Patriarku i Bullgarisë, † Danieli
Hirësisë së Tij, Joanit, Mitropolitit të Korçës dhe Mbikëqyrësit të Fronit Kryepiskopal të Kishës fort të Shenjtë të Shqipërisë dhe, nëpërmjet tij, Sinodit të Shenjtë të Kishës fort të Shenjtë në Shqipëri.
Hirësi,
Me hidhërim të thellë morëm lajmin për fjetjen më Zotin të Kryepiskopit tuaj të ndjerë, Anastasit, një personalitet i madh dhe i ndritur i Kishës Orthodhokse, njeri i paqes dhe nismëtar i pajtimit, i cili dha një kontribut të gjithanshëm në fushën baritore, akademike, misionare, humanitare dhe, mbi të gjitha, kishtare. Me përkushtim dhe përpjekje të palodhura, ai ringjalli dhe rindërtoi Kishën tuaj vendore, si një udhëheqës frymëzues dhe një atë i përkushtuar dhe i përkujdesur për të.
Trashëgimia e këtij burri të shquar të Kishës dhe Kryepriftit të palodhur të Bariut tonë të Madh, Krishtit, do të mbetet e pashlyeshme përjetësisht, jo vetëm për Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, por edhe për mbarë botën Orthodhokse.
Lutemi me gjithë zemër që Zoti ynë Jisu Krisht, ta prehë shpirtin e vëllait tonë të ndjerë në vendin e të gjallëve dhe ta numërojë atë mes shenjtorëve në qiell. Gjithashtu, lutemi që Ai t’i dhurojë Kishës tuaj në tokë një pasues të denjë të Kryepiskopit tuaj të ndjerë.
Me lutje të ngrohta ngushëlluese,
† DANIELI
Patriarku i Bullgarisë