një trashëgimi të pasur liturgjike e muzikore me 11 libra muzikorë dhe 5 liturgjikë. Ndër të tjera përmendi edhe veprimtarinë e Korit Bizantin “Shën Joan Kukuzeli” si dhe praninë e gjallë të shkollës në jetën akademike e mediatike të vendit.
Ceremonia u mbyll me fjalën frymëzuese të Fortlumturisë së Tij, imzot Joanit, i cili theksoi: “Falënderoj z. Theodhor Peci për përkushtimin e tij në përgatitjen e psaltëve. Siç u tha, psaltët janë shumë të rëndësishëm në kishë. Liturgjia merr një tjetër bukuri kur ke psaltë të mirë, dhe muzika depërton, madje flet shpeshherë shumë më fort se sa edhe fjalët, sepse ngre lart emocionet. Prandaj psaltët duhet ta bëjnë gjithmonë punën me përkushtim, sepse t’i këndosh Perëndisë është një privilegj shumë i madh. Siç thotë psalmisti: ‘Do t’i psal Perëndisë gjithë jetën time’. Çdo njeri, çdo i krishterë, duhet të jetë një psalt, pavarësisht se sa bukur mund ta ketë zërin ose jo, duke i kënduar Perëndisë me zemër. Ne i afrohemi Perëndisë, prandaj dhe muzika është shumë e rëndësishme. Madje, nëse do të njohësh qytetërimin e një vendi, shiko si festojnë edhe si këndojnë. Muzika tregon shumë më tepër se çdo gjë tjetër, edhe nivelin kulturor dhe shpirtëror të një vendi. Prandaj kultivimi i muzikës kishtare, nëpërmjet përgatitjes së psaltëve, është një pjesë shumë e rëndësishme e ungjillëzimit, sepse përhapet një frymë jashtëzakonisht e mirë. Edhe një herë, ju uroj psaltëve që të vazhdojnë atë që thotë Davidi në psalmet e tij: ‘Do t’i psal Perëndisë gjithmonë’. Psalini Perëndisë, sepse do të keni gëzim në jetën tuaj, dhe këtë gëzim do ta përhapni edhe tek të tjerët. Ju uroj juve një jetë të gjatë dhe që të jeni të devotshëm në shërbimin e Kishës”.
Në përfundim të ceremonisë iu ndanë diplomat psaltëve të rinj të shoqëruara me urime për shërbim të denjë brenda Kishës.