EmailFacebookKontakt

Qarkore e Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë për zgjedhjen e Kryepiskopit të ri

SINODI I SHENJTË I KISHËS ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË

Drejtuar klerit të devotshëm dhe popullit shpresëtar të Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës

Fort të respektuar klerikë dhe të gjithë ju, të krishterë të bekuar të Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës, hiri i Perëndisë dhe Zotit të Gjithëpushtetshëm qoftë me ju!

Zoti ynë Jisu Krisht, nga dashuria e Tij e pakufijshme për njerëzit, u bë njeri për shpëtimin tonë dhe themeloi Kishën e Shenjtë me qëllim që, brenda saj, të gjithë besimtarët të gjejnë shpëtim përmes mësimit, shenjtërimit dhe udhëheqjes së tyre nga Apostujt e Shenjtë dhe pasuesit e tyre baritorë që drejtuan Kishën. Këta, Ai i caktoi gjithashtu si vazhdues të veprës së Tij shpëtimtare, sipas fjalëve që tha: “Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju” (Jn. 20:21). “Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua e kush nuk ju pranon ju, nuk më pranon as mua. Kush nuk më pranon mua, nuk pranon as atë që më ka dërguar” (Llk. 10:16). “Kush ju pranon ju, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar” (Mt. 10:40).

Sipas mësimit të Kishës sonë, Biri dhe Fjala e mishëruar e Perëndisë, zotëron tri aksioma të shenjta: aksiomën kryepriftërore, profetike dhe mbretërore. Këtë aksiomë të trefishtë Ai ia përcolli Nxënësve dhe Apostujve të Tij të Shenjtë dhe, më tej, ky hir u transmetua përmes Shpirtit të Shenjtë nëpërmjet Misterit të Priftërisë tek pasardhësit e tyre, domethënë tek Episkopët e Kishës së Tij. Për këtë arsye, Kisha nuk mund të kuptohet pa ta. “Pa këta, Kisha nuk mund të quhet Kishë,” ka shkruar Ati Apostolik Ignat Hyjmbajtësi. As besimtari nuk shpëtohet, nëse qëndron jashtë Kishës; por as nuk përfiton, nëse qëndron brenda saj, pa Shërbyesit (Ikonomët) e Mistereve Hyjnore, domethënë pa Barinjtë dhe Mësuesit e saj.

Ndër ta, në krye qëndron Episkopi, ai që gjendet “në vendin dhe në formën e Krishtit”, të cilit i është besuar detyra më e lartë. Kësisoj, bëhet e qartë rëndësia tejet e madhe e detyrës episkopale në Kishën Orthodhokse dhe domosdoshmëria qenësore e saj.

Prandaj, Sinodi i Shenjtë i Hierarkisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me kujdesin dhe dashurinë e saj për grigjën e Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës, u mblodh në Qendrën Sinodike, në Tiranë, më 16 mars të vitit shpëtimtar 2025, pas Liturgjisë Hyjnore dhe, me vota kanonike, zgjodhi unanimisht dhe vendosi në detyrën e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Mitropolitin e Korçës, Imzot Joanin – një hierark i sprovuar dhe i zellshëm, punëtor i denjë i Ungjillit, predikues i Fjalës Hyjnore dhe bartës i një përvoje të pasur kishtare, i denjë për të përmbushur detyrën e madhe dhe të lartë të shërbesës kryepiskopale. Po atë ditë, u krye edhe shpallja solemne e Mesazhit të Vogël dhe të Madh.

Kështu, pra, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, u shpall me anë të Hirit Hyjnor të Shpirtit të Tërëshenjtë dhe Misterkryes, bari shpirtëror i vërtetë, kanonik dhe i ligjshëm, si dhe mbrojtës shpirtëror i Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës. I është dhënë e drejta të bekojë dhe të shenjtërojë si Kryeprift të gjithë të krishterët, si edhe të kryejë të gjitha detyrat kryepiskopale, që nga momenti i ngjitjes në Fronin e Shenjtë të Kryepiskopatës. Ai ka, gjithashtu, të drejtën për të gjykuar dhe shqyrtuar çdo çështje kishtare, sipas Kanoneve të Shenjta dhe Ligjeve.

Duke jua bërë të ditura këto me gëzim të madh, Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ju këshillon dhe urdhëron që ta pranoni Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Joanin, si Kryepiskopin tuaj kanonik dhe të ligjshëm, t’i bindeni dhe t’i nënshtroheni me dëshirë, sipas porosisë së Shkrimit të Shenjtë: “Bindjuni krerëve tuaj dhe nënshtrojuni atyre, pasi ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, meqenëse do të japin llogari para Perëndisë” (Heb. 13:17).

Të gjithë klerikët le ta përmendin emrin e tij në çdo Liturgji Hyjnore, në çdo Shërbesë të shenjtë dhe në çdo lutje, sipas Rregullit të Kishës. Të gjithë le t’i japim atij, si atit tonë shpirtëror, çdo nderim që i takon.

Hiri i Kryebariut dhe Shpëtimtarit tonë, Jisu Krisht dhe mëshira e tij e madhe qoftë me të gjithë ne!

Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë:

– Hirësia e Tij, Mitropoliti i Korçës, Mbikëqyrës i Fronit Kryepiskopal, † Joani (Kryetar)
– Hirësia e Tij, Mitropoliti i Gjirokastrës, † Dhimitri
– Hirësia e Tij, Mitropoliti i Apollonisë, † Nikolla
– Hirësia e Tij, Mitropoliti i Elbasanit, † Andoni
– Hirësia e Tij, Mitropoliti i Beratit, † Asti
– Hirësia e Tij, Mitropoliti i Amantias, † Nathanaili
– Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës, † Anastasi

16 mars 2025 – Kryepiskopi i porsazgjedhur i prezantohet popullit shpresëtar, i cili gëzon dhe e mirëpret me thirrjen “I denjë”.