EmailFacebookKontakt

Rimëkëmbja e një Kishe – nga vizioni në realitet

In Memoriam – 33 vjet më parë (2 gusht 1992)

Rimëkëmbja e një Kishe – nga vizioni në realitet
Fjala e Kryepiskopit të lumur Anastas gjatë fronëzimit si Kryepiskop i Shqipërisë

I

«Qoftë i bekuar Perëndia … që sipas përdëllimit të tij të shumtë na lindi përseri në një shpresë të gjallë… » (1 Petr. 1:3).

Me tronditje shpirti, drojtje dhe mirënjohje ndaj Perëndisë Triadik e të Tërëshenjtë dhe ndaj gjithë atyre, që Ai përdori për të kryer vullnetin e Tij të pakuptueshem, po jetoj këto që po ngjajnë në këto ditë. Fraza e Hyjlindëses së Tërëshenjtë në çastin e Ungjillëzimit “si do të jetë kjo punë…” (Llk. 1:34), më pushtoi, kur m’u kërkua nga Patrikana Ekumenike e nderuar, të vij në këtë vend të martirizuar për riorganizimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Por, edhe kur ky mision si Ekzark patriarkal i Fronit Ekumenik, po kthehet tani në një shërbim të ri, përsëri po ajo frazë kritike mbizotëron në zemrën time në këtë orë të fronëzimit tim në kishën Katedrale të Ungjillëzimit. Në vetminë e qelisë sime të thjeshtë këtu në Tiranë, në Gjethsimaninë personale të veçantë, me sinqeritet u luta kohët e fundit: “O Atë, në mundtë, largoma këtë kupë” (Mt. 26:39).

Nga ana e jashtme, ngado që ta kthejë njeriu vështrimin e tij në kaosin pa kufi, në gërmadhat që krijoi persekutimi afro 50-vjeçar, të gjitha, e në mënyrë simbolike bunkerët e panumërt, theksojnë vendin e Kreut, në të cilin po ecim. Mirëpo nga ana e brendshme, me sytë e besimit, të gjitha këto ndriçohen nga shkëlqimi mistik, nga shpresa dhe fuqia e Ngjalljes që bashkekziston te Kryqi i Krishtit. Këtë mision të ri, të cilin Kisha më ngarkoi, e ndriçon me dritë të bekuar e ngushëlluese tradita e gjatë martirike e këtij vendi, e cila nis me martirizimin e Shën Astit, Episkop i Durrësit, nga fundi i shek. I dhe arrin gjer në vuajtjet e rënda gjatë persekutimit të fundit të shumë njerëzve të njohur e të panjohur, laikë e klerikë si të Kryepiskopit Kristofor dhe të episkopit Irine. Është ky një rast i ri jo vetëm shërbimi por edhe njohjeje: «për të njohur Atë dhe fuqinë e Ngjalljes së Tij» (Filip. 3:10).

I jam mirënjohës nga thellesia e shpirtit dhe zemrës Perëndisë së Tërëmirë për mëshirën e Tij të pakufijshme që tregoi për mua mëkatarin; përhiroj “Jisu Krishtin. Zotin tim, i cili vuri si besnik per t’i shërbyer” mua shërbëtorin e Tij të pavyer.

Mirënjohje të sinqertë i shpreh Tërëshenjterisë së Tij të Hyjshme, Patriarkut Ekumenik Imzot Bartholomeut dhe Sinodit të Shenjtë e të Hirshëm, të cilët me zgjedhjen kanonike të modestise sime, më bënë Kryepiskop të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, duke besuar në shpatullat e mia te pafuqishme veprën e ringritjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Me ndjenja falënderimi dhe dashurie përqafoj besimtarët e zgjedhur dhe të vuajtur orthodhoksë të Shqipërisë që, me shumë mënyra, shprehin besimin dhe devocionin e tyre ndaj modestise sime dhe, që nëpërmjet organeve kishtare, kërkuan të qëndroj si kryebari pranë tyre. Falënderoj ngrohtësisht udhëheqësin e Shqipërisë Demokratike, Presidentin Dr. Sali Berisha, i cili dha pëlqimin e tij fisnik me kënaqësi që unë të ngarkohem me këtë përgjegjësi historike. Të gjithë këta faktorë bënë që të thyheshin hezitimet dhe frika ime e fillimit, të thyheshin arsyetimet e logjikës, duke më bindur se e vetmja gjë që kisha të drejtë të shprehja në këto rrethana ishte përsëritja paqësore: “u bëftë dëshira jote”. “Sa të pavëzhgueshme janë gjykimet e Tua, e sa të pakuptueshme udhët e Tua” (Rom. 11:33).

