I veçantë është vendi që zë Nëna e Perëndinjeriut, e Tërëshenjta Mari, në jetën shpirtërore dhe adhuruese të besimtarëve orthodhoksë. Mësimet e Kishës lidhur me të burojnë nga Shkrimi i Shenjtë dhe nga Tradita jonë e pasur. Himnet, kremtimet panegjirike të ditëve të shënuara për Të në gjithë ciklin e Vitit Kishtar, ikonat e mrekullueshme dedikuar asaj, kishat dhe manastiret ku ajo nderohet janë dëshmi të vendit të posaçëm që zë e Tërëshenjta Mari në shpirtin e besimtarëve orthodhoksë. Të shumta janë dhe familjet që emrin e saj ua vënë fëmijëve, me urimin dhe pritshmërinë që Nëna e Zotit të jetë për ta mbrojtëse dhe prijëse në udhën e jetës. Veçanërisht në shekujt e sprovave të mëdha të pushtimit otoman dhe errësirës që e shoqëruan, ishte e domosdoshme siguria se Nëna e Perëndisë ishte pranë të munduarve, për të dëgjuar zërin e lutjeve dhe për të mbajtur gjallë shpresën.
Veçanërisht në territorin e Mitropolisë së Gjirokastrës janë të shumta kishat, parakliset e manastiret dedikuar të Tërëshenjtës Mari. Nga rreth 200 enori që historikisht dhe aktualisht dëshmohen të gjalla dhe aktive në këtë mitropoli, 27 prej tyre mbajnë emrin e Hyjlindëses; disa prej tyre trashëgim nga periudha e vonë e Bizantit, si ajo e Lindjes së Hyjlindëses në Labovë, e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari në Zervat, e Fjetjes në Kosinë, e Lindjes në Peshkopinë e Sipërme etj.
Këto kisha apo manastire janë unikale dhe përmbajnë vlera të posaçme të arkitekturës dhe ikonografisë apo aspekte të historisë së themelimit të tyre dhe prurjes në jetën shpirtërore dhe shoqërore të zonës ku janë vendosur.
Pavarësisht vlerave të veçanta që mbartnin, fatkeqësisht shumë nga kishat e hirshme dhe manastiret e së Tërëshenjtës Mari u shkatërruan tërësisht gjatë periudhës së komunizmit. Këtu përmendim kishën e Fjetjes së Hyjlindëses në Delvinë, në Dhivër, në Krioner, në Dragot etj.; të Hyrjes në Tempull në Përmet, Livinë; të Lindjes në Skore etj. Disa të tjera u shndërruan në destinacione të tjera përdorimi, si ajo e Fjetjes në Leshnicë, Dervician, Finiq etj.
Historisë dhe traditës së nderimit të Hyjlindëses në Mitropolinë e Gjirokastrës, i shtohet kujdesi i veçantë që ka treguar Kryepiskopi Anastas për mbi 3 dekada, së pari, duke qenë vetë i pranishëm dhe kryer shërbesat e Paraklisit dhe Liturgjinë Hyjnore në enori të kësaj Mitropolie; por më tepër me kishat e reja në kujtimin e saj në vende ku kanë ekzistuar dhe gjatë persekutimit u rrënuan tërësisht apo u themeluan rishtazi. Këtu përmendim rindërtimin e Kishës së Fjetjes së të Tërëshenjtës në Dhivër, në Qenurjo, në Kodër, në Krioner gjithashtu, të Lindjes në Skore, të Hyrjes në Tempull në Livinë, të Ungjillëzimit në Delvinë, në Këlcyrë, të Mbulesës së Shenjtë në Bularat etj.
Ndërkaq, një numër i konsiderueshëm kishash dhe manastiresh të së Tërëshenjtës u restauruan tërësisht, si ajo e Fjetjes në Dervician, në Leusë, Kosinë, Zervat, Qeparo të Sipërm, Kakome, Athal, Finiq, Sopik, Konckë, Sorone; apo të Lindjes në Vrahogoranxi, Seran, Poliçan, Stavridh, Dhuvjan; të Hyrjes në Bënjë, Peca etj.
Korresp. i “Ngjallja”