EmailFacebookKontakt

Fjala e Mitropolitit të Kalqedonisë, Hirësi Emanuelit

Fortlumturia Juaj, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Joan,
Hirësitë Tuaja,
Etër të nderuar,
Të respektuar personalitete
Të dashur vëllezër e motra më Krishtin,

Jemi mbledhur sot nën kupolën e qiellit, të përqafuar nga hiri hyjnor dhe të rrethuar nga reja e madhe e dëshmitarëve, për të përkujtuar një moment me rëndësi të jashtëzakonshme shpirtërore në jetën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Si delegatë të përulur të Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, z. Bartholome dhe të Kishës Mëmë të Kostandinopojës, i përcjellim kësaj mbledhjeje solemne kishtare përshëndetjet më të përzemërta dhe bekimet apostolike.

Jehona e gëzueshme e kambanave të kishave në mbarë Shqipërinë ka shpallur me hare zgjedhjen Tuaj, Fortlumturi, duke na thirrur të marrim pjesë në këtë kremtim të shenjtë të Fronëzimit. Ky dorëzim sakramental i shkopit baritor hierarkik nuk përfaqëson thjesht një kalim simbolik, por shpreh një vazhdimësi të pandërprerë brenda Trupit të gjallë të Krishtit. Sot, qëndrojmë në pragun e një kapitulli të ri të historisë së lashtë e të nderuar të Orthodhoksisë në këto troje, një histori e gdhendur me martirizim, besim të palëkundur dhe me forcën e pamohueshme të Ngjalljes nga hiri i persekutimit.

Dëgjojmë fjalët e përjetshme të Shkrimit të Shenjtë, ku thuhet: “Drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e mundi dot” (Jn. 1:5). Pa asnjë dyshim, kjo dritë hyjnore vazhdon të ndriçojë me vendosmëri përpara udhën e popullit shpresëtar dhe qëndrestar të Shqipërisë.

Ndjejmë se qëndrojmë në një prag të shenjtë, aty ku fundi dhe fillimi ndërthuren përmes misterit të përjetshëm të trashëgimisë apostolike. Kalimi që kremtojmë sot nuk është thjesht një ceremoni institucionale, por një realitet i thellë dhe i shenjtë.

Shërbesa e paraardhësit Tuaj, Kryepiskopit të ndjerë Anastas, mishëroi misterin paskal, që është thelbësor në besimin tonë orthodhoks. Përballë shkretimit së plotë të vendit – me kisha të rrënuara, klerikë të shpërndarë, besimtarë të detyruar të fshehin përkushtimin e tyre – ai nuk pa fundin e varrosjes, por me sytë e besimit, dalloi potencialin transformues të Ngjalljes. Fjalët e tij në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kretës (qershor 2016) e përmbledhin qartë këtë vizion: “Që Orthodhoksia të përmbushë misionin e saj në zhvillimet globale, duhet, para së gjithash, të ruajë të paprekur karakterin e saj sakramental dhe shpëtimtar. Në të njëjtën kohë, duhet të jetë e ndjeshme ndaj vuajtjes, ankthit dhe klithmës së popujve për paqe dhe drejtësi”.

Nën udhëheqjen e tij themeluese baritore, Kisha përjetoi një anastasis – një ngjallje të vërtetë. Aty ku më parë mbretëronte heshtja, u lartuan himnet kishtare; aty ku gjendeshin rrënojat, u ngritën kishat e shenjta; aty ku drita e dijes kishtare ishte shuar, u ndezën pishtarët e arsimit. Kjo ringjallje dinamike, veçanërisht në një epokë ku shumëkush shpall rënien e besimit, qëndron si një ikonë e gjallë shprese, duke dëshmuar me forcë se gjallëria e Kishës buron natyrshëm nga veprimi i mistershëm i hirit hyjnor. Kjo trashëgimi besnike ndaj Traditës, si burim i përtëritjes, na kujton se Tradita nuk është një realitet i ngurtë, por një rrjedhë e gjallë. Me mirënjohje nderojmë këtë shërbesë themeltare.

