EmailFacebookKontakt

Një projektligj me efekte negative për shëndetin e individit, fëmijës, familjes dhe shoqërisë shqiptare në tërësi

drejta për një fëmije apo te drejtat e fëmijës?

Projektligji, në nenin 4, pika 1, a, flet për respektimin e “dinjitetit njerëzor”, koncept themelor ky, universal e ipatjetërsueshëm i të drejtave njerëzore. Mirëpo, në rastin konkret të fertilizimit të asistuar dhe shtatzënisë surrogate, shtrohet pyetja: si e respekton kjo praktikë dinjitetin njerëzor të fëmijës e të gruas? Nisur nga fakti që ky projektligj synon t’i ligjësojë këto praktika, kuptojmë se interpretimi që i jepet konceptit “dinjitet njerëzor” nëpërmbajtjen e vet, është i tillë: është në përputhje me dinjitetin njerëzor që dëshira për të pasur fëmijë të njihet si një e drejtë që duhet mbrojtur me ligj. Dinjiteti njerëzor, i kuptuar kështu, i hap rrugën praktikave e teknikave që, në mënyrë kontradiktore, ndërsa duket se i respektojnë të drejtat njerëzore, mohojnë vetë qenien njerëzore, që në shfaqjen e parë të saj. Kjo gjë bëhet e qartë kur shohim rrugën që ndiqet për të arritur te amësia surrogate.

Praktika nis me diagnostikimin para implantimit – DPI – (neni 24, pika 1), si pjesë e procesit të riprodhimit të asistuar in vitro, që ka për qëllim riprodhimin pas një selektimi gjenetik, që shërben për të rritur përqindjen e suksesit të shtatzënisë. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për shëndetin gjenetik, por për suksesin e shtatzënisë. Kjo praktikë nuk mund të mbështetet nga pikëpamja etike, sepse riprodhon duke seleksionuar, e për pasojë skarton embrionet që, si qenie njerëzore prej momentit të ngjizjes (krh. Përkufizimet, neni 3, pika 1, shkronja d), kanë të drejtë të jetojnë. Kësisoj, ajo krijon qëllimisht një situatë të vështirë, ku dëshira për të pasur fëmijë shoqërohet me refuzimin këtij të fundit, gjë kjo që përbën një kontradiktë të mirëfilltë. Sa i përket, ngrirjes së embrioneve të ‘tepërta’, nuk ka asnjë rrugëdalje moralisht të lejueshme.

Teknikat e riprodhimit mjekësor të asistuar, përveç mosrespektimit dhe mbrojtjes së jetës, paraqesin edhe dy problematika kryesore: ndajnë aspektin bashkues nga ai riprodhues dhe çka ia shton edhe më shumë peshën morale, ndajnë riprodhimin nga uniteti i martesës, sikurse ndodh me fertilizimin dhe inseminimin heterolog.

Dëshira për të pasur fëmijë është natyrore dhe legjitime, por nuk mund të vihet para dinjitetit të çdo jete njerëzore. Fëmija nuk është objekt, që mund të porositet, blihet e pronësohet si person-dhuratë. Në këtë këndvështrim, pretendimi i së drejtës për të pasur fëmijë, mohon pikërisht të drejtën e tij për t’u respektuar në dinjitetin e vet.

Do të ishte e udhës, nga ana tjetër, të flitej për të drejtën e fëmijës: të drejtën e tij që të lindë si fryt i dashurisë; të drejtën e shëndetit, domethënë që teknikat e fekondimit artificial të mos përdoren për qëllim selektiv (krahaso neni 24, pika 1, a); të drejtën që të njohë origjinën e prindërve të vet biologjikë, edhe pse kjo gjë hyn në konflikt me të drejtën e privatësisë dhe konfidencialitetit (krahaso neni 4, pika 1, c); të drejtën për të dy prindërit dhe familje, gjë që kundërshton të drejtën që përdoruesi i këtyre teknikave të jetë gruaja pa partner (kreu IV, neni 15, pika 3). Në rastin e fundit, mohohet rëndësia e figurës së babait dhe rolit të familjes. Pohohet nevoja për dhuruesin mashkull, por jo për prindin baba.

