EmailFacebookKontakt

Fjeti më Zotin z. Thoma Dhima

Pas komplikacioneve të shumta nga një ndërhyrje e detyruar në zemër, më 17 gusht 2024 ndërroi jetë gazetari kishtar z. Thoma Dhima, kryeredaktor thuajse që nga krijimi i shtypit zyrtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë “Ngjallja”, koordinator i Zyrës së Shtypit të Kishës si dhe zëdhënës i Kishës sonë.

Shërbesa e varrimit u krye në Kishën e Ungjillëzimit, në Tiranë, nën kryesimin e Hirësi Astit dhe klerikëve të Kryepiskopatës. Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, i prekur nga ndarja e parakohshme e njërit prej bashkëpunëtorëve të tij të hershëm, iu drejtua familjarëve, të afërmve dhe kolegëve e miqve të shumtë të pranishëm me fjalë të ndjera, duke përmendur disa nga tiparet e karakterit të të ndjerit dhe kontributin e tij të pakursyer në përpjekjet e ringritjes kanonike të Kishës sonë. Kryepiskopi nënvizoi se Thomai i ndjerë, me durim e maturi, ishte gjithmonë i gatshëm për të kontribuar. Vuri në shërbim të Kishës dijet dhe dhuntitë e tij si poliglot dhe gjuhëtar i kujdesshëm në kurimin e fjalës, si dhe aftësinë për të bashkëpunuar.

Kontributi i tij shfaqet në mjaft artikuj në gazetën “Ngjallja”, komunikata për shtyp dhe deklarime të posaçme kanë firmën ose redaktimin z. Thoma, si edhe përkthime e redaktime tekstesh a librash kishtarë, duke mos kërkuar autorësi dhe njohje publike.

Kryepiskopi siguroi në shenjë njohjeje të kontributit të Thomait të ndjerë, djalin dhe bashkëshorten, se Kisha ka për të qenë familja e tyre, duke mbështetur deri në fund edukimin e tij.

Stafi i gazetës “Ngjallja”, bashkëpunëtorët, kontribuesit e Zyrës së Shtypit që punuan me të, i mbeten mirënjohës për frymën e bashkëpunimit me të.

Lutemi që Perëndia ta prehë në paqen e përjetshme, me shpresë ngjalljeje!