II

Diktatura ateiste që mbajti në këtë vend afro gjysëm shekulli, profanoi në mënyrë të paskrupullt institucionet tona të shenjta, konfiskoi pasurinë kishtare, shthuri çdo element përbërës institucional. Para vitit 1967, para se Shqipëria të shpallej “i pari shtet ateist i botës” dhe me gjithë persekutimin indirekt të periudhës paraprirëse (1944 – 1967) në Shqipëri ka patur 4 Mitropoli, 19 rrethe mitropolitane, 300 famulli dhe 25 manastire të hirshme. Në Shqipërinë paskomuniste, gjëra themelore të cilat gjetiu konsiderohen të vetëkuptueshme (si p.sh. ekzistenca e një Sinodi episkopësh, një numër i mjaftueshem priftërininjsh, murgj, banesa mitropolitane, manastire të hirshme, shkolla e të tjera), mbeten akoma, “ëndrra”, synime, për të cilat duhet të luftojmë fuqishëm në të ardhmen e afërt e të largët. Nisemi pothuajse nga zeroja.

1. E para, për të cilën i lutemi Perëndisë, është të gjendet sa më shpejt mënyra e formimit të plotë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhakse Autoqefale të Shqipërisë, që kjo të mund të gëzojë vend të barabartë në gjirin e të gjitha kishave Orthodhokse në botë. Fatmirësisht, në gradat e priftërinjve dhe të dhjakonëve ka mbetur një numër fare i vogël nga e kaluara. Nga priftërinjtë e dhjakonët e hirotonisur para vitit 1967 vazhdojnë të shërbejnë 10 priftërinj e një kryedhjakon (kurse 8 priftërinj e 1 dhjakon janë ose të sëmurë, ose të shkuar në moshë). Mbështetja shpirtërore dhe ekonomike e klerikëve Orthodhoksë të Shqipërisë, e cila filloi menjëherë sa u vlerësuam të udhëtojmë në këtë tokë të vuajtur, do të vazhdojë pa kursim, si edhe seleksionimi dhe përgatitja e të rinjve. Vitin e fundit hirotonisem 6 priftërinj dhe 19 dhjakonë, ndërsa 12 dhjakonë të tjerë do të hirotonisen muajin e ardhshëm. Afro 10 të rinj shqiptarë do të shkojnë për studime të larta në fakultetet teologjike orthodhokse universitare. Vizioni ynë bazë dhe qëllimi kryesor është formimi i klerit shqiptar të të gjitha gradave, i cili të jetë në gjendje t’i shërbejë me dije, entuziazëm e vetsakrificë Kishës Orthodhokse dhe të drejtojë grigjën orthodhokse, në veçanti rininë e shqetësuar, në këtë kthesë kritike historike. Me ndihmën e Perëndisë, që në shkurt e gjer në maj të këtij viti, ka funksionuar shkolla jonë Teologjike – Hieratike me 58 nxënës dhe është programuar vazhdimi i saj në vjeshtën që vjen. Interesohemi që të na jepet sa më shpejt trualli, i përshtatshëm për ngritjen e ndërtesave të Shkollës sonë Teologjike, e cila, mendojmë të zhvillohet në nivel universitar.