Një aspekt shumë i rëndësishëm është impakti afektiv dhe kriza e identitetit, që shkakton te fëmija surrogacia.

“Nëna surrogate”, bie ndesh me dinjitetin themelor të çdo qenieje dhe të drejtën e saj për t’u njohur gjithmonë për atë që është në vetvete dhe kurrë si mjet për një tjetër. A mund të përdoret një person (nëna surrogate) si mjet për shëndetin seksual e riprodhues të një personi tjetër? A nuk kanë të gjithë njerëzit të drejta të barabarta? Këto të drejta mohohen haptazi, në kundërshtim edhe me Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, ku pohohet se: «Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta» (Neni 1).

Dimensioni personal e social i shëndetit seksual e riprodhues

Shëndeti seksual (krahaso Neni 3, pika 1,) nuk mund të reduktohet në sferën fizike të strukturës gjenitale, e as në aspektet më intime të jetës personale. Njeriu është i thirrur për në dashuri si shpirt i mishëruar, pra shpirt dhe trup në unitetin e personit. Nga kjo pikëpamje, projektligji, sado që flet për shëndetin riprodhues, duke e lidhur me mirëqenien fizike, mendore dhe sociale, në realitet e zhvesh atë plotësisht nga konteksti personal e social: mitrën mund ta japësh me qira, mund t’ia dëmtosh asaj përgjithmonë funksionin, mund të përdoret trupi në marrëdhënie seksuale pa angazhim personal, mund të shesësh qelizat riprodhuese etj. Të gjitha këto futen nën çadrën e shëndetit seksual e riprodhues me justifikimin se individi ka të drejtën e vetëpërcaktimit, sikur efektet e veprimeve të tij të ngeleshin të izoluara vetëm në sferën private, kur në fakt, nuk ekziston asnjë veprim që nuk ka, direkt apo indirekt, një impakt personal-ndërpersonal-social.

Lidhur me sterilizimin e parashikuar në projektligj natyrshëm lind pyetja: Cili është raporti që ka njeriu përkundrejt materialit riprodhues të tij? A mund ta përdorin materialin gjenetik, të cilin e posedon në mënyrë të pakontrolluar, si në rastin e sterilizimit? Ka një ngjashmëri midis fuqisë së njeriut për të menduar dhe të shprehurit të mendimeve të tij pa ndonjë pengesë apo kufizim? A mund të shprehin fuqinë e tij menduese njeriu pa pa turp e pengesa? Sigurisht që jo. Sot janë dënuar persona të ndryshëm pasi keqpërdorën fuqinë e tyre menduese, duke shprehur mendime të konsideruara ekstreme. Po kur njeriu keqpërdor materialin gjenetik, a konsiderohet dhe a duhet konsideruar veprim ekstrem?

Lejohet sterilizimi apo dhe aborti kur rrezikohet jeta e nënës. Pyetja që shtrohet është: a mund të bëhet një mjek, apo një komision mjekësh përcaktues i jetës njerëzore: A i tejkalon kjo kompetencat dhe deontologjinë mjekësore? Ndërkohë kemi raste kur mjeku ka kërkuar me ngulm ndërprerjen e shtatzënisë, por kjo është refuzuar nga nëna dhe kanë jetuar të dy, dhe nëna dhe femija. Shembull që refuzon pjesërisht mendimin, apo veprimin e mjekut. Në këtë rast kemi sterilizim, apo dhe ndërprerje të detyruar të shtatzënisë.

