EmailFacebookKontakt

Pjesëmarrje në hidhërimin për fjetjen e Papa Franceskut

Më 21 prill 2025 ndërroi jetë Papa i Romës, Shkëlqesia e Tij, Francesku, i cili për 12 vjet ishte udhëheqës shpirtëror i Kishës Romano-Katolike.

Më poshtë, letra ngushëlluese e Kryepiskopit të Tiranës dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Joanit, me rastin e jetëndërrimit të Papës:

Duke marrë pjesë në hidhërimin për fjetjen e Papës së Romës, Françeskut, dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona ndaj klerit dhe besimtarëve të Kishës Romano-Katolike.

Gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë, ai gjithmonë tregoi një përkushtim të thellë ndaj shpalljes së Ungjillit në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, veçanërisht përmes kujdesit të tij të sinqertë për të varfërit dhe të margjinalizuarit.

Veçanërisht vlerësojmë përpjekjet e tij të sinqerta për të nxitur një mirëkuptim më të madh ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe asaj Katolike. Sjellim ndër mend fjalët e tij gjatë takimeve me përfaqësuesit e Kishës Orthodhokse: “Ecim së bashku si vëllezër në rrugën e mëshirës dhe të dashurisë”.

Me shpresën tek Krishti i Ngjallur i Cili: “…do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund” (Zb. 21:4), lutemi që Zoti ynë, Ati i mëshirshëm, t’i japë prehje shpirtit të tij.

I përjetshëm kujtimi!

Homazhe në Vatikan për Papa Françeskun

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Joani, së bashku me Episkopin e Krujës, Anastasin, më 25 prill 2025, morën pjesë në funeralin e Papa Françeskut, si një përfaqësi e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në mëngjesin e kësaj dite ata kryen homazhe në nderim të Papa Franceskut në bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Gjatë pasdites, së bashku me krerët e besimeve të tjera fetare, ata iu bashkuan delegacionit shqiptar të kryesuar nga Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij, z. Bajram Begaj dhe, së bashku me Presidenten e Kosovës znj. Vjosa Osmani si edhe Kardinalin Ernest Simoni, kryen homazhe si një përfaqësi e vendit tonë.