EmailFacebookKontakt

Kryepiskopi i ri i kishës orthodhokse autoqefale të shqipërisë

Më 16 mars 2025, të Dielën e Dytë të Kreshmës, kushtuar Shën Grigor Pallamait, pas Liturgjisë Hyjnore, në përputhje me Traditën e Shenjtë dhe Statutin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, u mbajt në Qendrën Sinodike në Tiranë mbledhja e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me qëllim zgjedhjen e Kryepiskopit të ri. Pas lutjes, anëtarët e Sinodit të Shenjtë, nën kryesinë e Mbikëqyrësit të Fronit Kryepiskopal, Hirësisë së tij, Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, me vota kanonike në mënyrë unanime zgjodhën njëzëri pasuesin e të ndjerit Kryepiskop Anastas.

Hirësia e tij, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, u zgjodh Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë dhe Primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Më pas, në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit u zhvillua ceremonia e Mesazhit të Madh, ku Sinodi i Shenjtë njoftoi zyrtarisht rezultatin e zgjedhjes, të nënshkruar nga të gjithë Kryepriftërinjtë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Mitropolitët: i Korçës, Gjirokastrës, Apollonisë, Elbasanit, Beratit, Amantias dhe Episkopi i Krujës. Besimtarët orthodhoksë që kishin mbushur katedralen dhe oborrin e saj, në një atmosferë gëzimi dhe lavdërimi ndaj Zotit, thirrën “Aksios” (I denjë) për Primatin e ri të Kishës së Shqipërisë. Në vijim Kryepiskopi i ri, Imzot Joani, lexoi Mesazhin e Madh dhe e nënshkroi atë në Tryezën e Shenjtë, duke konfirmuar zyrtarisht pranimin e detyrës së lartë.

Për shumë vjet, o Kryezot!