Fortlumturia juaj, Kryepiskopi Joan, sot ju merrni mbi supe mantelin e shenjtë baritor të grigjës së Krishtit. Rrëfimi i jetës Suaj është thellësisht i ndërthurur me mozaikun e gjallë të Kishës, të cilën tashmë jeni thirrur të udhëhiqni; një histori e thurur me besim të fshehtë, me befasinë e hirit dhe me lulëzimin e mrekullueshëm të besimit. Vazhdimësia e shërbesës apostolike, për të cilën sot jemi dëshmitarë, mishëron misterin e gjallë përmes të cilit Krishti i përjetshëm mbetet i pranishëm dhe veprues në Kishën e tij. Vënia e duarve gjatë dorëzimit nuk është thjeshtë një akt solemn, por një lidhje e shenjtë, sakramentale dhe e drejtpërdrejtë me vetë Apostujt. Rrugëtimi Juaj i veçantë, që nga fillimet e besimit të jetuar në fshehtësi, përmes formimit të përkushtuar teologjik jashtë vendit, deri te kthimi për t’i shërbyer Kishës së Ngjallur, ju ka përgatitur pikërisht për këtë orë të shenjtë.

Foti i Madh e i Shenjtë na kujton se uniteti i Kishës është një arkë shpëtimi: “Çdo shpirt i gjallë duhet të mblidhet brenda së vetmes arkë të Kishës, larg stuhisë së përmbytjes së tanishme…”. Ky vizion i lartë dhe shpëtimprurës ndriçon shërbesën Tuaj brenda kungimit të patjetërsueshëm të Kishave Orthodhokse, të bashkuara përmes besimit të përbashkët dhe kungimit të qëndrueshëm eukaristik.

Ndërsa merrni në mënyrë solemne këtë detyrë të shenjtë, ju bëheni mishërimi i vazhdimësisë së shërbesës apostolike, duke hapur njëherazi një kapitull të ri dhe duke përçuar etosin kenotik, shërbesën e përulësisë dhe të vetëzbrazjes, sipas shembullit të vetë Krishtit. Shërbesa juaj baritore shtrihet në rrathë të përqendruar: nga grigja vendore që ju është besuar, te Kishat motra Orthodhokse në tërë botën, dhe më gjerë, te mbarë familja njerëzore.

Kisha Mëmë e Konstandinopojës përcjell bekimet e saj për këtë fronëzim, duke e njohur njëkohësisht si përmbushjen kulmore të një përkushtimi të gjatë kishtar dhe si agimin e një etape të re të rritjes shpirtërore nën udhëheqjen tuaj. Shërbesa apostolike që mbartni ju lidh ngushtësisht me zinxhirin e pandërprerë të trashëgimisë së shenjtë dhe, njëkohësisht, ju shtyn përpara, drejt hapësirave të reja të dëshmisë dhe të shërbesës, në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.

Fortlumturi, udha që shtrihet përpara jush kërkon nderimin e themeleve të lashta të Traditës, ndërkohë që u përgjigjet me besnikëri nevojave të reja të njeriut të sotëm, duke vijuar kështu rrugëtimin e Ngjalljes që tashmë ka marrë jetë. Uniteti i Kishës, kjo perlë me vlerë të paçmuar, duhet të mbetet në qendër të vizionit dhe veprës baritore. Në një epokë që shpesh karakterizohet nga përçarja dhe fragmentimi, uniteti i Orthodhoksisë ofron një dëshmi të fuqishme bashkimi eukaristik, që sfidon frymën e kohës dhe tejkalon ndarjet tokësore e përçarjet e kësaj bote. Patriarkana Ekumenike, në rolin dhe misionin e saj të thellë historik, vijon të kujdeset me përkushtim për këtë kungim panorthodhoks, duke nxitur dialogun, bashkëpunimin e bashkërendimin mes Kishave Motra.

