EmailFacebookKontakt

Me nderime, lutje e psalme varroset Mitropoliti i ndjerë i Beratit, Hirësi Ignati

Më 23 korrik 2024, mes hidhërimit por dhe gëzimit të Ngjalljes u krye Shërbesa e Varrimit të Mitropolitit të ndjerë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësi Ignatit, në Katedralen e Shën Dhimitrit. Shërbesat u kryesuan nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, me pjesëmarrje edhe të të gjithë anëtarëve të Sinodit të Kishës sonë Orthodhokse. Morën pjesë gjithashtu klerikët e Mitropolisë së Beratit dhe përfaqësues nga Kryepiskopata e Mitropolitë e tjera. Në lutje u bashkuan qindra besimtarë të Mitropolisë së barituar për mëse 26 vjet nga i ndjeri Mitropolit Ignati, nga trevat e Myzeqesë dhe nga mbarë vendi, që kishin njohur fjalën e tij të urtë, baritimin e butë dhe me takt, sjelljen e tij plot hir e dashuri dhe klerikë e laikë nga Greqia nga kishte origjinën.

Shërbesat lutësore për prehjen e Hirësisë u kryen brenda një atmosfere familjare, me dinjitetin, seriozitetin e modestisë madhështuese që parashikon Tipikoja e Kishës sonë dhe që përcjell në mënyrë origjinale Kryepiskopi ynë.

Duke nderuar Mitropolitin e ndjerë Ignat, personalitetin e tij të butë dhe tolerant, shërbesën e tij Kryepriftërore plot dashuri, takt, dhembshuri për njeriun me vetëmohim, kontributin e tij për komunitetin Orthodhoks por dhe më gjerë, të pranishëm ishin Kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Ervin Demo, Ministër z. Bledi Çuçi, deputetë të Kuvendit Shqipërisë, personalitete të jetës publike, nga fusha e shkencës etj. Gjithashtu në shërbesën përcjellëse në kishë dhe drekën që u mbajt me këtë rast morën pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare në Berat.

Në emër të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë fjalën e rastit e mbajti Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, i cili iu referua jetës së Mitropolitit të ndjerë Ignat, personalitetit të tij si udhëheqës shpirtëror kishtar dhe kryesisht kontributit të tij të vyer për dy dekada e gjysmë në krye të grigjës Orthodhokse të Mitropolisë së Beratit dhe anëtar i Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë.

Kryepiskopi Anastas, me pak fjalë, nënvizoi cilësinë thelbësore të personalitetit të Mitropolitit Ignat: “Që nga vitet e tij të hershme besoi, deshi me shpirt dhe iu përkushtua plotësisht Krishtit. Punoi me zell gjatë gjithë jetës së tij, me përkushtim dhe vetëmohim…”.

Ndërkaq, në atmosferën mjaft prekëse të krijuar, ku zemrat dhe mendjet hapen dhe zbuten, Kryepiskopi drejtoi thirrjen për më shumë kandidatë për klerikë në kishën tonë: “… Dëshira e Perëndisë është shenjtërimi ynë, dhe e vetmja rrugë për këtë është ajo e dashurisë më të kulluar dhe të thellë, e përuljes së sinqertë, gadishmërisë shpirtërore dhe vigjilencës së pandërprerë… Le ta lavdërojmë Perëndinë për vëllain tonë, Ignatin” – u shpreh ai, dhe vijoi: “Të lutemi që më shumë njerëz të marrin vendimin të bëhen klerikë, priftërinj për të mbështetur dhe fuqizuar popullin e Perëndisë… Vendi ynë ka nevojë për shumë gjëra, por mbi të gjitha për klerikë të shenjtëruar, që do të punojnë me shumë zemër, në dhimbje e zjarr për popullin tonë”.

Mitropoliti Ignat fjeti më Zotin, thuajse në ditën e Fronëzimit të Tij, para 26 vitesh, në 18 Korrik 1998. Ishte zgjedhur Episkop për Mitropolinë e Beratit që në vitin 1992, ndërsa u hirotonis Episkop nga Patriarkana Ekumenike në verën e vitit 1996. Falë trajtimit të kujdesshëm të aspekteve kanonike dhe në respekt të vullnetit edhe të autoriteteve shterërore të Shqipërisë, nga ana e Kryepiskopit Anastas, u bë e mundur ardhja në krye të kësaj Mitropolie të Hirësi Ignatit. Duke qenë jo shtetas i Shqipërisë dhe meqënse autoritetet shterërore nuk pranonin që Sinodi i Shenjtë i Kishës sonë të përbëhej nga hierarkë me origjinë Greke, pavarësisht se hirësi Ignati e zotëronte gjuhën shqipe, kishte ngurrime për pranimin e tij në krye të Mitropolisë historike të Beratit.

Me kalimin e viteve, falë karakterit dhe besimit të thellë të hirësisë, të shprehur me vepra, u krijua ajo marrëdhënie mistike mes bariut dhe grigjës. Për Mitropolitin Ignat kishin nderim e vlerësim të thellë në gjithë territorin e Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës. Ai e donte fort grigjën e tij, edhe ata atin e tyre shpirtëror.

Mitropoliti i ndjerë Ignat u varros në vend të posaçëm në oborrin e katedrales së Shën Dhimitrit mes ndjenjash mirënjohjeje dhe emocioni të thellë të besimtarëve të pranishëm.

Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, por më përgjithësi komuniteti Orthodhoks, pas ringritjes së saj nga rrënojat e persekutimit ateist, ka tanimë Episkopin e saj të parë ndërmjetës në Altarin e Perëndisë për përparim shpirtëror dhe fuqizim të mëtejshëm!

Orfea Beci