Lidhur me abortin përmendur si “ndërprerja e shtatzënisë”

Në rastin e abortit, vërehet përhapja e një terminologjie të paqartë, si ajo e “ndërprerjes së shtatzënisë”, që përdor edhe projektligji, e cila tenton të fshehë natyrën e vërtetë të saj dhe të zbusë peshën e rëndë që ka në opinionin publik. “Mbase vetë ky fenomen gjuhësor – kujton Evangelium vitae – është një simptomë e një problemi të ndërgjegjeve. Por asnjë fjalë nuk mund ta ndryshojë realitetin e gjërave: aborti i kryer me dashje është vrasja e vullnetshme dhe e drejtpërdrejtë e një qenieje njerëzore në fazën fillestare të ekzistencës së saj, që përfshin momentin e ngjizjes deri në lindje” (58).

Projektligji shprehet që në fillim për ndërprerjen vullnetare e shtatzënisë, duke mos kërkuar arsye. Lind pyetja: Cilat janë disa arsye, që një veprim të një gruaje shtatzënë ta konsiderojmë vullnetar dhe jo të tillë? Flasim për autonominë (lirinë e gruas), por kush kujdeset dhe mbron autonominë e foshnjës, që do lindë dhe është në një zhvillim të vazhdueshëm, pavarësisht stadit të zhvillimit (paraembrion, embrion, fetus),? Pozicionohemi kundër ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë, apo kundër çdo ndërprerje të shtatzënisë?

Në thelb, ligjet janë një dhënie-marrje midis palëve. Nëse ne shkojmë me lëshime do të thotë që komunikimin nuk e fillojmë nga pika maksimale, por diku më poshtë. D.m.th. nëse ne flasim vetëm për ndërprerjen vullnetare kemi humbur pikë në dialog, nëse do na thërresin për dialog.

Lidhur me Teknikat e riprodhimit të asistuar

– Në raportet e riprodhimit artificial in vitro janë dy komponente thelbësore: materiali gjenetik dhe fëmija që do të lindë. I pari, në rastin e nënës beqare, sipas këtij ligji konsiderohet një mall tregu. Nga ana tjetër, fëmija privohet nga përkujdesja atërore që në zanafillë. A është kjo një shkelje e të drejtës së fëmijës për ta larguar dhe paragjykuar babain, i cili në realitet është prezent nëpërmjet materialit gjenetik? Sa mund të ndikojë mungesa, jo për shkaqe natyrore, e babait në rritjen dhe edukimin e femijës? A është një shkelje e të drejtës së fëmijës? Ndërkohë që Kodi i Familjes në Nenin 5 shprehet që fëmija duhet të rritet në një mjedis familjar. Çfarë nënkupton mjedis familjar? Mos ndoshta në këtë mënyrë kemi bashkim të dy gjinive në një person të vetëm, tek nëna?

Lidhur me Përdoruesit e teknikave të riprodhimit mjekësor të asistuar

Në rastin e përdoruesit e teknikave të riprodhimit mjekësor të asistuar kemi tre komponentë: materiali gjenetik, huazimi i mitrës dhe fëmija. Përveç konsiderimit të materialit gjenetik shtrohen disa paqartësi:

Neni 19, pika 2, si dhe Neni 22 flasin për pamundësinë e lindjes së fëmijës.. Përveç problemit të mitrës (uterus), gruaja mund të ketë dhe pamundësinë e materialit gjenetik (mungesa e vezëve). Atëherë materiali gjenetik huazohet nga një grua tjetër, pasi sipas pikës 2 të Nenit 22 përdoret fjala infertile dhe pika 3 e po këtij neni shprehet se gruaja nuk mund të përdorë vezët e saj. Në këtë rast kemi tre nëna, porositësja, mbartësja dhe dhuruesja e materialit gjenetik (vezëve). Si do zhvillohet femija brenda këtij kompleksi faktorësh? Në këtë rast kush e mbron të drejtën e fëmijës, që lind pa baba dhe ka dy, apo tre nëna të konsideruara?

