EmailFacebookKontakt

Letër e Kryepiskopit Anastas drejtuar Patriarkut Daniel të Bullgarisë

KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

Tiranë, 20 korrik 2024.

Fortlumturi, Mitropolit i Sofjes dhe Patriark i gjithë Bullgarisë, vëlla dhe bashkëmeshëtar i shtrenjtë dhe fort i dashur më Krishtin Perëndi, zoti Daniel, duke ju përqafuar më Zotin, Fortlumturi i nderuar, ju përshëndesim ngrohtësisht nga zemra.

Morëm me gëzim Letrën Paqësore (610/18.7.2004) të Fortlumturisë Suaj shumë të shtrenjtë. Për zgjedhjen Tuaj të denjë në fronin e Kishës fort të shenjtë të Bullgarisë, ju uruam përmes letrës sonë 436/30.6.2024, të cilën Jua sollën përfaqësuesit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Hirësia e tij, Mitropoliti i Korçës, z. Joan, dhe Hirësia e tij, Mitropoliti i Amantias, z. Nathanail.

Duke ruajtur traditën kishtare, ju urojmë tani përsëri dhe përsëri me gjithë zemër që ta ruani besimin e shenjtë orthodhoks të pacenuar dhe të patjetërsuar, me shëndet të patundur e me ngazëllim shpirtëror, duke udhëhequr popullin e zgjedhur orthodhoks të Kishës së Bullgarisë drejt kullotave shpëtimtare dhe duke punuar përherë për forcimin e unitetit të Orthodhoksisë dhe për rrezatimin e gjerë të dashurisë dhe të hijeshisë së zbulesës më Krishtin.

Dhëntë Zoti Perëndi të na forcojë të gjithë, ne dhe ju, që të “bëni jetë të denjë për Zotin, ashtu siç i pëlqen atij, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke shtuar njohuritë për Perëndinë. Ju do të forcoheni me fuqinë që vjen nga pushteti i lavdishëm i Perëndisë, që të përballoni gjithçka me durim dhe që me gëzim të falenderoni Atin, që ju bëri të denjë të keni pjesën tuaj në trashëgiminë e shenjtorëve në dritë” (Kol. 1:10-12).

Kështu, duke Ju përqafuar me përqafimin e shenjtë, po e mbyllim këtë letër me nderim të veçantë dhe me dashuri të thellë më Krishtin Jisu, Zotin tonë.

Drejtuar Fortlumturisë Suaj të shtrenjtë,

Vëllait të dashur më Zotin,

Anastasi
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.