EmailFacebookKontakt

Kisha e Shën Gjergjit në Dhivër, Finiq

Kisha e Shën Gjergjit është ndërtuar në një shpellë në pjesën veriore dhe rrëzë malit të fshatit Dhivër ose Dhivrovunit, siç e quajnë banorët vendas, në të majtë të rrugës automobilistike Memoraq – Dhivër. Fshati Dhivër gjendet në Bashkinë e Finiqit dhe është një ndër fshatrat më të mëdhenj të saj.

Kisha është ndërtuar në një faqe shkëmbi dhe përbëhet nga një zgavër natyrore e rrethuar me mur. Çatia e saj mbulohet pjesërisht prej shkëmbit dhe pjesa e mbetur me plloça dhe tjegulla. Dera që hyn në kishë gjendet në anën veriore. Kisha ndriçohet nga dy dritare dhe përbëhet nga pronaosi dhe naosi. Shtrihet në hapësirë 5×2 metra. Kjo kishë ka shërbyer si paraklis për eremitët që kanë jetuar përreth. Faqet e mureve dhe ato shkëmbore janë të suvatuara dhe të pikturuara me afreske. Paraklisi përbëhet nga naosi me përmasa 4.35×2.00 metra dhe narteksi me përmasa 5.40×0.45 metra. Në kungën e madhe, hapësira ku përgatitet blata është e gdhendur në shkëmb dhe ka përmasa 0.54×045 metra. Afresket e kishës janë pikturuar nga ikonografë anonimë. Ikonografët eremitë nuk e vinin emrin e tyre mbi afresket që pikturonin, në shenjë përulësie.

Në narteks gjenden këto afreske: skena e Fjetjes së Hyjlindëses me përmasa 1.00×0.56 metra, “Shën Gjergji duke shpëtuar të bijën e mbretit” me përmasa 0.70×0.22 metra, “Pantokratori” (i Gjithëpushtetshmi), i cili paraqitet si gjysmëfigurë, shën Theodhor Tironi dhe Theodhor Stratilati gjithashtu paraqiten në gjysmëfigurë. Në faqen e murit që ndan narteksin nga naosi gjendet skena “Deisis”.

Në naos gjendet një afresk i grave miroprurëse, që janë fshirë nga mesi e sipër. Ndërsa engjëllit që qëndron mbi gur i ruhet vetëm dora që u tregon varrin grave miroprurëse. Në të djathtë të gjendet skena e Ngjalljes, ndërsa mbi faqen lindore të shkëmbit gjendet afresku i Metamorfozës së Shpëtimtarit. Djathtas saj gjendet paraqitja “I drejti i ditëve”, në të cilën paraqitet një plak me duar të hapura, i cili simbolizon Krishtin. Majtas gjendet “Ungjillëzimit” ku paraqitet Kryeengjëlli Gabriel duke i dhënë lajmin e mirë Hyjlindëses. Në faqen jugore të shkëmbit pikturohet Ngjitja në Qiell e Zotit Krisht. Në faqen perëndimore të kishës gjendet sërish afresku i Fjetjes së Hyjlindëses, të cilën, siç përmendëm, e ndeshim edhe në narteksin e kishës, por me përmasa më të vogla.

Në kungën e madhe gjenden pesë figura hierarkësh, të cilët kanë veshje hieratike me felonë dhe omoforë të bardhë. Ndër to, në gjendje të mirë ruhen shën Athansai dhe Silvestri i Romës. Platitera është e ribërë, ndërsa dy engjëj që paraqiten anash saj janë të zbehtë.

Në vendin e blatës paraqitet shën Stefani. Në kungën e vogël gjenden Simeon Stiliti dhe Danieli. Pranë tryezës së shenjtë gjenden apostull Jakovi dhe Vasili i Madh. Pranë tyre gjenden Shën Kozmai dhe profeti Ilia. Në brezin e dytë të faqes së shkëmbit lindor gjenden kryeengjëjt Mihail dhe Gabriel.

Në faqen që ndan naosin me kungën e vogël gjendet afresku i Pantokratorit, i cili e paraqet Krishtin duke bekuar me dorën e djathtë dhe duke mbajtur Ungjillin në të majtën. Ky afresk mendohet të jetë i shekullit XVII. Mbishkrimi që gjendet poshtë afreskut thotë: “Lutja e shërbëtorit tënd prift Theodhorit dhe bashkëshortes e fëmijëve të tij”.

Afresket e manastirit u kryen në vitin 1604 nga Mihal Konstandini nga fshati Gramoz i Konicës. Përbëhet nga katër ambiente – narteksi, naosi qendror, tempulli dhe shtesa (diakonike). Të katër mjediset rrethohen nga ana Jug-Perëndimore me mur 14,5 metra të gjatë, nga ana Veri-Lindore nga një shkëmb, nga çatia me gjerësi 2,00 – 3,40 metra e cila pjesërisht mbulohet nga shkëmbi (shpella) dhe pjesa tjetër me çati druri. Sendet arkeologjike të gjetura në kishë datojnë nga shekulli i 9-të ndërsa ka gjurmë jete në shpellë të periudhave të mëparshme historike. Ndoshta në fillim ka shërbyer si strehë oshënari, ndërsa pas ngritjes së Kishës së Manastirit të Hyjlindëses (shek. 16-të) që ndodhet më lart në një pllajë të Dhivrovunit, funksiononte në varësi të saj.

O.B.