Si përfundim, projektligji në fjalë nuk është problematik vetëm për efektet e menjëhershme që shkaktojnë praktikat e teknikat e propozuara aty përkundrejt jetës njerëzore. E vërteta është se ligji (ky projektligj), me kalim e kohës, krijon një stil jete, një kulturë (vdekjeje), një mendësi, që e mbyt përgjegjshmërinë në marrëdhëniet ndërpersonale, dhe u bën vend ideologjive e sistemeve, që nuk përputhen me të vërtetën e dinjitetit njerëzor – teknokracia, transhumanizmi etj..

Krahas argumenteve të mësipërme, shtojmë se pozicionimin e Parlamentit Evropian i miratuar në leximin e parë më 23 prill 2024 me qëllim miratimin e Direktivës (BE) 2024/… të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, që ndryshon:

Direktivën 2011/36/BE për parandalimin dhe shtypjen e trafkimi i qenieve njerëzore dhe mbrojtja e viktimave, ndryshimet në Direktivën 2011/36/BE Direktiva 2011/36/BE, i cili ndalon shfrytëzimin dhe zëvendësimin mëmësisë surrogato, martesën e detyruar ose birësimin ilegal, të cilat mund të përfshihet tashmë në sferën e krimeve të lidhura me trafikimin e qenieve njerëzore siç përcaktohet në Direktivën 2011/36/BE, në masën që plotësohen të gjitha kriteret që përbëjnë këto krime. Kjo Direktivë e vë theksin gjithashtu tek ata që ata i detyrojnë ose mashtrojnë gratë, që të veprojnë si nëna surrogate.

I. ASPEKTI TEOLOGJIK

Në këtë aspekt krahas mendimit shoqëror dhe etik përfshihet në to edhe mendimi teologjik. Kjo përfshirje lidhet me faktin se mendimi teologjik është zhvilluar dhe zhvillohet brenda dukurive sociale dhe të cilat kanë një shtrat etik, i cili është frymëzuar prej mendimit teologjik. Nisur nga koncepti teologjik shprehemi se:

– Ne theksojmë shenjtërinë e padiskutueshme të jetës njerëzore. Nuk ka dyshim, se një jetë unike njerëzore fillon dhe është një unitet trup-shpirt, që prej konceptimit të saj. Ne besojmë se njerëzimi, që fillon në ngjizje nuk është i rastësishëm dhe jeta e tij ka vlerë, ndonëse nuk është ende i aftë për vendimet, emocionet dhe veprimet e pavarura, që zakonisht lidhen me të qenit person.

– Çdo jetë e ka burimin dhe vlerësohet pafundësisht nga Perëndia dhe duhet të vlerësohet edhe nga njeriu.

– Trupi i njeriut dhe çdo pjesë përbërëse e tij është e shenjtë. Ndërhyrjet e panatyrshme të njeriut ndryshojnë qëllimin dhe arsyen fillestare të krijimit të njeriut.

– Sterilizimi është një veprim i dhunshëm kundër fuqisë jetësore të njeriut, duke filluar nga faza e parafekondimit.

– Jurisprudenca teologjike e krishterë dhe islame, në raste domosdoshmërie, lejojnë praktikën in vitro brenda disa kritereve të caktuara. Për sa kohë që do të këtë hapësira që nuk bien ndesh me frymën e fesë, feja do të jetë pro mundësive të reja për të mundësuar jetë të reja dhe për të mbrojtur atë.

– Përdorimit të teknikave të riprodhimit të asistuar dhe mëmësisë surrogate është cenimi i sigurisë së mëmësisë.

– Kjo praktikë bie ndesh me dinjitetin që Zoti i ka dhënë njeriut. Ky dinjitet ruhet sidomos duke respektuar njeriun nga aspekti i tij fizik. Nisur nga kjo një grua nuk ka të drejtë të japë me qira organet e saj.

– Në tërësi bëhet fjalë për shkelje të normave të fesë, privatësisë, martesës, mbrojtjes së pasardhësve dhe personalitetit, sepse cenon disa parime thelbësore në lidhje me mbrojtjen e shëndetit mendor dhe fizik të njeriut, si dhe dinjitetin njerëzor.