2. Kishën Orthodhokse nuk e përbëjnë vetëm klerikët. Të gjithë, pa përjashtim, sa janë pagëzuar në gjirin e saj në emrin e Trinisë së Shenjtë, burra e gra të çdo moshe e kulture, duhet të mobilizohen në përpjekjen për rigjallërimin e Kishës dhe transmetimin e Ungjillit të shpresës e të dashurisë në çdo shprehje të jetës. Për të përgatitur kuadro të përshtatshme që të mbulojnë me këto nevoja shumë të mëdha, të katekizmit, përpjekjes misionare, shpresojmë që së shpejti të funksionojnë: a) Shkolla e psaltëve; b) Kurset e katekizmit kishtare për burra e gra, të cilat do të organizohen periodikisht në Kryepiskopatë dhe në qendrat e Mitropolive: të Korçës, të Beratit e të Gjirokastrës; c) Punishte të lira për ikonografi, rrobaqepësi, artizanat, gdhendje druri e të tjera.

3. Ndër nevojat më të domosdoshme e urgjente, është sigurimi i vendeve të kultit, restaurimi dhe rindërtimi i kishave të vjetra dhe ndërtimi i kishave të reja. Përveç kësaj, duhet bërë regjistrimi i thesareve të tyre, të cilat shpesh bëhen objekt grabitjesh, si edhe mirëmbajtja dhe restaurimi i tyre. Filluam me kishën katedrale, në të cilën ndodhemi tani. Po interesohemi që edhe kisha e dytë e kryeqytetit, kisha e Shën Prokopit, mbrojtësit të komunitetit Orthodhoks të Tiranës, e cila prej vitesh është transformuar në restorant, t’i rikthehet kultit Orthodhoks.

Në qendrat e mëdha të vendit, si Durrës, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Kavajë, besimtarët përdorin për shërbesa kisha që ishin transformuar në qendra dëfrimi, në depo, ofiçina, kurse qytete të tjera, si Shkodra, Erseka, Delvina, nuk kanë asnjë vend kulti. Në Fier e në Sarandë vendosëm në mënyrë eksperimentale dy kisha parafabrikate dhe këtë program do ta shtrijmë në të ardhmen e afërt edhe në qytete e fshatra të tjera. Mbi 100 fshatra me popullsi Orthodhokse nuk kanë fare kishë, kurse po aq të tjera, kishat i kanë gjysëm të shkatërruara. Ndërkohë 140 kisha Orthodhokse janë bërë muzeume. Orthodhoksët e këtij vendi, me ndjenjë të madhe për të bukurën, u përpoqën gjatë shekujve për të ngritur këtu me shumë sakrifica monumente të shkëlqyera me një vlerë të madhe kulturore. Ata deshën të ofrojnë qendra të gjalla kulti për t’i edukuar shpirtërisht e moralisht brezat e ardhshëm, jo muzeume pa shpirt për turistët kalimtarë. Prandaj Kisha jonë ka si detyrë nga më kryesoret që të marrë përsëri gjithçka që regjimi ateist ia ka konfiskuar me forcë. Kishat nuk janë fosile të thjeshta të qytetërimit të së kaluarës, por mushkëri të gjalla të qytetërimit të sotëm dhe mitra lindjeje të qytetërimit të së ardhmes.

Me shumë dhimbje lutemi dhe dëshirojmë të ringremë manastiret tona të shkatërruara që janë kthyer në hotele, qendra turistike apo baza ushtarake. Kishë Orthodhokse pa manastire nuk mund të kuptohet. Manastiret kanë qenë gjithnjë vende lutjeje, vende ushtrimi shpirtëror, vende zhvillimi ekonomik e kulturor, vende shërimi e ngushëllimi për popullin shqiptar. Dhe rifunksionimi i tyre, do të ketë ndikim të shumëfishtë dobiprurës në përpjekjen për rindërtim. Për zhvillimin e veprimtarisë kishtare nevojiten gjithashtu menjëherë ndërtesa të Kryepiskopatës, të Sinodit të Shenjtë, të Mitropolive, të qendrave te Rinisë, të strehës për jetimët, për të moshuarit dhe të tjera institucione bamirëse.

