EmailFacebookKontakt

Letër ngushëllimi nga Papa i Romës, Françesku

Hirësi, Joanit, Mitropolit i Korçës dhe Mbikëqyrës i Fronit Kryepiskopal

Pasi mësova për ndarjen nga jeta të Fortlumturisë së Tij, Anastasit, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia për ju, për anëtarët e Sinodit të Shenjtë dhe për të gjithë priftërinjtë, murgjit, murgeshat dhe besimtarët laikë të Kishës së dashur Orthodhokse të Shqipërisë, së bashku me sigurinë e lutjeve të mia që Ati ynë i mëshirshëm t’i japë atij shpërblimin për përpjekjet e tij.

Besimi i bashkësisë Orthodhokse të Shqipërisë u mishërua padyshim në jetën e vëllait tonë të dashur, shërbesa baritore e zjarrtë e të cilit ndihmoi popullin të rizbulonte pasurinë dhe bukurinë e tij pas viteve të ateizmit dhe persekutimit të imponuar nga shteti. Në këtë drejtim, kam kujtime të ngrohta nga takimi im me Fortlumturinë e Tij gjatë Udhëtimit tim të parë Apostolik jashtë Italisë, dhe çmoj përqafimin vëllazëror dhe fjalët që ndamë në atë rast.

Gjatë gjithë jetës së tij të gjatë dhe shërbesës si prift dhe si episkop, dëshmoi gjithmonë një përkushtim të thellë ndaj Ungjillit, duke i shërbyer dhe e shpallur Zotin në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, në Greqi, Afrikë dhe Shqipëri. Ai e bëri këtë duke ndjekur shembullin e Shën Pavlit, i cili ia kushtoi veten aq shumë Krishtit, saqë mund të thoshte: “tek të gjithë u bëra të gjitha, që me çdo mënyrë të shpëtoj disa veta” (1 Kor. 9:22).

Kur mori përgjegjësinë për të udhëhequr Kishën Orthodhokse në Shqipëri, ai dëshiroi të hynte thellë në zemrat e atyre që i ishin besuar, veçanërisht në traditat dhe identitetin e tyre, pa humbur kurrë bashkimin me Kishat e tjera Orthodhokse. Në të njëjtën kohë, ai mori pjesë me dëshirë në dialog dhe promovoi bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera.

Kur mbërriti për herë të parë në Shqipëri, disa priftërinj e mirëpritën me përshëndetjen paskale në greqisht: “Χριστός Άνέστη!” Ai iu përgjigj në shqip, duke shfaqur një dëshirë të zjarrtë për të jetuar me popullin e tij dhe për të dëshmuar dashurinë e Zotit, e cila kapërcen çdo errësirë e shtypje, mes atyre që kishin vuajtur shumë.

Tani që jeta e tij tokësore ka përfunduar, lutem që, me mëshirën e Perëndisë, Atit të Plotfuqishëm, Fortlumturia e Tij të lëvdojë përjetësisht Trininë e Bekuar, së bashku me të gjithë pohuesit e besimit dhe klerikët që kanë shpallur fjalën e shpëtimit për njerëzit kudo dhe në çdo kohë.

Romë, Bazilika e Shën Joan Lateran, 27 janar 2025

FRANÇESKU