EmailFacebookKontakt

Fjala e Ikonom Atë Aleks Ndonit

Fortlumturi!
Sot është një ditë e gëzimi për të gjithë ne klerikët dhe besimtarët orthodhoksë. Jemi mbledhur me shumë dashuri, mirënjohje dhe respekt për të kremtuar fronëzimin tuaj si Kryebariu ynë.

Më lejoni, që në emër të të gjithë klerikëve dhe besimtarëve të kryepiskopatës, t’ju shprehim urimet tona më të sinqerta për zgjedhjen tuaj si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë. Zoti ju dhëntë shëndet, jetëgjatësi, fuqi shpirtërore dhe urtësi, që të përmbushni përgjegjësinë e madhe që ju është besuar. Le të jetë fronëzimi juaj një dritë e re, një burim hiri për çdo shpirt që kërkon Zotin, dhe një bekim i përjetshëm për Kishën tonë.

Gjithë rrugëtimi i Kryepiskopit Joan që nga fillimi e deri më sot është një rrugëtim përkushtimi ndaj Krishtit dhe Kishës, një rrugëtim ku ka mbizotëruar dashuria, përulësia, mirënjohja ndaj gjithë besimtarëve orthodhoksë. Këto cilësi i ka shpalosur më së miri për 27 vjet në krye të Mitropolisë së Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës. Si mitropolit i Korçës, ka dhënë një kontribut të çmuar në restaurimin dhe ndërtimin e shumë kishave dhe manastireve, duke kthyer kështu jetën shpirtërore në këtë komunitet. Ka dhënë një kontribut të çmuar në përkthimin e shumë teksteve teologjikë, dhe është autori i tekstit të parë të Dogmatikës në gjuhën shqipe. Si themeluesi dhe drejtuesi i revistës periodike “Tempulli”; ka kontribuar në përhapjen e njohurive teologjike dhe kulturore në komunitet. Roli i Fortlumturisë së tij, Imzot Joanit, është vlerësuar jo vetëm në aspektin shoqëror por edhe në atë humanitar. Me iniciativën e tij është hapur në Korçë një mensë që prej 27 vjetësh, që ndihmon çdo ditë njerëzit në nevojë.

Fortlumturi Joani ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri, duke marrë pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, mbi teologjinë, historinë dhe filozofinë. Për këto kontribute ai është nderuar me tituj të spikatur në fushën e kulturës, arsimit dhe dialogut ndërfetar. Këto arritje, si dhe përkushtimi i tij i palodhur, kanë pasur rol kyç në ringjalljen e besimit dhe përmirësimin e jetës shpirtërore dhe sociale, në Mitropolinë e Korçës dhe më gjerë.

Në këtë ditë të shenjtë zemrat tona kthehen me respekt drejt kujtimit të Kryepiskopit tonë të ndjerë Anastas, figura e të cilit do të mbetet një model frymëzimi për të gjithë ata që besojnë në vlerat e paqes, dashurisë dhe shërbimit ndaj njerëzve. Kryepiskopi i sapozgjedhur, Fortlumturi Joani, ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë, i të ndjerit Kryepiskop Anastas për 32 vjet rresht, duke kontribuuar përkrah tij, në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar në Shqipëri. Kjo përvojë kaq e madhe e ka përgatitur për detyrën e re dhe sfidat që e presin në të ardhmen. Shprehim besimin dhe shpresën se nën udhëheqjen e Kryepiskopit të ri, Kisha jonë do të vijojë të rritet e të forcohet, duke ndjekur trashëgiminë e lënë nga Kryepiskopi i ndjerë Anastas, duke u përshtatur me nevojat e Kishës sonë.

Le të falënderojmë Perëndinë e Gjithëpushteshëm, burimin e çdo bekimi që na ka dhuruar këtë ditë të mrekullueshme dhe këtë udhëheqës të ri.

Sot, të gjithë ne klerikët dhe besimtarët, po shohim në këtë moment historik, një shenjë të fuqishme, të vazhdimësisë, shpresës dhe përkujdesjes hyjnore për popullin e Zotit. Prandaj, Fortlumturi, ju siguroj se: dashuria, respekti, bindja dhe mbështetja e klerit dhe besimtarëve në misionin tuaj të shenjtë, nuk do të mungojë kurrë.

Duke qenë të vendosur në unitet dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do të përmbushim synimet tona të përbashkëta.

Të lutemi të gjithë së bashku, që Perëndia t’i japë Kryepiskopit Joan forcën, urtësinë dhe hirin e nevojshëm, për ta çuar përpara këtë mision të shenjtë.

Për shumë vjet o Kryezot!
Përgjithmonë qofsh i denjë, në krye të Kishës sonë!
Lavdi Zotit për gjithçka!