4. Urgjente paraqitet nevoja e botimeve kishtare në gjuhën shqipe. Për mëse 30 vjet nuk kanë qarkulluar në vend botime orthodhokse, kurse ato që ekzistonin, u shkatërruan. Arkivi qendror i Kishës u dogj. Me ndihmën e Perëndisë, po programohet ngritja e një shtëpie botuese kishtare dhe vendosja e një njesie tipografike te vogël. Është urgjente të vihet në qarkullim së shpejti në gjuhën shqipe një gazetë mujore e Kishës sonë, një revistë tremujore dhe buletin informativ; të botohen tekstet tona liturgjike, broshura katekizmi dhe edukimi shpirtëror. Një grup i përhershem përkthimi i përbërë prej intelektualësh kompetentë, nën kryesinë e teologut dhe përkthyesit të dëgjuar dhe bashkëpunëtorit të dashur z. Dhimitër Beduli, do ta shpjerë më përpara punën përkthyese, duke vazhduar kështu në kohën tonë përpjekjen që nisi gjatë dekadave të para të shekullit tonë biri i madh i Shqipërisë z. Fan Noli.

5. Në një epokë kaq të vështirë, kur mungesa të ndryshme mundojnë vendin, Kisha Orthodhokse e Shqipërise thirret të tregojë prezencë dinamike humanizmi dhe kujdesi social. Do të zhvillohet një sektor i posaçëm: “Shërbimi i dashurisë”, a) Për çuarjen më përpara të programeve të ndihmës për popullin shqiptar të shumëvuajtur pa marrë parasysh përkatesinë fetare. b) Për mbështetjen mjekësore dhe për ndihmën që u duhet dhënë rasteve të veçanta sëmundjesh. c) Për programe zhvillimi të një karakteri më të gjerë. Detyrë dhe kujdes bazë i Kishës ka qenë përherë shprehja e respektit për njeriun në tërësi.

6. Për anën ekonomike dallohen tre burime: 1) Qeveria demokratike që sot drejton vendin ka premtuar qartë e publikisht se do të kthejë pronën kishtare që u konfiskua vite më parë nga regjimi ateist. Besojmë se së shpejti do të gëzohemi me realizimin e këtij premtimi. Sapo ta marrim në dorëzim atë, do të përpiqemi që ta shfrytëzojmë për të mirën e mbarë popullit shqiptar. Çdo gjë që i përket Kishës, i shërben tërë shoqërisë. 2) Kontributi i lirë i besimtarëve ka qenë gjithnjë mbështetje ekonomike për Kishën tonë. Sot, sigurisht, me të ardhura aq të ulëta të popullit tonë ky kontribut është kufizuar. Megjithatë nuk pushon së ekzistuari. 3) Burimin e tretë e shumë të çmuar e përbëjnë mijërat e miqve të njohur e të panjohur nga Kishat e tjera Orthodhokse motra, veçanërisht Patriarkana Ekumenike e Kon/pojës, Kisha e Greqisë, Kisha e Rumanisë, Kisha e Qipros, por edhe Këshilli Botëror i Kishave, që na mbështesin me oferta dashurie prekëse. Mirënjohja jonë për ta është e thellë.

7. Natyrisht, Kisha fufton në fusha të ndryshme të sektorit social për të drejtat e njeriut: për lirinë, barazinë, drejtësinë. Mirëpo, kryesisht, ajo lufton për të drejtën thuajse të harruar të secilit, për të ecur përpara drejt hyjnizimit, drejt fitimit të përjetësisë. Ky shërbim i pajtimit me Perëndinë, shenjtërimi i besimtarëve, zhvillimi i jetës liturgjike, kuptimi më i thellë e më i gjerë i Shkrimeve të Shenjta dhe të doktrinës së Kishës, jetimi i ndërgjegjshëm i misterit të shpëtimit, do të përbëjnë kujdes parësor të Kryepiskopit. Kërkimet teologjike, pimantike dhe misionare na kanë çuar në sigurinë së kundërvenia e jetës shpirtërore personale dhe veprimtarisë sociale përben një polarizim të rremë. Etërit e Kishës sonë jetuan detyrimin e tyre të krishterë me një mënyrë të përgjithshme dhe misionin e Kishës me perspektivë të përbotshme dhe eskatologjike. Me këtë kuptim të përgjithshmërisë në ndërgjegje e në mendim, do të përpiqemi me modesti të kryejmë detyrën tonë si kryebari i orthodhoksëve të Shqipërisë.