Ky unitet thelbësor nuk shprehet përmes një uniformiteti të ngurtë, por përmes një harmonie të pasur dhe simfonike, një bashkërendimi të mrekullueshëm dallimesh, ku shumëzëshmëria nuk prish, por e pasuron tërësinë. Ky është modeli që pasqyron vetë jetën hyjnore. Komentuesi Ikumeni i Trikës, duke i bërë jehonë mësimit të Shën Kirilit mbi unitetin më Krishtin, vëren me thellësi se: “Aty ku ka një bashkim sipas hipostazës, çdo dyshim për ndarje është i përjashtuar; sepse njohja e ndryshimit të natyrave nuk do të thotë ndarje e tyre…”. Kësisoj, pranimi i dhuratave të ndryshme brenda trupit të Kishës nuk shpreh ndarje, por dëshmon pasurinë e hireve të bashkuara në një Zot, përmes besimit të përbashkët dhe pjesëmarrjes në jetën e Trinisë së Shenjtë.

Duke parë me shpresë dhe besim drejt së ardhmes, Kisha thirret të ripërtërijë dëshminë e saj apostolike, në një dëshmi që përkon me aspiratat e njeriut bashkëkohor, mes sfidave të shekullarizimit dhe mjegullës shpirtërore. Në këtë kontekst, fjalët profetike të Kryepiskopit të ndjerë Anastas mbeten më aktuale se kurrë: “…thirrja e psalmistit mbetet urdhëruese në çdo kohë: “Këndojini Zotit një këngë të re…”. Kjo “këngë e re” nuk lind nga braktisja e urtësisë së lashtë, por nga ripërtëritja e saj e frymëzuar në një dialog të ndershëm me përvojën njerëzore, në dritën e Shpirtit të Shenjtë. Ajo është një këngë që sjell në dritë “të reja dhe të vjetra” nga thesari i Traditës së Shenjtë. Vizioni orthodhoks i tërësisë së pandarë ofron një perspektivë shëruese në një botë të copëzuar. Kjo është kënga e re që Kisha është thirrur ta këndojë me zë të qartë, me urtësi dhe me guxim të bekuar.

Dhurata e veçantë dhe e çmuar që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë i ofron mbarë Ikumenit është vetë dëshmia e saj e gjallë dhe jetëprurëse për Ngjalljen, një prani e mishëruar e të vërtetës se drita e besimit mund të mbijetojë edhe në mes të persekutimit më të errët dhe të ringjallet me një fuqi të re, të ripërtërirë. Ky përjetim paskal, i ngulitur thellë në kujtesën e grigjës suaj, i jep Kishës që udhëhiqni një zë të veçantë e të qartë në kohën tonë, për të dëshmuar mbi fuqinë krijuese të Traditës Orthodhokse për të lindur jetë re, edhe aty ku çdo shpresë duket e shuar.

Qoftë ky fronëzim solemn jo thjesht një akt kalimi, por një përkushtim i përbashkët, i thellë dhe i ripërtërirë ndaj misionit të përjetshëm të Kishës: të dëshmojë me besim të patundur dritën transformuese të Krishtit, e cila ndriçon udhën drejt shërimit dhe kungimit për mbarë krijimin. Zoti ju dhëntë, Fortlumturi, urtësi dhe forcë për shumë vite të bekuara në shërbesën tuaj kryebaritore, vite të mbushura me fryte dhe me praninë e Shpirtit të Shenjtë.

Sepse, me të vërtetë, “Perëndisë, që mund të bëjë shumë më tepër sesa gjithçka që i kërkojmë ose mendojmë, falë fuqisë që vepron në ne, atij i qoftë lavdia përmes Kishës e përmes Krishtit Jisu për të gjitha brezat, në shekuj të shekujve. Amin.” (Efes. 3:20-21)

Axios! Worthy! I denjë!