Radio “Ngjallja” realizoi një emision të veçantë me miq nga Franca. Gjatë tij u intervistua edhe atë Zhivko (Justin) Panev, klerik orthodhoks në Francë, pedagog i së Drejtës Kanonike dhe Historisë së Kishave Orthodhokse Lokale në Institutin Teologjik të Shën Sergjit në Paris. Atë Zhivko është bashkëthemelues dhe drejtor i faqes orthodoxie.com dhe producent i emisionit “Orthodoxie” në kanalin kombëtar “France 2”.
Atë Grigori: Veprimtaria juaj është shumë e pasur, si klerik, pedagog, njeri i medias, krijues i një portali, por dhe si producent në një nga televizionet shtetërore…
Atë Zhivko: …Është e vërtetë. Shumë tituj do të thotë shumë punë, pra nuk janë tituj nderi. Mendoj se, Perëndia të më japë fuqi, më pëlqen të punoj dhe ndonjëherë kam përshtypjen se punoj vetëm 25% nga sa duhet të punoja. Nga ana tjetër, të gjitha gjërat që më ndodhën kur shkova në Francë, nuk kisha qëllimin të bëhesha ai që jam sot. Por gjithçka që përjetova dhe që më ka ndodhur, i pranova si vullneti i Perëndisë.
Këtë e shikoj, për shembull, kur realizojmë emisionet për “France 2”. Në fillim gjithçka më dukej e vështirë, mendoja si do ta realizonim, si do t’ia dilnim mbanë, por në fund ishte një dorë e padukshme që i rregullonte gjërat, por gjithashtu ka edhe bashkëpunëtorë të mirë, të cilët për mua është një mrekulli që i kam.
Atë Grigori: Orthodoxie.com çfarë përmban? Përfshin vetëm jetën adhuruese të krishterë orthodhokse në Francë, apo mbarë Orthodhoksinë?
Atë Zhivko: Faqja jonë u themelua në 2005 dhe krijimi i saj ishte një ndërgjegjësim i domosdoshmërisë që besimi orthodhoks të ishte i pranishëm në media, dhe të prezantoheshin të gjitha aspektet e Orthodhoksisë në gjuhën frënge. Është e qartë se nëse apostull Pavli shkonte nëpër sheshet e qyteteve për të shpallur Lajmin e mirë; në atë kohë kishte vetëm një shesh në çdo vend, ndërsa tashmë, falë teknologjisë, ka me mijëra. Nuk duhet të neglizhojmë urdhërimin e Krishtit: “Shkoni e shpallni lajmin e mirë”. E fillova i vetëm bashkë me një mik timin francez, i cili ishte bërë orthodhoks, z. Kristof Levalois. Dhe, me ndihmën e Perëndisë, vazhdojmë deri sot. Vitin e ardhshëm do të kremtojmë përvjetorin e 25-të. Kur nisëm, filluam veçanërisht duke publikuar përkthime, nga të gjitha juridiksionet dhe nga të gjitha gjuhët; pastaj filluam me podcast-et audio, e në vazhdim dhe me video; regjistruam konferenca, reportazhe të koncerteve, të ekspozitave, intervista. Mundëm të intervistonim patriarkët e Antiokisë, të Gjeorgjisë, të Rusisë si dhe të tjerë hierarkë të botës orthodhokse.
Jemi një grup shumë i vogël, dy persona e gjysmë, në kuptimin që kemi disa ndihma nga individë të ndryshëm, dhe të gjithë ne jemi vullnetarë. Jemi media e pavarur, nuk varemi nga ndonjë juridiksion, sepse përpiqemi të mbulojmë informacionet dhe aktivitetet e çdo juridiksioni, padyshim, duke u përpjekur të mos bëjmë interpretime të gjërave, jemi të kujdesshëm në interpretim, por përpiqemi të japim tërë ndjeshmërinë e juridiksioneve të ndryshme, të gjitha aktualitetet që kanë të bëjnë me Orthodhoksinë.
