Mes dhimbjes njerëzore por dhe shpresës së pashtershme të Ngjalljes, më 30 Janar 2025, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, i dhamë përshëndetjen e fundit Hierarkut tonë fort të dashur e të ndritur, të lumurit, Kryepiskopit Anastas.
Katedralja e Ngjalljes u bë epiqendër e mbarë botës orthodhokse dhe jo vetëm, u tejmbush me primatë e delegacione të Kishave Orthodhokse në botë, klerikë, murgj e murgesha, krerë shtetesh dhe qeveritarë, personalitete të shquar, politikanë, akademikë, përfaqësues organizatash të ndryshme, krerë të komuniteteve fetare etj. dhe qindra besimtarë, të cilët erdhën për të përshëndetur Kryebariun, ringritësin e një Kishe të persekutuar, misionarin, theologun dhe eruditin, i cili i shërbeu këtij vendi me dinamizëm, dashuri e vetëmohim të thellë për plot 33 vjet.
Shërbesa e Varrimit u kryesua nga Patriarku i Konstandinopojës, Tërëshenjtëria e Tij, Barthomomeu, Mitropoliti Mbikëqyrës i Kryepiskopatës, Hirësi Joani, bashkë me Sinodin e Shenjtë të Kishës sonë. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe Patriarku i Aleksandrisë, Theodhori; Patriarku i Jerusalemit, Theofili; Patriarku i Bullgarisë, Danieli; Kryepiskop i Qipros, Gjeorgji; Kryepiskopi i Athinës, Jeronimi; hierarkë të lartë dhe klerikë delegatë nga Patriarkana e Konstandinopojës, e Antiokisë, e Jerusalemit, e Rusisë, e Serbisë, e Rumanisë, Kisha e Gjeorgjisë, Polonisë, Çekisë, Kisha e Ohrit, nga Kisha Armene, klerikë të shumtë nga mitropoli dhe qytete të ndryshme të Greqisë, kishat Orthodhokse të Diasporës në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Francë, Rumani etj. murgj e murgesha nga Manastiri i Sinait, Mali i Shenjtë e shumë të tjerë.
Unikaliteti dhe madhështia e figurës së Kryepiskopit Anastas u dëshmua edhe nga pjesëmarrja e krerëve të lartë të Shtetit, Presidentit të Shqipërisë, Sh. T. z. Bajram Begaj; Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë; znj. Elisa Spiropali; Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama; Kryeministrit të Greqisë, z. Kyriakos Mitsotakis, z. Sali Berisha, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, ministra, përfaqësues të ambasadave, partive politike etj.
Ekumeniciteti i Fortlumturisë së Tij dhe përkushtimi i thellë në prizmin e veprimtarisë ndërfetare dhe ndër të krishterë është gjerësisht i njohur. Kështu, në nderim të tij morën pjesë edhe Moderatori i Këshillit Botëror të Kishave, Dr. Heinrich Bedford-Strom, një delegacion i ardhur nga Vatikani, delegacion i komunitetit të Sant’ Egidios, krerët dhe përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare zyrtare të vendit tonë, të Këshillit Ndërfetar dhe mjaft të tjerë.
Ceremoninë e përshëndetën Mitropoliti Mbikëqyrës i Kryepiskopatës, Hirësi Joani; Moderatori i WCC-së, z. Heinrich Bedford-Strohm; mbesa e Kryepiskopit Anastas, znj. Roxana Janullatos; Kryeministri i Greqisë, z. Kyriakos Mitsotakis; Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama dhe Patriarku i Konstandinopojës, Tërëshenjtëria e tij, z. Bartholome.
Në përfundim të Shërbesës, trupi i Hierarkut tonë u vendos në vendin e tij të prehjes, brenda ambienteve të kompleksit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë i mbetet thellësisht mirënjohëse Kryepiskopit Anastas dhe veprës së tij kolosale të ringritjes nga hiri të Kishës sonë, të zhvillimit të saj në çdo sferë, në arenën kombëtare e ndërkombëtare, ku tashmë radhitet me dinjitet mes Kishave të tjera motra dhe, mbi të gjitha, të ringritjes së mijëra “kishave” brenda zemrave të besimtarëve orthodhoksë, të cilët, me hirin dhe ndihmën e Perëndisë, do ta çojnë më tej veprën që ai nisi.
Perëndia e prehtë shpirtin e Kryebariut tonë të lumur në tendat e të drejtëve, “atje ku nuk ka as dhimbje, as hidhërim, as psherëtimë, por jetë të pambaruar”.