III

1. Meqenëse vitet e persekutimit kanë mjegulluar në Shqipëri qartësinë e terminologjisë dhe të parimeve fetare, dua të kujtoj se: Kisha Orthodhokse është: “Trupi i Tij (i Krishtit), plotësimi i Atij që i plotëson të gjitha ndër të gjitha” (Efes. 1:23), dhe vazhdon veprën e Tij shpëtimtare në kohë dhe hapësirë. Veçanërisht, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, ashtu siç është theksuar gjithmonë nëpër statutet e ndryshme të saj “është pjesë e pandarë e Kishës së shenjtë, katholike dhe Apostolike”, që shtrihet në të gjitha anët e botës. Është e bashkuar dogmatikisht dhe shpirtërisht me të gjitha Patriarkanat Orthodhokse dhe Kishat e tjera orthodhokse autoqefale, ruan pa asnjë ndryshim parimet dogmatike dhe kanonet e hirshme apostolike dhe Sinodhike, Traditën e shenjtë dhe mban gjithashtu atë që përmendën në Tomin e njohjes së Autoqefalisë nga Kisha mëmë e Kon/pojës.

2. Kisha Orthodhokse e Shqipërisë përbën, para së gjithash bekim për vendin në të cilin gjendet. Lulëzimi i saj dhe zhvillimi i përgjithshëm i veprimtarisë së saj, do të ndikojë në mënyrë vendimtare në punën mëkëmbëse të të gjithë vendit.

Së pari: Duke lëçitur me entuziazëm besimin te Perëndia Triadik, hirin dhe mëshirën e Tij pa kufi, dashurinë e paanshme, i paraqet popullit pa ndërprerje mendime të reja, ideale të reja, shpresë dhe fuqi të qëndrueshme, për të vazhduar luftën në këtë periudhë të vështirë të cilën e kërcënon dekurajimi dhe humbja e shpresës. Ndihma më e rëndësishme e Kishës në lëmin social është se ajo edukon njerëz të pjekur, me përgjegjësi, të ndershëm, që luftojnë me ndërgjegje edhe atëherë kur asnjë, dhe asgjë e jashtme, nuk i detyron që të jetojnë me dashuri dhe krijimtari, duke ngritur lart pa zhurmë mbarë tërësinë shoqërore.

Së dyti: Kisha Orthodhokse ka qenë e do të jetë faktor bashkimi, paqeje dhe pajtimi në Shqipëri, duke lëçitur ndjesën dhe mirëkuptimin, dhe duke ofruar motive të brendshme dhe fuqi për to. Duke vazhduar traditën e vjetër të harmonisë fetare në Shqipëri, përkrah sinqerisht bashkekzistencën paqësore dhe respektimin reciprok të komuniteteve të ndryshme fetare. Po njëkohesisht kultivon ndjenja respekti dhe dashurie edhe për ata që shfaqen indiferentë apo dhe negativë ndaj fesë. Respektimi i lirisë së çdo njeriu, pavarësisht nëse beson apo jo, karakterizon moralin orthodhoks. Çdo person është i shenjtë, sepse është krijuar sipas ikonës së Perëndisë.

Së treti: Me veprimtari konkrete për të cilat folëm më sipër, shpresojmë se Kisha jonë do të ndihmojë në tërë përpjekjen për zhvillim të Shqipërisë, në mënyrë që ajo të zërë në një kohë sa më të shkurtër vendin që i takon në Evropë. Dhe, si gjithnjë, anëtarët e saj do të mbrojnë të drejtat e vendit.