– Kërcënimi i dinjitetit të gruas, si dhe i fëmijës janë probleme esenciale në praktikën e surrogacisë. Gruaja, nga nënë që lidhet me trup dhe me shpirt me qenien që mbart në trup, kthehet në një mjet, që ngarkon e shkarkon krijesa. – Së dyti, fëmija për të cilin është marrë një vendim për t’u mbartur nga një grua që nuk është nëna e tij, përbën një metodë jashtë normalitetit njerëzor, proces i cili mund të jetë i papranueshëm për vetë fëmijën. Në këtë rast ai është vënë në një situatë pa zgjidhje, e cila mund t’i shkaktojë atij pasoja të rënda psikologjike. Sipas fesë islame e të krishterë askush nuk ka të drejtë t’i shkaktojë një tjetri të tilla situata.

– Feja pozicionohet kundër praktikës së mëmësisë surrogate, nëpërmjet të cilës fëmija, që ka dinjitet të pafund, kthehet në një objekt.

– Praktika e mëmësisë surrogate dhunon para së gjithash dinjitetin e fëmijës. Çdo fëmijë në fakt nga momenti i ngjizjes, i lindjes e më pas i rritjes, si djalë apo vajzë, duke u rritur, zotëron një dinjitet të paprekshëm, që shprehet qartësisht edhe pse në mënyrë të veçantë e të dallueshme në çdo fazë të jetës. Pranimi i dinjitetit të personit njerëzor sjell veç kësaj edhe dinjitetin e bashkimit bashkëshortor dhe të prokrijimit njerëzor në të gjitha dimensionet e tyre. Praktika e mëmësisë surrogate dhunon në të njëjtën kohë dinjitetin e vetë gruas që detyrohet ta bëjë ose vendos lirisht ta bëjë. Me një praktikë të tillë, gruaja largohet nga femija, që rritet brenda saj dhe bëhet një mjet i thjeshtë, që ka si qëllim fitimin dhe dëshirën arbitrare të dikujt tjetër.

– Zëvendësimi nuk është i lejuar në aspektin teologjik është se kjo praktikë përfshin konfuzionin e prejardhjes dhe i hap rrugën mundësisë së tradhtisë bashkëshortore.

– Edhe pse disa juristë janë të mendimit se shtatzënia që nuk ka mbushur ende dyzet ditë mund të ndërpritet, shumica e dijetarëve islamë dhe të krishterë, besojnë se aborti është në kundërshtim me besimin fetar. Ndërprerja e shtatzënisë (abortit) për ndonjë arsye tjetër përveç shpëtimit të jetës së nënës është e ndaluar dhe konsiderohet vrasje.

II. MENDIME PËR PROJEKTLIGJIN PËR “SHËNDETIN SEKSUAL DHE RIPRODHUES”:

· Të parashikohet me ligj ndalimi i abortit selektiv me bazë gjinore.

· Të mos parashikohet në projektligj: Lejimi i abortit me fetus 14 javësh edhe nga vajza nën 18 vjeç pa miratimin e prindërve.

· Të hiqet koncepti i mundësisë së FIV të një gruaje të vetme, pavarësisht gjendjes civile, që ajo ka (sepse në këtë mënyrë lejon rritjen e këtij fëmije nga dy persona “çift” të së njëjtës gjini).

· Ky projektligj cenon institucionin e familjes, krijuar që në zanafillë nga burri dhe gruaja, nga të cilët vijnë në jetë fëmijët.

· Cenon dinjitetin e gruas “nënës” dhe fëmijës, duke mos respektuar jetën, e cila është dhuratë dhe bekim nga Zoti.

· Krijon precedent të rrezikshëm për shoqërinë tonë në të ardhmen, duke i hapur rrugë abuzimeve me nënat surrogate, por edhe të ardhmes së fëmijëve, që vijnë në jetë nga kjo metodë.

