Më 16 tetor 2024, Kolegji Universitar “LOGOS” organizoi një nga ngjarjet më të bukura dhe emocionuese për studentët e tij: Ceremoninë e Diplomimit. Në prani të prindërve, miqve, përfaqësuesve të Kishës sonë, institucioneve publike, institucioneve të arsimit, Trupit Diplomatik në Shqipëri, si dhe stafit akademik dhe administrativ të kolegjit, studentët realizuan një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje të mbushur me mundësi dhe sfida.
Fjalët e urimit nga rektori, Prof. Dr. Ilia Ninka, dhe administratorit Naum Mile, i inkurajuan të diplomuarit të mos e shohin këtë si një fund, por si fillimin e një udhëtimi të ri.
Mbrëmja vazhdoi me përshëndetje nga përfaqësues të secilit fakultet. Një vend të rëndësishëm në këtë ditë zunë edhe materialet filmike të përgatitura për studentët, duke përfshirë një video me momentet gjatë studimeve në LOGOS, përshëndetje nga stafi dhe mesazhe nga studentët ALUMNI. Një moment i veçantë ishte edhe përshëndetja me dy këngë nga kori i Kolegjit Universitar “LOGOS”, nën drejtimin e znj. Agi Nano dhe shoqëruar nga orkestra.
Për shumë studentë, kjo ceremoni përfaqësonte përmbushjen e një cikli të rëndësishëm dhe fillimin e një ëndrre të re për të kontribuar në të mirën e shoqërisë, duke ruajtur dhe promovuar vlerat më të larta njerëzore.
Një falënderim i veçantë i shkoi presidentit të Kolegjit Universitar “LOGOS”, Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas. Personaliteti që ka ideuar dhe frymëzuar ngritjen e këtij institucioni, vizioni i tij frymëzon studentët e Kolegjit Universitar “LOGOS”, ku çdo i ri duhet të mbështetet mbi dashurinë, vlerat dhe besimin në Perëndinë.
Simbolika e hedhjes së kapelave shënoi momentin kulmor të ceremonisë. Kjo traditë e festimit të përbashkët shoqërohet me urimin e Kolegjit Universitar “LOGOS” që çdo student të ecë përpara me guxim, të vazhdojë të rritet dhe të kontribuojë në ndërtimin e një bote më të mirë.