I nderuar Sinod i Shenjtë,
Fortlumturi Joan,
Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë,
Të nderuar besimtarë ortodoksë dhe të pranishëm,
Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot mes jush në këtë ditë të shënuar për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Dita e sotme është një ditë historike për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe për gjithë shoqërinë shqiptare.
Me fronëzimin tuaj sot si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Ju, Fortlumturi, radhiteni krahas Prelatëve, paraardhësve tuaj: Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Pais Vodica, Damian Kokoneshi dhe Anastas Janullatos. Secili prej tyre, me veçantinë dhe dhuntinë e tij ka luajtur një rol të çmuar në shpalljen dhe njohjen e Autoqefalisë së Kishës sonë Ortodokse.
Fronëzimi i Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkop Joan, shënon një kapitull të ri në jetën shpirtërore të vendit tonë, Fronëzimi juaj përkon me një vit të veçantë, ku i gjithë krishterimi kujton 1700-vjetorin e Koncilit të Parë Ekumenik të Nikeas. Aty, ndër të tjera, u formuluan nenet e para të kredos kristiane, u vendos parimi i sinodalitetit të Kishës Universale si një parim demokratik dhe mënyra e saktë e përllogaritjes së datës paskale, si dhe u sanksionua festimi i Pashkëve nga të gjithë krishterët e të gjithë botës në të njëjtën ditë. Zoti e bëri të mundur që në këtë vit përkujtimor të gjithë të krishterët e botës do ta festojnë bashkërisht Pashkën, duke na rikujtuar rëndësinë e përafrimit, të bashkimit dhe kungimit të plotë, ashtu siç ishte për një mijë vitet e para të historisë së Krishterimit.
Nga kjo katedrale e shenjtë le të përcjellim sot një mesazh që tejkalon kufijtë e besimit dhe fton të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të përulur, më të bashkuar, më të vëllazëruar.
Në këtë ditë të bekuar, ju uroj që shërbesa juaj të jetë e qetë, e gjatë, e ndritur dhe frymëzuese! Lutem që Zoti t’ju japë forcë, mençuri dhe përulësi në këtë rrugëtim fisnik!
Qofshi gjithmonë shembull i përkushtimit dhe i dashurisë për besimtarët dhe për gjithë shoqërinë tonë.
Qofshi një udhëheqës që ndërton ura, që nxit bashkëjetesën, që forcon besimin, që përhapni dashuri, paqje, shpresë dhe drejtësi mes njerëzve.
Në këtë mision të madh ju nuk do të jeni vetëm. Kisha besimtarët dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë me ju dhe shteti do të mbështesë gjithçka që shërben për të mirën e njerëzve, që forcon harmoninë dhe bashkëjetesën mes besimeve, që forcon mirëkuptimin dhe vlerat që na bashkojnë.
Në fund, më lejoni të bashkohem edhe unë me lutjet dhe urimet e besimtarëve të Shqipërisë e më gjerë, që vitet tuaja në drejtimin e grigjës ortodokse shqiptare të jenë të shumta, të bekuara e të frytshme, në mbrojtje të të drejtave dhe interesit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe të kombit shqiptar. Zoti qoftë me ju në çdo hap të këtij udhëtimi fisnik!