· Nga studimet dhe statistikat e bëra nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi varfërinë, rezulton se, 770 milion njerëz në botë jetojnë në varfëri ekstreme. Po ashtu, edhe sipas UNICEF, 330 milion fëmijë në botë jetojnë në varfëri ekstreme, nga ku Shqipëria nuk është e përjashtuar nga një ekonomi e dobët, ku për shkak të kushteve sociale, arsimore dhe ekonomike, shumë gra mund të bien pre dhe të zgjedhin të jenë nëna surrogate, duke e kthyer në tregti dhe duke e parë si mjet fitimi, gjë që çon në shkelje të të drejtave të gruas dhe dinjitetit njerëzor.

– Një rrezik tjetër është trafikimi i qenieve njerëzore, ku fëmijë të lindur nga kjo metodë mund të porositen nga grupe kriminale të trafikut.

· Bota dhe shoqëria mbarënjerëzore sot, po përballen me trafikimin e qenieve njerëzore, trafikim organesh, shfrytëzim prostitucioni, abuzime seksuale pedofilie dhe shfrytëzimi në rrugë i fëmijëve për përfitime ekonomike. Surrogacia e rrit rrezikun e këtyre problematikave.

· Mungesa e garantimit të jetës dhe mbrojtjes së fëmijës, i cili lind nga një nënë surrogato.

· Traumat psiko-emocionale të fëmijëve kur të përballen me realitetin e ngjizjes së tyre, kur të jenë në moshë madhore.

· Ligji bazohet mbi konceptin e drejtësisë, por anashkalohet drejtësia për foshnjën që do të lindë apo për atë që nuk do t’i jepet mundësia të vijë në jetë.

· Projektligji fokusohet tek zgjidhja e një problemi, por nuk merr në konsideratë pasojat e mëpasshme.

· Lehtësirat e krijuara për ndërprerjen e shtatzënisë e kthejnë shoqërinë në vrasëse të qenies njerëzore ose heqëse të së drejtës për të jetuar.

· Ndërprerja e shtatzënisë bëhet me dëshirën e shprehur nga gruaja, por jo nga bashkëshorti i saj.

· Ndërkohë që vajza konsiderohet në moshën 18 vjeç e ndërgjegjshme dhe e pjekur për të marrë vendime, nuk ndodh e njëjta gjë me abortin. Në këtë rast ajo e merr vendimin në moshën 16 vjeç.

– Në rastin e një sëmundje, jo vetëm nëna, por dhe mjeku merr të drejtën për të përcaktuar kush do të rrojë, nëna apo foshnja. Pra, mjeku përveç të drejtës mjekësore merr përsipër dhe rolin e përcaktuesit të jetës njerëzore.

· Dhurimi ose asgjësimi i vezëve të pafekonduara dhe embrioneve mund të bëhen sipas ligjit me shumë lehtësi. Kjo formë krijon biznesin e vezëve dhe embrioneve, duke e kthyer procesin në biznes dhe larg natyrës mjekësore. Në këtë mënyrë nëpërkëmbet veçoria e materialit gjenetik dhe roli thelbësor që ai ka.

· Numri i dhurimit të materialit gjenetik (vezë apo spermatozoidë) nuk duhet të kalojë numrin pesë. Por nëse këto materiale gjenetike përdoren në një ambient të përafërt atëherë do kemi vëllezër dhe motra, të cilat nuk do ta njohin njëri-tjetrin dhe mund të krijojnë marrëdhënie intime në të ardhmen, fenomen ky, i cili çon në incest.

· Lejimi i ngjizjes së fëmijëve për nënat beqare është një problem i rëndësishëm shoqëror. Ai fillon me një material gjenetik të dhuruar dhe vazhdon që në gjenezë rritja e fëmijës pa baba, gjë e cila kjo nuk ndodh për shkak të një fatkeqësie natyrore (vdekja), por nga dëshira e gruas. Është një fenomen i cili zhvillohet mbi egoizmin e njeriut dhe nuk merr në konsideratë dëshirën e fëmijës për t’u rritur pa prezencën e babait.