Patriarku i Rusisë, † Kirili
Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Hirësitë Tuaja,
Vëllezër të dashur episkopë,
Me hidhërim të madh mora lajmin për ndarjen nga jeta të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe Gjithë Shqipërisë, Anastasit.
Në emër të episkopëve, klerikëve, murgjve dhe besimtarëve të Kishës Orthodhokse Ruse, si dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë për Kishën motër të Shqipërisë dhe për gjithë familjen tonë të përbashkët Orthodhokse.
Zoti i dhuroi Fortlumturisë të Tij, Anastasit, një jetë të gjatë, të cilën ai, që në rininë e tij, ia kushtoi tërësisht punës së zellshme në Vreshtin e Krishtit. Pasi iu përgjigj thirrjes së Shpëtimtarit për të predikuar fjalën e Perëndisë deri në skajet e dheut (Vep. Ap. 1:8) ai, ende laik, mori rrugën e misionarizmit. Gjatë viteve të shërbesës së tij në kontinentin afrikan, ku u shfaqën qartësisht talentet e tij si predikues i zjarrtë, bari shpirtëror dhe ndërtues i jetës së enorive dhe dioqezave, ai u bë një model i vërtetë i misionarit, i zellshëm për vepra të mira (Titi 2:14).
Kisha Ruse, e cila ka përjetuar persekutime të tmerrshme nga autoritetet jobesimtare, e nderon veçanërisht Kryepiskopin e ndjerë për përpjekjet e tij të palodhura në ringjalljen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, e cila gjithashtu vuajti persekutime të rënda nën regjimin komunist. Pozita e lartë e Kryepiskopit Anastas si në botën Orthodhokse, ashtu edhe në të gjithë Krishterimin, së bashku me lidhjet e tij akademike dhe përvojën e paçmueshme të fituar gjatë viteve të shërbimit në Afrikë, kontribuuan në ringjalljen e suksesshme të jetës së plotë kishtare në tokën shqiptare nën udhëheqjen e tij të urtë.
E konsideroj ndarjen nga jeta të Fortlumturisë së Tij, Anastasit, si një humbje personale. Patëm një marrëdhënie të gjatë vëllazërore. Ai vizitoi Kishën Orthodhokse Ruse në shumë raste dhe mori pjesë në festimet tona të rëndësishme kishtare. Kam kujtime shumë të ngrohta nga vizita ime në Shqipëri me ftesën e tij në vitin 2018. Atëherë, Zoti më dha mundësinë të shoh nga afër frytet e mira të punës së palodhur dhe të zjarrtë prej dekadash të Kryepiskopit të ndjerë dhe vëllezërve të tij, anëtarëve të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shqipërisë.
Duke qenë një nga Primatët më të vjetër dhe më të nderuar të Orthodhoksisë, ai ishte i njohur si një mbrojtës i kanoneve të shenjta, një ruajtës i traditës kishtare, përfshirë edhe atë patristrike, të Kishës Orthodhokse. Besnik ndaj Krishtit dhe Kishës së Tij të Shenjtë, i patundur në bindjet e tij, ai u bë një njeri i mençur, që e ndërtoi shtëpinë e tij në shkëmb (Mattheu 7:24).
Zoti Jisu Krisht, ngjallja dhe jeta, le ta prehë shpirtin e shërbëtorit të Tij besnik në banesat qiellore, ku nuk ka më dhembje, as pikëllim, as psherëtimë, por jetë të përjetshme.
Qoftë i përjetshëm dhe i bekuar kujtimi i Kryepiskopit të ndjerë Anastas!
Me dashuri në Zotin dhe ngushëllime të thella,
† KIRILI
Patriarku i Moskës dhe i Gjithë Rusisë