Mitropolia e Gjirokastrës, Xarrë (Sarandë)
Në atmosferën festive të së Shtunës së Llazarit, mes besimtarëve të enorisë së Xarrës, në Sarandë u gjend Hirësia e Tij, Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri. U bë kjo një ditë e shënuar për besimtarët e asaj zone, sepse u denjësuan në përfundimin e punimeve për ngritjen e një kishe të re dedikuar Ngjalljes së Llazarit, mrekullisë së madhe që bëri Zoti Krisht para hyrjes së Tij triumfale në Jerusalem.
Shërbesën e Ajazmës dhe Shenjtërimin e kishës e kreu Mitropoliti me klerikë të tjerë të zonës dhe me pjesëmarrje dhjetëra besimtarëve, të cilët kontribuuan në realizimin e kësaj nisme. Kisha e Shën Llazarit, e gjendur pranë varrezave, do të shërbejë edhe për shërbesat për të fjeturit, gjë që përbënte një mangësi në mirëfunksionimin e enorisë. Vijoi Liturgjia Hyjnore në kishën e re, ku në fund të saj Mitropoliti u foli besimtarëve për figurën e shën Llazarit, mësimin e vyer që del nga mrekullia dhe që përbën thelbin e besimit tonë, se Jisu Krishti është i vetmi Perëndi i vërtetë që ka pushtet mbi jetën dhe vdekjen. I vendosur në këtë themel të sigurt, besimi ynë nuk kërcënohet nga asnjë hije dyshimi dhe pseudodileme, që kohët e fundit përhapen furishëm nga herezi të ndryshme.
Mitropoliti Dhimitër përgëzoi besimtarët për përpjekjen që bënë në ndërtimin e kësaj kishe dedikuar shën Llazarit të katërditshëm, duke iu uruar të kenë ndërmjetimet e tij. Në veçanti përgëzoi dhe uroi priftin përgjegjës të enorisë, si dhe protopresviterin Pandeleimon Mitro, Epitrop i Përgjithshëm Arkieratik i Mitropolisë sonë.
Pavarësisht emigrimit të banorëve nga enoritë e zonës më të gjerë, të Mursisë dhe Xarrës, ende ka besimtarë të shumtë për shkak edhe të zhvillimit të sektorit agrar, por edhe të afërsisë me Greqinë, që u siguron nivel të mirë ekonomik. Besimtarët dallohen për bujarinë e tyre dhe shpresëtarinë e thellë.
Kryepiskopi Anastas ka vizituar që në vitet e para dhe në mënyrë të përsëritur enoritë aty dhe ka kryer në raste të ndryshme Liturgjinë Hyjnore, duke krijuar një lidhje të veçantë shpirtërore dashurie dhe respekti. Me kujdes të posaçëm, ka mbështetur përpjekjet e tyre për rehabilitimin e kishave të vjetra, si të Shën Theodhorëve në Mursi, të Shën Nikollës në Xarrë, Manastirin e Profetit Ilia në Vrinë. Janë ndërtuar edhe kisha të reja, si e Shën Gjergjit në Shkallë, Shën Spiridhonit në Vrinë etj. Janë mbështetur vepra të ndryshme të dobisë publike në Mursi dhe Xarrë, ndërsa është zhvilluar edhe një territor me agrume dhe ullinj, në liqenin e Bufit pranë kishëzës së Shën Donatit, si pjesë e programit të zhvillimit bujqësor të Kishës sonë.
Dhjetëra të reja dhe të rinj nga zona kanë pasur mundësinë në dhjetëvjeçarët më parë të marrin mësimet e tyre pranë institucioneve arsimore të Kishës sonë, duke pasur akomodim në konviktet e saj si bursantë të Kryepiskopit Anastas. Shumë prej tyre shërbejnë tashmë si kuadro të Kishës sonë në sektorë të ndryshëm të jetës shpirtërore, arsimore dhe sociale.
Korresp. i “Ngjallja”