Letër urimi nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave (World Council of Churches – WCC) Prof. Dr. Jerry Pillay
Fortlumturia Juaj,
Në emër të Këshillit Botëror të Kishave (WCC), ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për zgjedhjen tuaj si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë. Hiri i Perëndisë tonë Triadik – Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë – e drejtoftë dhe e fuqizoftë shërbesën tuaj të re për të udhëhequr besimtarët dhe për të dëshmuar Ungjillin e Krishtit në Shqipëri dhe më gjerë.
Zgjedhja juaj si Primat i Kishës së Shqipërisë është dëshmi e urtësisë suaj të thellë teologjike, besimit të palëkundur dhe shërbimit të palodhur për Kishën Orthodhokse të Shqipërisë. Jemi veçanërisht mirënjohës për kontributin tuaj aktiv në lëvizjen ekumenike dhe për angazhimin tuaj të gjatë me Këshillin Botëror të Kishave. Pjesëmarrja juaj në dialogun ndër të krishterë, veçanërisht në forcimin e mirëkuptimit mes Kishave Orthodhokse dhe Romano-Katolike, si dhe ndërmjet Kishave Orthodhokse dhe Orientale, ka pasur një ndikim të rëndësishëm në promovimin e unitetit të krishterë.
Angazhimi i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë në lëvizjen ekumenike është bekim për Këshillin Botëror të Kishave, veçanërisht përmes udhëheqjes së thellë teologjike, baritore dhe shpirtërore të Kryepiskopit të ndjerë Anastas. Përkushtimi i tij i palëkundur ndaj Ungjillit dhe kontributet e tij të jashtëzakonshme në ringjalljen e Kishës në Shqipëri mbeten një trashëgimi e qëndrueshme. Ndërsa merrni këtë përgjegjësi kryepiskopale, lutemi që të vazhdoni punën e mirë në udhëheqjen e Kishës dhe në forcimin e përkushtimit ndaj unitetit të krishterë.
Shërbesa juaj nis në një kohë kur bota ka nevojë të madhe për shpresë, shërim dhe pajtim. Besojmë se, nën drejtimin tuaj, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një dritë udhërrëfyese e besimit, dashurisë dhe shërbimit, duke pasqyruar dritën e Krishtit për të gjithë. U bëftë shërbesa juaj mision paqeje, ripërtëritjeje dhe dëshmie të palëkundur ndaj fuqisë transformuese të Ungjillit.
Jini të sigurt për lutjet dhe mbështetjen tonë, ndërsa drejtoni Kishën me besnikëri ndaj Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jisu Krishtit, për lavdinë e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. U dhëntë Zoti mençuri, forcë dhe shumë vite të bekuara në shërbesën tuaj të shenjtë.
Axios! I denjë!
Me urimet dhe bekimet më të ngrohta,
Rev. Prof. Dr Jerry Pillay
Sekretar i Përgjithshëm