Të enjten, më 14 nëntor, në selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës, nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastasit, u mblodh Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndër çështjet kryesore ishte plotësimi i vendit të Kryebariut të Mitropolisë së Beratit, Vlorës dhe Kaninës, pasi në korrik të këtij viti fjeti më Zotin i ndjeri Mitropoliti Ignat. Me vota të plota, Sinodi i Shenjtë zgjodhi si Mitropolit të Beratit, deri më sot Episkopin e Bylisit, Hirësi Astin.
Sipas rregullave të Statutit të Kishës sonë, Sinodit i parapriu mbledhja e Këshillit Kishtar Kleriko – Laik. Në të u diskutuan dhe miratuan formalisht kandidaturat për plotësimin e pozicionit të Mitropolitit të Beratit. Veç Mitropolitit të zgjedhur, Imzot Astit, si kandidatë u përfshinë edhe Arkimandriti Anastas dhe Hierodhjakoni Joan. Këshilli Kishtar Kleriko-Laik gjithashtu miratoi ndryshimet e nevojshme për përbërjen e tij në mandatin katërvjeçar në vijim si edhe anëtarët e dy Komisioneve të tij, atij Ekzekutiv dhe të Kontrollit.
Pas komunikimit të vendimit të Sinodit të Shenjtë për zgjedhjen e Mitropolitit të ri të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Mitropoliti Asti lexoi Mesazhin e Madh në kishëzën e Kryepiskopatës. Kryepiskopi Anastas, në emër të të gjithë Sinodit, duke iu referuar biografisë së Mitropolitit të sapozgjedhur, kontributit të tij të deritanishëm si Episkop i Bylisit; ndihmës i Kryepiskopit; Protosingjel i Kryepiskopatës por edhe në të tjera fusha si edukimi i krishterë i rinisë; përfaqësimi në dialogun ndër të Krishterë dhe ndërfetar; aktivitete me Intelektualët Orthodhoksë etj., i uroi në emër të gjithë Sinodit të Shenjtë dhe me dashuri atërore që të vazhdojë shërbesën e tij kryepriftërore me dashuri, me frymë përulësie dhe me të njëjtin zell. Nga Letra e Apostull Pavlit për Efesianët (3:14-21) Kryepiskopi Anastas dha këshillat e Tij për baritimin e grigjës së Mitropolisë historike të Beratit, Vlorës dhe Kaninës: “… Prandaj ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jisu Krisht, prej të cilit quhet çdo atësi në qiejt e mbi dhe, që t’ju japë juve sipas pasurisë së lavdisë së tij të forcoheni në fuqi me anë të Shpirtit të tij në njeriun e brendshëm; që të rrijë Krishti në zemrat tuaja me anë të besimit, që të rrënjosur e të themelosur në dashuri të mund të kuptoni bashkë me gjithë shenjtorët ç’është gjerësia dhe gjatësia dhe thellësia e lartësia, edhe të njihni dashurinë e Krishtit, e cila kapërcen çdo dituri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.
Edhe atij, që sipas fuqisë që veprohet tek ne të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Jisu Krishtit në gjithë brezat e jetës së jetëve. Amin”.
Ndërsa vijuan urimet e rastit të të pranishmëve, në atmosferë lutësore, veçohet falënderimi i Protopresviterit Joan Qako, Përgjegjës Arkihieratik i Mitropolisë së Beratit, për Kryepiskopin Anastas dhe gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë për dhuratën që iu bë grigjës së mitropolisë, klerit dhe popullit besimtar, për të pasur Kryeprift kanonik në krye dhe drejtim shpirtëror.
Korresp. i “Ngjallja”