EmailFacebookKontakt

Populli shpresëtar i Shqipërisë priti Hierarkun e tij me lot, nderime e homazhe

Me hidhërim dhe mallëngjim të thellë, populli besimtar orthodhoks i Shqipërisë priti më 28 janar 2025 Kryepiskopin e ndjerë Anastas, përgjatë gjithë rrugës nga kufiri i Shqipërisë, fillimisht në Kakavijë, ku priti dhe shoqëroi procesionin edhe Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, e në vazhdim në Katedralen e Ngjalljes, në Gjirokastër, ku u prit nga klerikët, nxënësit e shkollës “Frymë Dashurie” që ai vetë themeloi, dhe qindra besimtarë.

Në Katedralen e tij të dashur, të “Ngjalljes së Krishtit”, në Tiranë, ku shërbeu dhe drejtoi popullin në lutje e lavdërim për 3 dekada, krahas pjesëmarrjes së të gjithë Sinodit të Shenjtë, u mblodhën klerikë dhe besimtarë nga të gjitha mitropolitë, për të pritur ringritësin e Kishës sonë dhe Hierarkun që, me veprën e tij madhështore e të Hyjndriçuar frymëzoi dhe bashkoi shumë zemra dhe popuj, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme.

Pasi u prit në hyrje të rrugës “Ibrahim Rrugova”, me procesion madhështor, trupi i Fort të Lumurit Kryepiskop u vendos në katedrale, ku pasoi një Shërbesë Përshpirtjeje e drejtuar nga Mitropoliti Mbikëqyrës i Kryepiskopatës, Hirësi Joani, dhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë.

Në vazhdim, grigja e tij iu fal me nderim trupit të Kryepiskopit të tyre të dashur, e u mblodhën në një zemër në shërbesën lutësore që zgjati përgjatë gjithë natës.

Dita e dytë e homazheve për Kryepiskopin e ndjerë të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, më 29 janar 2025, në Katedralen e Ngjalljes, vazhdoi të përcjellë solemnitet, emocion, respekt të mbarë shoqërisë dhe dashurinë të thellë të orthodhoksëve të Shqipërisë.

Atmosfera ishte e përmortshme dhe njëherësh ngjallësore, e denjë për themeluesin e kësaj Kishe madhështore, kurorës së veprimtarisë së tij hierapostolike, rindërtuese dhe ripërtëritëse. Ambientet e katedrales dhe përreth, madje dhe qielli i ngrysur e i zymtë kujtonin Javën e Madhe.

Shumë besimtarë që u mblodhën në Tiranë nga gjitha Mitropolitë shprehën dhe shkruan dedikime e kujtime për Kryepiskopin e tyre me nderim të thellë, gjë që dëshmon përmasat reale të lidhjes mes grigjës dhe bariut që u kujdes për ta për 33 vite me dashuri, duke respektuar dinjitetin e çdokujt. Ishte Kryepiskopi i të gjithë të padrejtësuarve, e atyre që jetojnë në skamje dhe pamundësi ekonomike.

Klerikët, në veçanti, që u zgjodhën, u arsimuan, u dorëzuan dhe mbështetën prej tij, përjetojnë dhimbjen e ndarjes nga ati i tyre shpirtëror. Bie në sy edhe prania dhe kontributi i të rinjve, për të Kryepiskopi Anastas u përkujdes dhe punoi shumë, me shpresë frytdhënieje.

Në katedrale, për nderimet e rastit erdhën përfaqësues dhe krerë të komuniteteve fetare, me të cilët Fortlumturia i Tij punoi për vite me radhë për harmoninë ndërfetare në vendin tonë.

Gjithashtu, të pranishëm për homazhet ishin mjaft personalitete publike, përfaqësues të partive politike, anëtarë të Qeverisë, parlamentarë, anëtarë të Akademisë së Shkencave, Trupit Diplomatik, ambasadave etj.