3. Kisha jonë përbën një ambasadë shpirtërore të çmuar të Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar, që kontribuon qenësisht në zhvillimin e bashkëpunimit paqësor dhe të solidaritetit në Ballkan dhe në tërë Evropën. Në përpjekjet panorthodhokse që bëhen nën udhëheqjen e urtë e frymëzuese te Patriarkanës Ekumenike, Kishës mëmë, Kisha e Shqipërisë, si anëtare e barabartë me Kishat e tjera Autoqefale, do të marrë pjesë në mënyrë krijuese në të gjitha konferencat panorthodhokse dhe (12 dialogët teologjikë me kishat e tjera të krishtera, por edhe me botën myslimane. Në shtatorin që vjen, në mbledhjen e përgjithshme të Konferencës së Kishave të Evropës në Pragë, Kisha jonë do të shpallet zyrtarisht anëtare e saj dhe, së shpejti, do të renditemi si anëtare e rregullt e Këshillit Botëror të Kishave.

Nga ky post e quaj për detyrë t’i drejtoj përshëndetje shpresëtare Tërëshenjtërisë së Tij të Hyjshme dhe Kryetarëve fort të lumtur të Kishave të Shenjta Orthodhokse, duke lypur njëkohësisht urimet dhe lutjet e tyre të vyera vëllazërore për të më forcuar Zoti në këtë vepër të hirshme dhe të rëndë. Gjithashtu, u drejtoj përshëndetje të ngrohta Kryetarëve të Kishave dhe pohimeve të ndryshme kristiane si edhe Kryetarëve të organizmave ndërkishtare, duke shpresuar në mbështetjen e lutjes së tyre. Veçanërisht i drejtoj përshëndetje dashurie dhe nderimi Nuncit Apostolik në Shqipëri të Kishës Katolike dhe përfaqësuesve të Komuniteteve Myslimane.

Kisha jonë, duke mbajtur lidhje organike me njerëzimin e bashkuar kontemporan, do kontribuojë në përpjekjen ndërkombëtare për një shoqëri njerëzore të paqes, lirisë dhe dashurisë.

IV

Por, për riorganizimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, do të jetë e nevojshme që, tërë besimtarët orthodhoksë, pa përjashtim, të kenë pjesë në këtë vizion dhe të marrim pjesë, në jetën e Kishës me tërë fuqitë tona. Sot vendi gjendet në një epokë kritike, e cila është njëkohësisht një nxitje dhe një rast i madh. Pra, si kryepiskop, u bëj thirrje të gjithëve të marrin pjesë aktivisht në jetën dhe veprimtarinë e Kishës sonë, sipas dhuntive që Perëndia i ka dhënë gjithsecilit. Në veçanti u bëj thirrje intelektualëve të marrin pozita përgjegjësie e iniciativa, të vënë në përdorim dijet, përvojën dhe autoritetin e tyre në përpjekjen përtëritëse të Kishës sonë.

U bëj gjithashtu thirrje të rinjve dhe të rejave që ëndërrojnë për një epokë të re, për një Shqipëri të shëndetshme, të vijnë e të marrin pjesë në grupet e ndryshme të punës të Kishës Orthodhokse për t’u përgatitur së pari në traditën e pasur të besimit orthodhoks dhe njëkohësisht duke thithur prej saj frymëzim edhe fuqi të zhvillojnë në mënyrë krijuese mendimin dhe dinamizmin e tyre.

Në përgjithësi, të gjithë orthodhoksët të ndjejmë përgjegjësinë tonë personale, të pendohemi dhe të shprehim devocionin tonë te Krishti, Shpëtimtari ynë, me vepra të përditshme besimi, pohimi dhe dashurie. Vetëm Kryepiskopi nuk mjafton që të bëhet diçka thelbësore, sikurse nuk mjafton arkitekti që të ndërtohet një kishë katedrale e bukur. Të gjithë bashkë, madje edhe fëmijët, e kemi si detyrë të ndajmë atë pak ose shumë që kemi material, shpirtëror, shpresën, buzëqeshjen me ata që kanë më shumë nevojë. Veç ndihmës nga jashtë, vendi ka nevojë edhe për një lëvizje të brendshme dhe mbështetje reciproke. Dhe, sidomos, pendim të ndershëm e të guximshëm, orientim shpirtëror e moral të ri në të gjitha nivelet, një frymëzim të ri.