Në përgjithësi, ndjekësit tanë janë të kënaqur. Në vitin 2012 faqja jonë u bë me pagesë për sa duan të abonohen në të. Falë këtij kapitali të krijuar, mundemi ta mirëmbajmë faqen, të paguajmë shpenzimet e funksioneve server, të blejmë kamera, mikrofona etj.
Atë Grigori: Prej disa ditësh jeni këtu në Shqipëri, keni parë nga afër edhe disa nga veprat që Kisha jonë ka ndërtuar përgjatë këtyre dekadave nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas dhe ju keni ardhur me një nga bashkëpunëtoret tuaja. Cili është qëllimi i ardhjes suaj dhe çfarë dini për Kishën Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri?
Atë Zhivko: M’u desh të vija para dy vitesh, pikërisht para izolimit të Covid-19, por kjo na pengoi. Kam ardhur me bashkëpunëtoren time për të përgatitur xhirimin, ose ndryshe për të bërë disa piketime. Me hirin e Perëndisë, do të vijmë në vjeshtë, për të xhiruar dy dokumentarë: një për Kishën Orthodhokse këtu dhe një tjetër, për të prezantuar një portret të primatit të Kishës suaj, Kryepiskopit Anastas. Kam dashur të bëj një emision sepse në Perëndim e njohim shumë pak; njerëzit e dinë se ekziston një Kishë Orthodhokse shqiptare, sepse “France 2” jep mundësinë që orthodhoksët të bëjnë emisione.
Francezët nuk njohin asgjë për Shqipërinë, edhe më pak për Kishën e Shqipërisë. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është një Kishë e re, por Krishterimi dhe Orthodhoksia kanë qenë të pranishme që në kohët apostolike, ka dhënë shumë shenjtorë, martirë, si në shekujt e parë e deri në kohërat tona. Kisha shqiptare ka vuajtur shumë gjatë komunizmit, sikurse edhe besimet e tjera. Ajo ishte pothuajse e rrënuar, por Perëndia nuk e la që të zhdukej tërësisht. Ai dërgoi dikë që, me ndihmën e Perëndisë, arriti ta ringjallte. Prandaj ai e mban me dinjitet këtë emër Anastas-Ngjallja. Kjo është arsyeja e parë pse kam dashur të vij këtu. Personalisht e vlerësoj shumë Kryepiskopin tuaj. Shqipëria është vendi i shqiponjave, por Kryepiskopi Anastas është një shqiponjë shpirtërore. Shqiponja është mbretëresha e shpendëve, sepse ka krahë të fuqishëm, dhe ai, si një shqiponjë shpirtërore ka krahë dhe besim të fuqishëm. Ashtu si shqiponja ka një vizion, shikon nga larg, edhe Fortlumturia ka një vizion shpirtëror. Me gjithë sa kam parë këtu, jam i mrekulluar. Jo vetëm një kishë e gjallë, por një kishë e cila është e hapur ndaj shoqërisë dhe bën shumë gjëra jo vetëm për orthodhoksët, por për të gjithë shqiptarët, cilado qoftë përkatësia e tyre fetare. Duke qenë e pavarur dhe e lirë, do doja që ta prezantoja këtë te teleshikuesit në Francë. Kryepiskopi Anastas nuk është i rëndësishëm vetëm për ju këtu, por është një zë, personalisht për mua, i drejtë dhe i thellë për sa i përket problematikave që po përjetojmë ne si orthodhoksë….
…Unë duhet t’ju falënderoj në emër të televizionit “France 2”, si dhe të bashkëpunëtores sime për pritjen tuaj, për të gjithë ata që na shoqëruan, përkthyesen tonë, ju atë, dhe mbi të gjitha, falënderoj Kryepiskopin tonë Anastas, për mikpritjen e tij. Shpresoj që do të mund të vijmë sërish në vjeshtë, për të përgatitur xhirimin e këtyre dokumentarëve.