Drejtuar Fortlumturisë së Tij,
Kryepiskopit të Tiranës dhe Gjithë Shqipërisë,
z. Anastas,
në Tiranë.
Fortlumturi,
vëlla dhe bashkëmeshtar i dashur më Krishtin
Ju përqafojmë vëllazërisht, Forltumturi, dhe ju dërgojmë përshëndetje vëllazërore.
Duke i qëndruar besnikë Traditës së Hirshme të Kishës, që është Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, dhe duke ecur në udhët e Etërve të Shenjtë, po komunikojmë me Fortlumturinë Tuaj përmes kësaj Letre Paqësore kanonike, sepse, sikurse Ju e dini, froni patriarkal i Kishës Orthodhokse të Bullgarisë mbeti bosh, për shkak të vdekjes së Patriarkut të ndjerë të Bullgarisë dhe Mitropolitit të Sofjes, z. Neofit, dhe Mbledhja kishtare Patriarkale, e cila u mbajt më 30 qershor 2024, në Sofje, zgjodhi përulësinë tonë si Patriark të Bullgarisë dhe Mitropolit të Sofjes, në përputhje me kanonet e hirshme, me rregulloren e Kishës dhe me rregullat e zgjedhjes së Patriarkut, të miratuara nga Kisha jonë. Atë ditë u krye edhe fronëzimi ynë kanonik si Patriark i Bullgarisë dhe Mitropolit i Sofjes.
E falënderojmë thellësisht Perëndinë fort të dhembshur që na dhuroi këtë nder të madh. Duke u ndërgjegjësuar për përgjegjësitë dhe detyrat që kemi para Atij, përballë të cilit qëndrojmë, po vijmë drejt Jush me përqafim vëllazëror paqeje, për unitetin e besimit dhe kungim të përsosur sipas traditës orthodhokse. Pohojmë dhe shpallim se besojmë në përputhje me Simbolin e Besimit tonë dhe se do t’i zbatojmë plotësisht dogmat e hirshme dhe kanonet e hirshme, të nxjerra dhe të miratuara nga Apostujt e shenjtë, shtatë Sinodet Ekumenike dhe sinodet vendore të Kishave Orthodhokse.
Pohojmë dhe shpallim se, me ndihmën dhe mbështetjen e Perëndisë, do të ndjekim dhe do të zbatojmë pa ansjë tjetërsim mësimdhënien e Kishës, që është Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike. Do t’i mohojmë të gjitha ato që Kisha i ka mohur si të huaja për të dhe si joorthodhokse. Do të mundohemi me të gjitha forcat për unitetin e Kishës së shenjtë.
Duke ruajtur me forcë të vërtetat e besimit dhe, si shpjehje të besnikërisë vëllazërore dhe dashurisë së përsosur ndaj Fortlumturisë Suaj, shprehim bindjen e thellë se do të kemi mbështetjen Tuaj për kryerjen e kësaj detyre të rëndë dhe të kësaj përgjegjësie të madhe, që na është ngarkuar.
Do të dëshironim t’ju shprehnim falënderimin tonë të çiltër dhe mirënjohjen e përzemërt që dërguat këtu përfaqësues, nën drejtimin e Hirësisë së tij, Mitropolitit të Korçës, z. Joan, dhe Hirësisë së tij, Mitropolitit të Amantias, z. Nathanail, për praninë e tyre, për fjalët e ngrohta dhe për urimet gjatë fronëzimit tonë si Patriark i Bullgarisë, që u krye më 30 qershor, në Sofje, në qytetin e Fronit. Prania e përfaqësuesve Tuaj në këtë ngjarje të rëndëdishme për Kishën e Bullgarisë dëshmon qartë marrëdhënien kanonike dhe vëllazërore të dashurisë, paqes dhe unitetit në Krishtin të të dy Kishave tona vendore.
Kërkojmë përulësisht uratat Tuaja të shenjta më Zotin, si shprehje e njëmendjesisë vëllazërore, dashurisë dhe unitetit në besim.
I përgjërohemi Perëndisë së Gjithëfuqishëm që ta bekojë me jetëgjatësi shërbimin Tuaj të frytshëm dhe të përgjegjshëm.
E përqafojmë Fortlumturinë Tuaj me dashuri vëllazërore më Krishtin.
Kryetari i Sinodit të Hirshëm
Danieli
Patriark i Bullgarisë