Kënga boshe ateiste që zotëroi në Shqipëri për gjysëm shekulli, molepsi ndërgjegjet, kultivoi psikoza të rrezikshme, u hoqi brezave të tërë përvojën jetëprurëse fetare dhe ushqeu tmerret dhe manitë e rreme. Megjithatë, shpresa na takon. “Atje ku teproi mëkati, teproi edhe më shumë hiri” (Rom. 5:20). Heshtja tragjike e çuditshme që akoma derdhet nga gojët e hapura të bunkerëve, duhet të zëvendësohet me një këngë shpresëdhënëse: “Këndojini Zotit këngë të re” në këtë vend plot dhimbje. I këndoni besimit te Perendia, besimit te njeriu. Rroni sa më afër besimit dhe transmetoni Ungjillin e shpëtimit më Krishtin.

Sigurisht e, dimë se jemi të dobët. Por marrim kurajë nga ajo që thotë Perëndia në Librin e Zbulesës: “Ja tek kam vënë përpara teje një derë të hapur; edhe askush s’mund ta mbyllë atë, sepse ke pak fuqi edhe ruajte fjalën time dhe nuk mohove emrin tim … ” (Zb. 3: 8).

***

Vëllezër, duke përshkruar nga njëra anë punën e madhe të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që na pret, si edhe pamjen më të gjerë të misionit të Kishës sonë në botën e sotme që po bashkohet, dhe duke marrë parasysh nga ana tjetër paaftësinë time personale, mëkatësinë dhe varfërinë time, ndjej nevojën të thërras së brendshmi: “Dhe unë jam i varfër dhe lypës, o Perëndi, ndihmomë”. Nuk e shpëtojmë Kishën ne njerëzit mëkatarë e të dobët. Por ne gjejmë shpëtim në të, duke iu bindur me përulësi dhe gëzim vullnetit të Perëndisë së Trinishme, duke ia dorëzuar veten Hirit të Tij.

Sa për nderin e të Parit, të cilin marrim në Kishën e Shqipërise, kuptimin e ka përcaktuar ndër shekuj një herë e mirë Kreu dhe Themeluesi i besimit sonë: “Kush të dojë të jetë i parë, le të jetë i fundit i të gjithëve edhe shërbëtor i të gjithëve” (Mk. 9:35). Dita e sotme, 2 gushti, në të cilën Kisha jonë kremton transferimin e lipsaneve të dëshmorit të parë dhe kryedhjakonit Stefan, vë në dukje në mënyrë të qartë karakteristikat e shërbyesve të vërtetë dhe apostujve të Krishtit. Stefani ishte “njeri me plot besë dhe Shpirt të Shenjtë”, “plot me hir e me fuqi” (Vep. 3:5,8).

Faluni, ju lutem, o vëllezër të shenjtë, ju bashkëpresviterë të mi të dashur dhe ti, o popull i bekuar i Perëndisë, që, duke ndjekur këto gjurmë, të kryej shërbimin tim në këtë vend të martirizuar. Dhe le të ecim të gjithë bashkë në rrugën që hap para nesh Perëndia duke pasuar Krishtin në udhën e Tij të Kryqit e të Ngjalljes, duke lypur që Shpirti i Shenjtë të banojë tek ne, të na shenjtërojë, të ndriçojë mendimet dhe veprimet tona “Edhe mbi atë që pas fuqisë që veprohet ndër ne mund të bëjë shumë më tepër nga të gjithë sa kërkojmë e mendojmë. Atij i qoftë lavdia në Kishë me anë të Iisu Krishtit në të gjithë brezat e jetës së jetëve. Amin.” (Efes. 3:20-21).